Leteratura

Zgjohu Hans!

               Publikuar në : 09:08 - 15/04/19 V Liberale

Arlinda Dudaj    

Ide e bukur kjo e Aldës, për të zgjuar nga rreshtat e një libri e për ta sjellë në botën e sotme, një burrë-personazh-libri. Në fillim fillim i thashë ah po! bisedë me një shkrimtar, po plot ka, por në fakt është ndryshe, bëhet fjalë për një personazh libri. Edhe pse prirem të mendoj sa herë lexoj libra të mëdhenj, se janë gratë personazhet me karakter, me vullnet, dashuri, përkushtim, bukuri e forcë të pashtershme, po bie dakord të zgjoj nga gjumi njërin.  Ai është Hans Schnier, personazhi kryesor i librit “Me syrin e një klouni” nga Heinrich Böll. Një personazh i jashtëzakonshëm, një shpirt i lirë, i bukur, i vuajtur, pa fre dhe nga ana tjetër shfaqës i një autoironie të paimagjinueshme, nga ato që të depërtojnë mu në thelb të zemrës dhe të bëjnë të mos i harrosh kurrë.

Kështu është Hans Schnier-i, me profesion kloun, një kloun që ka për detyrë të bëjë për të qeshur, teksa vetë mund t’i vijë për të qarë. Të qajë për dashurinë e humbur, të ulërijë kundër hipokrizisë së shoqërisë, e cila deri shumë pak kohë më parë ka përkrahur dhe bashkëpunuar me nazistët, e para tij flasin dokrra e japin leksione për tolerancë. Hans Schnier-i është artisti rebel, zëri i bukur i së vërtetës, por po ashtu edhe dëshmia e trishtë e realitetit. S’kam hasur më parë në një libër monologje kaq të bukura e zemërshkallmuese sa këto të Hansit, teksa flet për dashurinë e humbur, Marien, dhimbjen e madhe fizike që i shkakton ajo humbje, pa fshehur asgjë, pa bërë burrin po thjesht njeriun. Ngjarjet ndodhin në Gjermaninë e viteve 60, një periudhë tepër e brishtë dhe për t’u lexuar në shumë dimensione.

Njerëzit dëshirojnë shkëputjen e menjëhershme nga lufta, pa marrë përgjegjësi dhe duke kaluar menjëherë nga ana tjetër, për të mos u përballur me fajin e së shkuarës, madje dhe duke predikuar diçka krejt të kundërt me mynxyrën që ka ndodhur jo shumë kohë më parë. Për të ulëritur për këtë do të doja shumë ta zgjoja Hans Schnier-in, të ulërinte edhe në kohën e shoqërinë tonë që e ka humbur krejt fillin e së shkuarës e për pasojë edhe të tashmes. Hansin, këtë artist rebel e shoh edhe këtu, në fytyrat e shumë njerëzve të ditur, të urtë të heshtur, që po ashtu si dhe ai, nuk kanë fuqi të bërtasin, por thjesht sajojnë një buzëqeshje të madhe klouni. Do të doja ta kisha para, t’i flisja, t’ia zbusja sadopak trishtimin, angështinë, dhimbjen e skëterrshme, e mbase t’ia ndryshoja mendjen mbi vendimin final për t’u kredhur në humnerën pa kthim. Zgjohu Hans!!! /Gazeta Liberale

(Visited 5 times, 1 visits today)

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *