Një ngjarje e rëndë raportohet se ka ndodhur në Torino, ku një çift maroken u arrestua me akuzën se sollën në vend një vajzë të porsalindur dhe më pas tentuan ta shisnin atë.
Por hyrja e foshnjës në shtetin italian nuk ishte regjistruar dhe sipas shtypit, gjatë gjithë udhëtimit me varkë nga Maroku, vajza e vogël ka mbetur brenda një qese plastike, e cila i rrezikoi jetën dhe i shkaktoi vuajtje dhe dobësi të madhe.
Ndërkaq, dy shtetas të tjerë marokenë me banim në Itali u arrestuan me akuzën e bashkëpunimit. Policia e gjeti vajzën e vogël në shtëpinë e tyre, ku siç pretendonin e kishin “strehuar përkohësisht”. Operacioni i policisë italiane u quajt “Save the baby” dhe në këtë fazë po punohet për të gjetur në Marok nënën biologjike të fëmijës, që sipas informacioneve të deritanishme ka lindur gushtin e kaluar.