Aktualitet

“Zgjimi” pas koronës

Shkruar nga Liberale
“Zgjimi” pas koronës

Prof. Asoc. Dr. Arlinda Ymeraj

Përgjegjëse e Departamentit të Menaxhimit dhe Marketingut UET

Thuajse 3 dekada më parë, i madhi Garcia Markez, erdhi tek ne nëpërmjet shqipërimit po aq të madhërishëm të znj. Meksi, të “Dashurisë në kohën e kolerës” duke tejçuar, bashkë me ndjenjat dhe imagjinatën  përtej kohës dhe hapësirës, bindjen se në këtë botë të molepsur nga njerëzit, me gjithfarë meskinitetesh, vetëm dashuria ka vlerë sepse ka fuqi të krijojë dhe rikrijojë, duke I besuar arsyes njerëzore se më së fundmi, njerëzit e kuptuan dhe vlerësuan, jetën.

Medet sa pak e njohim “njeriun”!

Prej mëse 6 muajsh, bota mbarë, nën kthetrat e një mikroorganizmi të padukshëm, vrastar, ka ndaluar, ka ndaluar në kuptimin e mirfilltë të fjalës, edhe pse vazhdon të rrotullohet rreth boshtit të saj, si edhe diellit. Në të vërtetë ka ndaluar, sepse shumë ligje, norma e rregulla, deri dje të plotfuqishme, sot nuk shërbejnë më, derisa nuk mund të na tregojnë se çfarë do të ndodhë nesër. Natyrshëm, kushdo, ndalon vrapin, merr frymë thellë, e lëçit ngadalë mendimet nëpër çdo skutë të trurit, për të gjetur pikën e re të mbështetjes, të ekuilibrit të ri.

Shumëkush tha: asgjë nuk do të jetë më si më parë! Edhe unë jam plotësisht e bindur, që asgjë nuk duhet të jetë më si më parë.

Edhe pse të mbyllur në shtëpi, në rrethana dramatike deri tragjike për jetët njerëzore të humbura apo të sakatuara, në heshtje, mbase pa u ndërgjegjësuar për egërsinë e armikut të padukshëm, mundësitë e thjeshta të gëzimit të jetës,  ishin aty: zgjim i qetë, herë herë I zgjatur në përqafim, mirëmëngjes I buzëqeshur dhe I falenderuar, për natën që kaloi dhe ditën e re që agoi. Shumëkush vazhdoi të ëndërronte pa vrarëmendje, ndërsa më të papërtuarit, optimistët dhe racionalët e përdorën kohën, tashmë me tepri, për të bërë gjithshka që nuk kishin mundur të bënin, nën stresin e të përditshmes, të nevojës imediate, deri në çmenduri, të ditëve, orëve dhe minutave të tejmbushura me rendje nga një detyrë tek tjetra, nga një takim/mbledhje tek tjetra, jo pak herë duke ngatërruar tematikat, e nganjëherë edhe pa kuptuar arsyen se pse ishin përfshirë aty, ndërsa dëshironin shumë të ishin diku tjetër e të merreshin me  çështje më frytdhënëse.

Përnjimend ndaloi bota? Vërtet njerëzit ndaluan? Vërtet morën frymë thellë dhe pyetën vehten se për çfarë iu kishte shërbyer grykësia, egoizmi, pakënaqësia e tejskashme, pangopja deri edhe milionat e grumbulluara derisa ishin të pafuqishëm t’i tregonin “udhën” mikroorganizmit të padukshën, vrastar? Vërtet njerëzit e kuptuan se sa afër mund të jetë fundi I jetës? E u ndërgjegjësuan se fuqia e tyre nuk është e pakufizuar?

Shpresova, besova, ëndërrova se njerëzit më së fundmi kishin kuptuar diçka, edhe pse historia shumëshekullore ka treguar se kujtesa njerëzore është tepër e shkurtër.

Në ditët e izolimit të gjithë shqiptarët më dukeshin më të mirë, më të hapur e të sinqertë, bashkëpunues dhe bashkëkuptues sepse na bashkonte I njëjti kërcënim, përpara të cilit ishim të gjithë të barabartë. Por, për aq sa frika filloi të zbehej pak nga pak, mendimet dhe veprimet e mbrapshta filluan të fitojnë terrenin, përkohësisht të humbur.

Si mund të jemi komb kaq i papërgjegjshëm? Vallë ka ende të drejtë Eqerem Bej Vlora, edhe pas një gjysëm shekulli nga botimi i “Shqipëria më 1928” se “shqiptarët nuk janë as qytetarë të mirë, as punëtorë të mirë. Shumë shumë janë sundimtarë të mirë, ndërsa për vendin - shkatërrimtarë”?

Të mësuar gjithmonë për të fajësuar të tjerët, gjykoj që kjo nuk mund të vazhdojë më kështu. Për 500 vjet fajin  e kishte Turqia, për 45 vjet fajin e kishte komunizmi, po ne vetë asnjëherë nuk ndjehemi fajtorë? A është e mundur që askush nuk sheh brenda vehtes dhe pyet nëse veprimi I saj apo I tij ka pasoja mbi të tjerët? A sheh kush në këtë vend më larg se hunda e tij? Përpara se të kërkojmë llogari për të drejtat, a kujtohet kush për përgjegjësitë, veçanërisht politikanët, qeveritarët, media dhe shoqëria civile?

E kam të vështirë të mendoj të kundërtën sepse çdo ditë përballem me mungesën e përgjegjshmërisë: që nga ecjet në rrugë në tufa, pa maska, pa respektuar asnjë distancë, pa pyetur fare nëse të tjerë rreth e qark mund të rrezikohen, për të vazhduar tek të ashtuquajturat “debate”, “analiza”, “opinione”, që vetëm të tilla nuk janë derisa kushqoqoftë ka të drejtën të japë mendim e të kritikojë, me përjashtim të atyre të vetmëve, të drejtat e të cilëve janë cënuar apo mohuar, deri tek “loja e neveritshme-e ka kush e ka – e politikës shqiptare”. Këtu, çdo fjali, lehtësisht, si rastësisht mund të shndërrohet në konflikt, çdo ngjarje mund të shërbejë për një telenovelë të re, perdja e të cilës nuk ulet, nëse nuk hyjnë në skenë ndërkombëtarët.

Kombet dallohen nga ndërgjegjshmëria dhe përgjegjshmëria që ndërmarrin përballë historisë, edhe nëse fati nuk është me ta, edhe nëse ndjekin një rrugë të gabuar, përsëri dinë të thonë më fal e mbi gabimet e së kaluarës të ndërtojnë të ardhmen.

Po ne kur do të shohim gabimet tona? Humbëm shansin në 1990 që të kthenim kokën pas e të analizonim çfarë kishte ndodhur. E humbëm përsëri në 1997, e po vazhdojmë të paguajmë për sytë dhe veshët tanë të mbyllur, me kokën në rërë si struci.

Lufta për jetën në kohën e koronës duhej të shihej si një mundësi, që iu dha njerëzimit për të reflektuar. Neve bashkë me të tjerët, mbase më shumë se të tjerët sepse arritëm të tregojmë që dimë të veprojmë në situata kritike, pra ende meritojmë besim, fatkeqësisht ëndërra e bukur nuk zgjati shumë. Përsëri jemi në faqet e para të lajmeve aspak të krenueshme.

“Zgjimi” pas “Koronës” ashtu si “Dashuria në kohën e kolerës” duhej të ishte ndryshe, I buzëqeshur, mirënjohës, falenderues për dritën dhe ditën e re, pas territ të natës.

Por, përtej falenderimit, “Zgjimi” duhej të mbruhej nga idetë dhe projektet e reja, sepse “Koha e koronës” na mësoi disa të vërteta, na detyroi të njohim disa vlera të reja, të cilat duhet të përbëjnë thelbin e aksiomës “Nesër asgjë nuk do të jetë më si më parë” sepse njerëzit janë të aftë të dashurojnë, të krijojnë, ndërtojnë, për vehten dhe familjen e tyre si edhe për shoqërinë.

Ky besim, ka udhëhequr njerëzimin në ditët më të errëta. Sot, në erën e teknologjisë, zhvillimit dhe intelektualizmit, ky besim I ridimensionuar duhet të na udhëheqë ne, që dëshirojmë zgjimin, të përpiqemi, në emër të jetës, për të krijuar botën e re të ëndërruar, në të cilën duhet të ketë vend për të gjithë, sepse nga të gjitha të vërtetat, njëra është më e sigurta: përpara të drejtës së jetës jemi të gjithë të barabartë. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH