Letërsi

“Zogjtë e qyqes” së Mehmetit, ose historia e një kohe me sytë e Letërsisë

Shkruar nga Liberale

Nga Ben Andoni

Publicisti dhe shkrimtari Gani Mehmetaj, në një nga rravgimet e tij të muajve të fundit, këtë herë në angazhimin e tij letrar, solli një roman i cili e gjeti udhën e vet me të drejtë deri në majë të Çmimit “Kadare”.  Romani fitues “Zogjtë e qyqes”, solli tematikën e kolonëve serbë përgjatë tre brezave dhe shikimin e brendshëm dhe të jashtëm, përmes syve të tyre. Me një strukturë të thjeshtë, por zgjidhur në formën klasike të një narracioni fëminor (në pjesën më të madhe), përcillet linja e romanit që zbërthen këndshëm dhe drejt metaforën e titullit.

Shqiptarët, në një optikë shumë më të ngushtë, vijnë përmes perceptimit të evoluimit të personazhit tonë serb. Rrëfimtari në vetën e parë tregon jetën plot mëdyshime dhe të panjohura të këtij komuniteti aspak miqësor në Kosovën e shqiptarëve, vetë sllavëve dhe të pakicave të tjera. Të ardhur nga zona të ndryshme të ish-Federatës, zgjedhur si tharmi mbajtës i frymës dhe mbijetesës sllave në një tokë aspak miqësore për ta, janë të drejtuar, më saktë të detyruar edhe për ngjalljen e mitit klasik serb të tokës së tyre të shenjtë. Narratori ynë mundohet të jetë sa më “sllav”, por duket se kjo ka qenë edhe një nga vështirësitë më të mëdha, mosfutja dot 100% në regjistrin e një koloni në perceptim, gjykim dhe madje, edhe veprim. Shpesh në shpjegimet e gjata, autori del pa dashje nga regjistri i fëmijës-narrator për të bërë përsiatje që nuk e përligjin abstragimin naiv, i cili duhej të mbizotëronte. Ndoshta teknika e rrëfimit, që lidhet me këto karakteristika, duhej të ishte pak më e brishtë dhe “e palatuar”.

Në këto raste, mendimi i autorit duket se e kalon personazhin, që dora-dorës falë një mase të mirë të balancës së strukturës, nis të krijojë pezullin. Duke u rritur, personazhi shikon se përballja me vendasit nuk është kaq e tmerrshme. I ka ikur perceptimi i parë i atij shqiptarit, që kalon flu në pjesën ku nis fillin ngritja e fabulës. Burri me veshjen karakteristike, kalon befas në vagonin e kolonëve dhe kur serbët i kërkojnë me arrogancë të mbyllë derën, ai u hedh thjesht një vështrim tejet të ftohtë dhe aspak miqësor. Nga këtu nis merr jetë mbrujtja e linjës së romanit.

Një familje kolonësh serbë, me anëtarë të tre brezave, po i drejtohet Kosovës  dhe mes tyre djali-narrator, i cili mbledh këto copëza historie dhe ndërton linjën për të vizatuar Kosovën me sytë e ardhacakëve serbë. I ati është ushtarak dhe i angazhuar të mposhtë dhe të vendosë rregull në krahinën e varfër, ku banojnë shqiptarët dhe më pak pakicat e tjera nga e gjitha hapësira sllave. I gjyshi, tashmë një lloj alter ego e frymës së kësaj familjeje apo idesë së vjetër serbe për shqiptarët, lidhet me pjesën e fillim-shekullit të përplasjeve sllave. Në kokë ka ende momentin e kohës së Luftës së Dytë Botërore kur mezi u ka shpëtuar shqiptarëve dhe për këtë bën ende fajtore Ushtrinë e Kralit. “Pushtetin e morën shqiptarët. U shpartallua si tufë lepujsh, grindej me veten, kujton i nipi. Tre gjermanë u grahnin ushtarëve të Kralit, më lehtë se t’u grahnin kafshëve”. Dhe ankthi i pashmangshëm serb që jepet përmes përvojës së tij dhe të gjithë keqësisë ndaj shqiptarëve: ”Do të na vrasin shqiptarët, nuk i njihni ju! Kokat tona do t’i mbajnë në duart e tyre të përgjakura”. Kaq fatale dhe e përsëritur është kjo gjendje, saqë personazhi ynë, nën ndikimin e filmave me indianë, e nis perceptimin e tij të parë duke e parë në përfytyrime skalpin e vet në duar shqiptarësh të Kosovës me sytë e mbushur me gjak!!! E përjeton faktin se: po e dëgjon tmerrin nga gjyshi që e beson dhe i mëson historinë ndryshe sllave pa lavdi, teksa “mbrojtje” ka të ëmën, një agjitatore e cila mban ekuilibrin e familjes me titizmin ekstrem dhe shumë panegjirik. Autori falë përvojës jetësore e ka superuar shumë mirë momentin e ekuilibrave të stereotipit të familjes kolone. Përplasja e brezave dhe e përvojave, përshkruar profesionalisht, sjell një mjedis gati të panjohur nga shqiptarët e këtej kufirit, por edhe nga brezat e sotëm në Kosovë. Kjo është vlerë e shtuar për romanin e tij.

Nga ana tjetër, ritmi i veprës do të mbahet me një element që kinematografia, sidomos ajo moderne, e ka zgjidhur përmes përsëritjes së një detaji. Autori e lidh me historinë, ku gjyshi ka treguar  për një kapiten me origjinë polake, i cili dikur në krye të një ekspedite ndëshkuese do të vritet në një dhiare nga malësorët shqiptarë. “Kapiteni ishte trim, neve na mbërtheu frika. Binin xhandarët si molla e krimbur. Befas një krisëm pushke jehoi bjeshkëve, plumbi e kishte goditur në krye kapitenin tonë të xhandarmërisë”...Kjo përsëritet shpesh, duke e bashkuar kohën dhe rritjen e personazhit tonë.

Autori mundohet ta mbajë mirë sensin e masës në strukturë dhe këtë e shikon në vëzhgimin e parë me vendasit deri në fund, kur kolonëve të tjerë, të kohëve të reja, do u kërkohet të zenë vendin. Mehmeti qysh në fillim sjell një element shumë interesant që lidhet me përballjen e shqiptarëve dhe kjo përbën një nga gjërat më interesante në roman: sesi përcillen nga fqinjët kolonë sllavë, vendasit shqiptarë. Kolonët janë shteti por edhe shqiptarët janë pjesë e shtetit, po ata pse janë vallë kështu? “Fytyrat e topitura të vendasve i hutuan, sikur ua shuan entuziazmin; nuk e kapnin nëse kishte urrejtje prapa atyre syve të shpërqendruar, që u shmangeshin shikimit, apo kishte topitje ndjenjash dhe ftohtësi karakteri”. Dhe sërish makthi, që përcjell fryma e gjyshit, i cili mundohet t’i paralajmërojë me fatin e tij: “Kujdes, ata janë gati. Do të na vrasin!”. E gjithë shtëpia mundohet ta konfuzojë personazhin tonë, që në shumë momente nuk mendon si fëmijë, por si i rritur. Por nuk janë vetëm shqiptarët. Njësoj të urryer janë dhe boshnjakët, ngaqë janë myslimanë apo madje edhe kroatët, që grupi i kolonëve i etiketon si ustashë, me një stereotip që nuk mund t’i shkojë të gjithë njerëzve. E gjithë shoqëria e kolonëve krijon një gjendje aparteidi dhe secili nga ata përbën një lloj tipi kundër shqiptarëve, sipas mënyrës së tij.

Pjesa e fëmijërisë merr dhe pjesën më të madhe dhe është pjesa e parë e metamorfozës së personazhit, që përshfaq një segment shumë të dhimbshëm të sjelljes së tyre ndaj shqiptarëve të Kosovës. Të dy palët nuk është se janë mosbesues, ata e shikojnë njëri-tjetrin sikur të jenë ngjyra të tjera. Urrejtja nuk ka cak. Kurse simbolika e gjakut te rrobat e të atit, zbulon të vërtetën e asaj që bëhet këtu, por edhe fillimin e perceptimit të birit për fajësinë e përbashkët me shqiptarët.

Diferencën dhe ngritjen e narracionit, në një regjistër të ri, do e bëjë miku i tij që përbën edhe linjën e dytë më të mbyllur të veprës. Dukagjini përfaqëson birin e një familjeje intelektuale shqiptarësh dhe personazhi ynë do të mësojë përmes miqësisë me të, sesi janë shqiptarët e tjerë. Edhe vetë kolonët kanë perceptim tjetër dhe kompleks për këtë familje...Ndarja gjithsesi është aty në mentalitet dhe nuk është thjesht mentale, por edhe protokollare. Shëtitja tradicionale vazhdon në mbrëmje, ku në anën e djathtë të trotuarit qëndrojnë shqiptarët kurse në anën e majtë janë serbët. Në qendër banon paria, ku janë oficerët e luftës, shefat e policisë dhe administrata. Po ata bëjnë diferencën, por edhe tregojnë paraqitjen e vërtetë të statusit të kolonëve. Tek e fundit, gjërat duhet të ndahen: shqiptarët janë vendas dhe vërtetë me probleme, por kolonët janë disi ordinerë dhe kështu shihen edhe nga vetë bashkëqytetarët e tyre serbë, si mish i huaj.

Autori ka ditur që të mos e mbajë në këtë frymë, kurse futja e elementit të dashurisë së shqiptarëve me serbët jep një dimension tjetër human, por që edhe ky nuk e kalon dot provën etnike. Ndërkohë personazhi ynë është rritur dhe kërkon të bëj jetën e vet, larg këtij vendi. Narratori, tashmë inxhinier, nis e mëson më shumë për kohën dhe të gjithë atë që e ka ndjekur fëmijërinë e vet, dhe përmes bisedës me miqtë por edhe mundësisë për të gjykuar, kupton realisht Kosovën e kohës së tij. Gjyshi përbën sërish cakun e një epoke, sepse vdes me makthin që ka të shoqen në dhé shumë larg prej këndej, kurse i biri i damkosi nga makthet prej punës.

Dalëngadalë historia prek kohën tonë, ku në një nga pjesët më të këndshme dhe më të arrira, afrohet komenti i fundit i ish-Jugosllavisë. Të vrarët nga Rumania në kufirin e përbashkët që e kujtojnë si parajsë vendin e tij, paralajmërojnë atë që do ndodhë. Autori është munduar që të japë dhe momentet e reformimit të ish-Jugosllavisë, por ajo është e pakët ndërsa ankthi mbetet te vetë kolonët e pas Luftës së Dytë, sepse ata kanë lyer duart me gjak. Tragjedia shkon deri te personazhet shqiptare, por edhe te vetë ai: në furrat ku punonte janë djegur shqiptarë!!! Dukagjini, miku i tij shqiptar është tragjedia e rëndë e këtij libri. I ka mbijetuar një martese të vështirë me një serbe, ia vrasin pastaj gruan dhe vajzën dhe përfundon keq, ashtu si vetë personazhi ynë që humbet djalin në luftë. Por, vdekja nuk vjen atëherë kur e di. Në monologun postmortor flet realisht: ”I thashë Milanit të mos shkonte në luftë. Nuk është vendi ynë, nuk kishte qenë kurrë, e pushtuam dhe e shpërdoruam për faqe të zezë...”. Ka ardhur fundi, ai vetë tashti do të vdesë, por vdekja e ka harruar dhe kjo përbën paradoksin e kolonëve si ai. Mehmeti e kalon sërish me zgjuarsi duke na përcjellë te epilogu, ku kolonët e rinj në një kohë tjetër i grishin të kthehen në Kosovë me plot strese e trauma, por aty s’është më vendi i dikurshëm. “Zogjtë e qyqes”, si mund të përshkruhen ata, dhe autori duhet përshëndetur edhe për metaforën e titullit, janë të nëmur ashtu si serbët kolonë dhe të gjithë ata që janë në këto fate...Është një krijim i këndshëm, i ndërtuar në formë klasike por me mesazhe të qarta për mbijetesën në hapësirën e Kosovës dhe mbi të gjithë paradokset, fatet dhe hidhësinë e jetës. Pa paragjykuar kandidatët e tjerë, zgjidhja e tij si fitues duket krejtësisht e motivuar. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH