Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se pati një bisedë telefonike me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, me të cilin diskutoi dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe “detajet” e situatës në Ballkanin Perëndimor.
Macron i konfirmoi Vuçiçit besimin e tij se “e ardhmja evropiane e Serbisë është rruga e saj e vërtetë”, si dhe “shpresën e tij se ajo do të përparojë në këtë rrugë reformash dhe anëtarësimi, në frymën e dialogut”.
“Diskutuam të gjitha aspektet e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Francës dhe vendosëm të forcojmë më tej bashkëpunimin tonë”, shkroi Macron në rrjetin social X.
Macron i kushtoi vëmendje të veçantë edhe dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, duke deklaruar se Franca dënon çdo veprim të njëanshëm që mund ta rrezikojë atë:
“Kujtova rëndësinë e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës dhe dënimin tonë të çdo hapi të njëanshëm që do ta kompromentonte atë.”
Presidenti francez theksoi se të dy folën në detaje edhe për situatën rajonale:
“Theksova rëndësinë që Franca i kushton stabilitetit, unitetit dhe sovranitetit të Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe respektit për sundimin e ligjit.”
Lidhur me Ballkanin Perëndimor në tërësi, presidenti francez përfundoi me fjalët:
“Së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor, Evropa do ta kuptojë dhe do ta realizojë fatin e saj – në frymën e unitetit, solidaritetit dhe përgjegjësisë.”