"The Late Show" me Stephen Colbert dhe të ftuarën Zëvendëspresidente Kamala Harris gjatë shfaqjes së së enjtes, më 31 korrik 2025
Ish-nënpresidentja Kamala Harris tha se nuk do të kandidonte për poste publike sepse sistemi është “i shkatërruar”, ndërsa reflektoi mbi vendimin e saj për të mos ndjekur kandidimin si guvernatore në Kaliforni dhe foli për atë që ajo e konsideron si “kapitulim” nga ata që ishin të ngarkuar me ruajtjen e demokracisë gjatë administratës së dytë të Donald Trump.
Në intervistën e parë të ish-kandidates presidenciale të vitit 2024 që pas humbjes në zgjedhje, Harris foli për karrierën e saj si nëpunëse publike, duke vënë në dukje se kur ishte e re mendonte se njerëzit që duan të përmirësojnë ose ndryshojnë një sistem nuk duhet ta bëjnë këtë vetëm nga jashtë, por ta ndryshojnë atë edhe nga brenda.
“Kjo ka qenë karriera ime dhe së fundmi mora vendimin që, për momentin, nuk dua të kthehem në sistem. Mendoj se është i prishur”, tha Harris në intervistën me “The Late Show with Stephen Colbert” të CBS.
“Gjithmonë kam besuar se, sado e brishtë të jetë demokracia jonë, sistemet tona do të ishin mjaftueshëm të forta për të mbrojtur parimet më themelore, dhe mendoj tani për tani se ato nuk janë aq të forta sa duhet të jenë”, shtoi Harris.
"Për momentin, nuk dua të kthehem në sistem. Dua të udhëtoj. Dua t'i dëgjoj njerëzit. Dua të flas me njerëzit. Dhe nuk dua që të jetë transaksionale ku unë kërkoj votën e tyre."
Komentet e Harrisit pasqyruan një deklaratë të lëshuar më herët këtë javë, në të cilën ajo tha se nuk do të kandidonte për guvernatore në Kaliforni , duke shtuar se udhëheqja e saj nuk do të jetë në "zyrë të zgjedhur". Ajo konsiderohej një favorite e madhe në fushën e kandidatëve të mundshëm për këtë post dhe i tha Colbertit se kishte menduar shumë për një kandidim të mundshëm përpara se të vendoste kundër tij.
Kur u pyet nëse kishte parashikuar disa nga veprimet që Trump ka ndërmarrë gjatë presidencës së tij të dytë, si shkurtimet në “Medicaid” në projektligjin për politikat e brendshme ose shënjestrimin e kundërshtarëve politikë, ajo u përgjigj: "Ajo që nuk e parashikova ishte kapitullimi".
“Ndoshta është naive nga ana ime, dikush që ka parë shumë gjëra që shumica e njerëzve nuk i kanë parë, por besoja se në një farë niveli, ka shumë, duhet të ketë shumë, që e konsiderojnë veten “roje” të sistemit dhe demokracisë sonë, të cilët thjesht kapitulluan. Dhe unë nuk e parashikova dot këtë”, tha ajo.
"Mendoj se ka shumë njerëz që mendojnë se po ia dalin mbanë me justifikimin se janë të paedukatë", shtoi ajo.
Ajo kritikoi në mënyrë të veçantë Kongresin që nuk i pengoi përpjekjet e Trump për të zvogëluar Departamentin e Arsimit, duke thënë se ata "thjesht po rrinë duarkryq".
Harris, e cila do të publikojë një libër në shtator rreth fushatës së saj presidenciale të vitit 2024 me titull “107 ditë”, foli gjithashtu për kohën që i ishte dhënë për të drejtuar një fushatë pasi presidenti i atëhershëm Joe Biden u tërhoq nga gara.
“Isha shumë e vetëdijshme për kohën e shkurtër që kishim", tha ajo.
Duke folur për të ardhmen e saj politike, ajo tha: “Është e rëndësishme që, në këtë moment kur njerëzit janë bërë kaq të dëshpëruar, të zhgënjyer dhe të frikësuar, mendoj se ata që kanë aftësinë – gjë që unë e kam tani, duke mos qenë në një zyrë ku bëhet fushatë për atë zyrë – të dalin në terren dhe të flasin me njerëzit që t’u kujtojnë fuqinë e tyre.”
Harris-it iu kërkua gjithashtu të emëronte një udhëheqës të Partisë Demokratike, por ajo refuzoi, duke thënë se kishte shumë të tillë, por nuk donte të linte askënd jashtë.
"Është një gabim për ne që duam të gjejmë një mënyrë për të dalë nga kjo situatë dhe për ta kaluar atë, ta vendosim mbi supet e një personi të vetëm. Në të vërtetë, përgjegjësia është mbi supet e të gjithëve." /Liberale.al/