Aktualitet

Zheji: Henri Çili, ky vrasës me pagesë që kërcënonte Kongresin e PS

Shkruar nga Liberale
Zheji: Henri Çili, ky vrasës me pagesë që

Nga Artur Zheji

Kishte kërcënuar dhe rrezikonte në mënyrë kriminale, të fshehtë dhe hipokrite, me pushkë dhe me penë, Kongresin e suksesshëm të Edi&Linda Ramës, të mbajtur në Pallat të Kongreseve, e nën siglën e Pastiçerisë Socialiste!

E arrestuan pra më në fund, vrasësin serial, fytyrën më kriminale të Shqipërisë së fshehtë, Henrin, apo Naimin, si dhe ja kujtojnë "dashamirësit" e tanishëm, emrin e tij të origjinës.

Banda e tij, themeluar në errësirat e bodrumeve më të errta, me një organizim kompleks, që si një oktapod gjigant kontrollonte dhe zhvaste të gjithë vendin, duket se u mbërthye në mënyrë spektakolare, u çmontua dhe koka e krimit u arrestua e është tash pas hekurave.

Henri Çili, kjo fytyrë e frikshme, ideator i bandave Kçkëiste të Shqipërisë, ky gjarpër i fshehur, ky vrasës i shumëfishtë, poliagjent, themelues i disa (gjashtë për saktësi) grupeve të strukturuara kriminale, të njollosura me gjakun e pafajshëm të shumë shqiptarëve, tani, falë Reformës në Drejtësi, falë Rilindjes që na Rilindi të gjithëve, gjendet sot në qeli!

Në një qeli të ftohtë, në të njejtën qeli, të thellë e të ndyrë, të banuar nga minj dhe lakuriqë nate, ku dhe, do të përfundojnë të gjithë armiqtë që ka pasur, ka, e do të ketë, Shqipëria jonë Socialiste!

Fëmijë të lumtur të Shqipërisë, tani e tutje shikoni dhe bëni “like”, Kongresin e Partisë Socialiste, fytyrat e qeshura të Edit, të xhaxhi Gramozit dhe të xhaxhi Gjushit, lërini kartonat dhe lëreni Tomin dhe Jerry-n, ndiqni Kongresin! Gëzojuni dhe brohorisni pra, për të ardhmen tonë të pandalshme e moderniste!

Sepse, Henri Çilin, falë syrit të mprehtë të Organeve tona, është tashmë në duart të sigurta!

Henrin, këtë përbindësh që hante çdo mëngjes një foshnjë të skuqur me gjalpë, në drekë, thyente një Bankë dhe në darkë, vetë gostitej me verë, përzier më gjakun e Partisë (që për pak I zuri besë këtij armiku), i është dhënë vendi i merituar, në qeli.

Luani pra, lumturisht dhe lirisht, me besimin e patundur te Partia Mëmë, ju fëmijë, nëna dhe baballarë të Republikës sonë, krejt lirisht parqeve dhe klubeve!

Droga u zhduk!

Vrasjet nuk do ketë më, në vendin tonë të bekuar nga kjo qeverisje, sepse vrasësi serial, apo Nona, dhe organizatori djallëzor i të gjitha vrasjeve në Republikën tonë, u zbulua, u dreqos dhe u prangos, mbas një pune shëmbullturore të organeve kompetente, zbuluese, ndëshkuese, arrestuese dhe demoralizuese…

Por, askush të mos harrojë, se organizatat kriminale, të cilat do të shkulen, një e nga një, (premtim solemn ky i Edi Ramës), e që nuk e duan të mirën e shqiptarëve, kanë rrënjë të thella dhe akoma capak përfaqsues, në mediat shqiptare.

Ata maskarenj, do përfitojnë edhe ca, nga mbrojtja e Evropës, por dihet, se ashtu si të gjithë armiqtë e Shqipërisë sonë Socialiste, herët a vonë, do ti kenë ditët e numëruara.

Organet kopetente, po punojnë për këtë qëllim!

“Dhe mbas Çilëve, do dëgjoni shpejt, edhe emra të tjerë, që do të bien në rrjetën e ndershme dhe të paanshme, të Drejtësisë së Reformuar Shqiptare”, është dëgjuar të thuhet në dhomat e pushtetit suprem, të Partisë…

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH