Kryesore

Zgjidhja sipas Metës

               Publikuar në : 10:59 - 23/05/20 liberale

Presidenti Meta zbulon 14 pikat e platformës, duke kërkuar Këshill Politik edhe për Reformën në Drejtësi. Kryeministri Rama pranon të ulet në tryezë të gjerë, bashkë me faktorin ndërkombëtar, për ta diskutuar, kryedemokrati Basha shpall vendosmërinë për miratimin e Reformës Zgjedhore. Ambasadorja amerikane, lëshon sërish mesazh të qartë për të gjithë aktorët e politikës shqiptare. Dy reformat të bëhen sa më shpejt, pa bërë pazare!

Suadela Balliu

Teatër me teatrin, jashtë Teatrit që nuk është më dhe që opozita ka premtuar ta ringrejë ku ishte e siç ishte, ndërsa maxhoranca që e shembi u zotua ta ndërtojë nga e para sipas projektit origjinal, veçse larg vendit ku qëndroi për tetëdhjetë vite.

Por teatri ishte vetëm introdukta e një skenari dinamik, që ka nisur të zbulohet me copëza ditët e fundit.

“Mjaft më me lojëra”, ishte mesazhi i fundit i ambasadores amerikane, e cila të enjten dha alarmin për një marrëveshje të fshehtë me shënjestër vrasjen e Reformës në Drejtësi.

Pas takimeve me kryeministrin dhe vizitës në Presidencë, Kim u shpreh dje se është koha që Reforma Zgjedhore dhe ajo në Drejtësi të realizohen, siç drejtuesit u kanë premtuar shqiptarëve.

“Mesazhi është shumë i qartë. SHBA do të njëjtën gjë që populli shqiptar do. Duam që Shqipëria të jetë një aleate e fortë dhe e aftë e  ShBA-së  dhe duam që të jeni pjesë e familjes Europiane. Nuk mund ta keni atë pa një reformë Zgjedhore dhe pa një reformë në Drejtësi. Këto të dyja nuk janë për të bërë pazar”, u shpreh ajo,  duke iu qëndruar zërave për të cilat foli një ditë më herët, rreth një marrëveshjeje që vriste Reformën në Drejtësi, e cila siç pranoi ajo është e ngadaltë, e dhimbshme e jo perfektë, megjithatë e domosdoshme për vendin.

Ashtu siç kishin bërë edhe të enjten, palët nxituan t’i kthenin përgjigje ambasadores së Shteteve të Bashkuara, duke mohuar zërat për një marrëveshje të tillë.

Ndërsa dy ditë më parë u fol për një platformë prej 14 pikash që presidenti Meta e kishte ndarë si me ambasadorët e vendeve të BE-së, ashtu edhe me liderët e opozitës të enjten, ai vetë zgjodhi t’i bënte publike ato, duke theksuar se datonin prej 8 prillit dhe kishin fokus dialogun mes palëve për integrimin europian.

Në një prej pikave të platformës së propozuar nga Meta, kërkohet që çdo ndryshim ligjor ose kushtetues që lidhet me reforma gjyqësore duhet të bëhet vetëm përmes konsensusit unanim të Këshillit Politik.

“Jo vetëm atë të Reformës Zgjedhore”, sqaroi presidenti dje, duke pohuar dyshimet e ngritura një ditë më parë për një Këshill Politik tek Reforma në Drejtësi, e ngecur në ngërçin e krijuar me Gjykatën Kushtetuese mes presidentit dhe parlamentit.

“Thelbi është gjithëpërfshirja, në të gjithë çështjet që kërkon BE duhet përfshirë opozita reale, prandaj janë vënë këto kushte”, do të thoshte kreu i shtetit dje në konferencë për mediat, duke i dhënë të drejtë ambasadores amerikane se vërtet po luheshin lojëra me Drejtësinë dhe duke e mbështetur tek 15 kushtet e vendosura nga BE për çeljen e negociatave,  të lidhura kryesisht me Reformën në Drejtësi dhe rezultate konkrete në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivele të larta.

“Aktorët politikë kanë luajtur me këto çështje. Presidenti nuk është aktor politik por kryetar i shtetit, nuk ka surprizuar askënd me veprimet e tij, as ndërkombëtarët se gjithçka ka qenë e mirëmenduar. Do i kërkoj BE-së hetim për situatën e Reformës në Drejtësi”, tha Meta, duke iu përgjigjur ambasadores Kim, e cila dje i bëri deklaratat e saj rrugës drejt Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ndërsa ishte planifikuar seanca për masën ndaj Luan Dacit, anëtarit që fshehu të shkuarën e shkarkimit të tij. Seanca për gjyqtarin e pezulluar, që hetohet nga SPAK u shty pasi Daci kishte paraqitur një raport mjekësor 15-ditor.

Të tjera pika të platformës së presidentit Meta mëtojnë t’u japin zgjidhje të gjitha përplasjeve që ka ai me maxhorancën, që përmblidhen në çështjen “Dvorani”, ndryshimet ligjore për betimin e gjyqtarëve apo  paketa “Antishpifje” për të cilën ai ka kërkuar opinionin e Venecias.

Zgjidhja e tyre do të sillte zgjidhjen e ngërçit në Kushtetuese, ndërsa presidenti kërkon të vijohet me emërimin, sipas radhës së caktuar në dispozitat kushtetuese dhe plotësimi me anëtarë i Gjykatës së Lartë. Këto, bashkë me Reformën Zgjedhore, janë edhe parakushtet që vendit i duhet të plotësojë para konferencës ndërqeveritare për anëtarësim me BE-në.

“Dvoranin e mbajnë ata që bëjnë lojëra, maskat kanë rënë tani. Nuk zbatojnë pikat e BE-së  se duan të mbajnë Dvoranin në Drejtësi. Pse nuk angazhohet Rama, se ka pushtuar shumë territore”,  deklaroi kreu i shtetit dje në konferencë për media, ndërsa më tej, duke folur rreth Këshillit Politik, i cili deri më tani është ai i pagëzuari me katër përfaqësues të të gjitha palëve për Reformën Zgjedhore, tha se ishin ide të bazuar mbi Kushtetutën por edhe mbi kushtet e BE-së.

“Nuk urdhëroj dhe as  bëj marrëveshje, jap disa ide bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë dhe mbi vendimet e BE-së, se si realizohen duhet të jetë edhe kontributi palëve”.

Kryeministri Rama, i cili një ditë më parë, i pa “djajtë” jashtë Ferrit dhe jashtë tij, si përgjigje për ambasadoren e ShBA-së, dje tha se presidenti nuk i kishte dorëzuar asnjë platformë e megjithatë ai ishte gati të ulej në çdo kohë, me të, opozitën jashtë dhe brenda parlamentit dhe bashkautorët e Reformës në Drejtësi.  .”..që t’i vëmë pikat mbi “i” të gjitha pikave të të gjitha palëve në shqip/anglisht, se teatri ra, iku e na la”, shkruante Rama, ndërsa zbuloi se koha që përkonte me miratimin e Planit të Veprimit për Negociatat në Këshillin Kombëtar të Integrimit,  ishte e duhura “që Presidenti, Opozita, Institucionet e Drejtësisë, Partnerët Ndërkombëtarë për Drejtësinë dhe Integrimin, të mblidhen urgjent në një tryezë me karta të hapura”. Rama nuk do t’i kursente ironitë me presidentin, i cili të enjten në një intervistë tha se i duheshin 20 burra për të qeverisur, duke shtruar mundësinë e shpërndarjes së parlamentit, por edhe me opozitën dhe “dezhurnet” e saj për të ruajtur Teatrin Kombëtar, ku Kryemadhi zbuloi dje se e kishin bërë me radhë me PD-në, por edhe me LVV-në e Tiranës, në netët para shembjes.  Rama do t’i përgjigjej sërish presidentit, duke ironizuar pasi ky e fundit e akuzoi se gënjente pasi platforma e 8 prillit i ishte dorëzuar në zyrë ambasadores Kim.

“Që unë s’gënjej IM e ka shkruar vetë, se unë nuk quhem Yuri Kim dhe s’di që ambasadorja e SHBA të mbulojë edhe shërbimin postar”, shkruante Rama, i cili ditëve të fundit është vizituar shpesh në zyrën e tij nga ambasadorja amerikane. “Po t’i kisha marrë ato pika do i kisha shkruar pse më duken si pika vaji e uthulle që duhen ndarë, se ndryshe thyhet ena e Kushtetutës Integrimit”,  përfundonte reagimi i Ramës.

Kreu i opozitës, Lulzim Basha e pranoi dje se ishte njohur me propozimet e presidentit Meta, duke i cilësuar ato të drejta.

“Jam njohur me propozimet e presidentit. I kam thënë se Rama ka 14 detyra, ndërsa opozita ka një detyrë. Pikat kanë të bëjnë me luftimin e krimit, që janë në krah të tij. Opozita do të ikë Rama, e keqja e madhe e Shqipërisë. Opozita po bën detyrën e saj për të plotësuar 15 kushtet e integrimit”, tha Basha në konferencë për mediat dje, ndërsa akuzoi kryeministrin se përmes lojërave me Teatrin Kombëtar, synoi të sabotonte Reformën Zgjedhore. Akuza të mbështetura edhe nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Pas shembjes së godinës së Teatrit ishte vetë Basha që deklaronte pas protestave me tone të ashpra, se në atë situatë nuk do të kishte Reformë Zgjedhore dhe përfaqësuesit e PD dhe LSI nuk morën pjesë në mbledhjet e Këshillit Politik. Vetë Bylykbashi e pranoi se shembja e Teatrit e kishte goditur tryezën.

Po dje Basha, i cili ditëve të fundit priti në zyrën e tij të gjithë ambasadorët e vendeve të BE-së ku fokusi qe tek Reforma Zgjedhore, deklaroi dje se Opozita e Bashkuar nuk e kishte braktisur tryezën, megjithë mungesën e saj në mbledhje.

“Nuk do kthehemi në tryezë, nuk e kemi braktisur asnjëherë. Është një lojë mafioze e Edi Ramës. Maska e Edi Ramës ka rënë bashkë me Teatrin. Teatri do ngrihet ashtu siç ishte. Ka rënë maska e tij”, u zotua sërish Basha për ndërtimin e  godinës së shembur më 17 maj, ndërsa nga Kuvendi të enjten kryeministri ironizoi duke e etiketuar Bashën si aktor të lindur, i huazuar politikës, ndërsa presidentin komedian dhe ish-kryeministrin Berisha dramaturg, ndërsa Kryemadhin e quajti Zonja Makbeth.

Basha hodhi poshtë edhe pretendimet e opozitës së re mbi propozimin e ShBA-së për një sistem zgjedhor të modelit danez.

“Nuk ka propozim për sistemin danez. Ka vullnet nga unë për t’ju thënë shqiptarëve sistemin më të mirë zgjedhor. Kemi propozimin edhe për parlament me dy dhoma, që pushteti të mos jetë vetëm tek Edi Rama. Detyra e parë është që të shporrim me vota Edi Ramën, këtë njeri që do të marrë peng Shqipërinë”, do të shprehej kryedemokrati, ndërsa propozimet e tij mbi parlament me dy dhoma dhe sistem të ri zgjedhor, nuk janë reflektuar deri më tani në tryezën e Reformës zgjedhore nga përfaqësuesit e Opozitës së Bashkuar.

Vendimin e zotit Basha për pjesëmarrje në tryezën zgjedhore e kanë përshëndetur  menjëherë ambasadorja e ShBA-së dhe ai i BE-së.

“Ne mirëpresim vendimin e Kryetarit të PD Lulzim Basha për të përfunduar Reformën Zgjedhore. Ne mezi presim liderë të tjerë që tregojnë udhëheqje të ngjashme”, shkruante ambasadorja Kim, ndërsa Soreca e quan se rifillimi i punës ndërpartiake për Reformën Zgjedhore i shërben interesit më të lartë dhe “kontribuon në përfundimin e kësaj reforme të rëndësishme pa vonesë të mëtejshme, në mënyrë që të përmbushë kushtin e vendosur marsin e kaluar nga Këshilli Europian”.

Deklarata e Bashës është përshëndetur edhe nga kryeministri Rama. “Më mirë vonë se kurrë dhe inshallah këtë herë deri në mbylljen e këtij procesi të stërzgjatur, sepse koha nuk pret dhe me vullnet të mirë mund të arrihet shpejt në konsensus”, shkruante kreu i qeverisë në Tëitter.

Me shembjen e Teatrit Kombëtar dhe dinamikën e pasur të ngjarjeve, që nisën me protesta nga opozita për të deklaruar dje se nuk e kanë braktisur Reformën Zgjedhore, si një nga kushtet dhe i vetmi për opozitën, në ato për çeljen e negociatave dhe me presidentin që bëri publike platformën e tij për integrimin europian, situata politike është pranë zhvillimeve të reja. Siç do të thoshte vetë kreu i shtetit, tanimë maskat ranë, por për t’u vënë në jetë pikat e propozuara prej tij kërkohet që palët të ulen në tryezë për të rënë dakord. Rama nuk e ka përjashtuar idenë e një tryeze të gjerë me të gjithë aktorët, përfshirë edhe ata ndërkombëtarë, siç thotë ai me karta të hapura, edhe pse pak ditë më parë hodhi poshtë çdo ide për ndryshim të Reformës në Drejtësi. Aktualisht, e vetmja tryezë mes palëve është ajo e Reformës Zgjedhore, në të cilën kreu i shtetit i inkurajoi dje liderët e opozitës të riktheheshin për të dhënë kontributin e tyre. Zgjerimi i Këshillit Politik edhe në çështjet e Reformës në Drejtësi, ndërsa ambasadorja shprehu shqetësimin për minimin e saj nga palët, do të sillte edhe një ndryshim rrënjësor të kryeministrit Rama, i cili deri dje ishte i prerë se me Reformën në Drejtësi nuk negociohej dhe se dora e shtrirë e maxhorancës që vetëm për Zgjedhoren, por edhe këtu për sa kohë adresoheshin rekomandimet e OSBE/ODIHR. Të ketë qenë shembja e Teatrit, që solli reflektim për ulje në një tryezë që do të sillte zgjidhjen e krizës politike,  një vit para zgjedhjeve parlamentare?!

Basha: Opozita e vendosur t’u ofrojë shqiptarëve rrugëdaljen nga kriza

Kreu i PD-së në një deklaratë tha se Opozita angazhohej plotësisht në përfundimin sa më shpejt  të Reformës Zgjedhore, që i hap rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe integrimit në BE.

Loja e Edi Ramës me shpresën se duke shkatërruar Teatrin Kombëtar do të shkatërronte dhe reformën zgjedhore dhe shanset për t’u dhënë shqiptarëve zgjedhje  të lira e të ndershme dhe të merrte peng  procesin e integrimit europian të vendit, tani, doli zbuluar. Të gjithë, shqiptarë e të huaj, e kanë parë këtë plan mafioz që ka për qëllim të pengojë reformën zgjedhore, të pengojë integrimin europian të vendit dhe të lejojë Edi Ramën të përdorë të njëjtat mekanizma që ka përdorur edhe më parë për të manipuluar e të mbajë Shqipërinë peng të krizave ciklike.

Ne jemi të vendosur të mos e lejojmë këtë. PD dhe opozita e bashkuar është e vendosur  t’u japë shqiptarëve një orë e më parë garancitë për t’iu drejtuar kutive të votimit dhe për t’u bashkuar në një votë plebishitare për të larguar këtë të keqe. Ky është fillimi i vendosjes së drejtësie popullore për shkatërrimin e teatrit, por edhe për shkatërrimin e ekonomisë, shkatërrimin e mijëra vendeve të punës, për shkatërrimin e Kushtetutës, të ligjit e të drejtësisë nga një kryeministër, i cili ka 7 vjet që vjedh, mashtron dhe sillet si një kriminel ordiner duke shkelur çdo ligj të vendit, duke shkelur Kushtetutën e vendit. Prandaj, bashkë me opozitën e bashkuar kemi vendosur t’ia mohojmë Edi Ramës këtë plan dinak dhe diabolik dhe t’u ofrojmë shqiptarëve rrugëdaljen nga kriza, duke u angazhuar plotësisht në përfundimin një orë e më parë të reformës zgjedhore, që do t’i hapë rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme, do t’i hapë rrugë procesit të negociatave dhe futjes së Shqipërisë në BE, që, të gjithë ata që kanë shkelur ligjin, janë përfshirë në afera korruptive, që janë në bashkëpunim të hapur me krimin, i tremben, sepse ky është një proces monitorimi, që ka filluar të nxjerrë zbuluar autorin e varfërimit, shpunësimit, krizës ekonomike dhe shkatërrimit të institucioneve demokratike, që është një dhe vetëm një, Edi Rama, i cili duhet të largohet një orë e më parë me votën e lirë dhe të bashkuar të shumicës dërrmuese të shqiptarëve.

Platforma  me 14 pika e Presidentit Ilir Meta

Në platformë Meta kërkon ngritjen e një Këshilli Politik në nivele të larta, për të adresuar çështjet që lidhen me drejtësinë dhe çështje të tjera të integrimit. Platforma është bërë gati para shembjes së Teatrit, ndërsa ditën e djeshme Presidenti e ka diskutuar gjerësisht me partitë opozitare dhe më pas edhe me Ambasadorët e vendeve të BE-së.

Platforma e plotë:

1- Maxhoranca dhe opozita (parlamentare dhe jo-parlamentare) duhet të përfundojnë me vendosmëri Reformën Zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe konkluzioneve të Këshillit Europian për Çështjet e Përgjithshme.

 

2- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të vazhdojë funksionimin, duke përfshirë ndryshimin e akteve nënligjore të tij, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias në draft-opinionin e 6 marsit. Për tre vendet e lira (2 nga Presidenti dhe 1 nga Parlamenti), KED duhet të paraqesë listat e kandidatëve për secilin institucion sipas sekuencës kushtetuese: Presidenti – Parlamenti – Presidenti

 

3- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të pajtohet me pjesëmarrjen e Avokatit të Popullit në të gjithë veprimtarinë e tij dhe diskutimet, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin.

 

4- Mandati i Kryetarit aktual të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi përfundon me emërimin e tre gjykatësve të Gjykatës së Lartë. Kryetari aktual i KED humbet menjëherë të gjitha të drejtat për të vazhduar ushtrimin e mandatit të tij, me vonesë të gjatë, si anëtar i Gjykatës së Lartë, dhe për pasojë si Kryetar i KED.

 

5- Këshilli i emërimeve në drejtësi vazhdon të funksionojë sipas ligjit, kryesohet nga Nënkryetari.

 

6- Parlamenti Shqiptar merret menjëherë me çdo boshllëk ligjor, në mënyrë që Presidenti dhe Parlamenti të plotësojnë vendet e mbetura bosh në KED brenda 1 viti kalendarik.

 

7- Parlamenti Shqiptar tërhiqet nga çdo iniciativë ligjore që ndryshon formatin dhe procedurën e betimit në detyrë të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarët e tjerë të lartë të sistemit gjyqësor.

 

8- Parlamenti Shqiptar tërhiqet nga “Paketa Anti-shpifje” dhe nga çdo nismë e ngjashme ligjore në të ardhmen.

 

9- Çdo ndryshim ligjor ose kushtetues që lidhet me reforma gjyqësore duhet të bëhet vetëm përmes konsensusit unanim të Këshillit Politik.

 

10- Në kuadrin e Këshillit Politik, partitë bien dakord brenda qershorit për të emëruar Shef-Negociator për anëtarësimin në BE, një ekspert të nivelit të lartë, integriteti, besueshmëria dhe profesionalizmi i të cilit është i pajtueshëm nga të gjitha palët.

 

11- Të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, dhe sa më shpejt të jetë e mundur.

 

12- Këshilli i Lartë Gjyqësor Këshilli i Lartë i Prokurorisë miraton menjëherë hartën e re gjyqësore për rishpërndarjen e burimeve njerëzore brenda sistemit të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatat e Shkallës së Parë, dhe vazhdohet me plotësimin e vendeve bosh të krijuara nga dorëheqjet ose vettingu.

 

13- Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të përcaktojë parësore mbingarkesën e Gjykatës Administrative të Apelit, dhe të propozojë masat e nevojshme që lejon një proces të rregullt brenda afatit kohor (1 muaj) në këtë Gjykatë.

 

14- Parlamenti Shqiptar duhet të shqyrtojë pa interes politik, kandidatët e propozuar nga Presidenti i Republikës për Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. /Gazeta Liberale

 

 

 

 

Tags: , , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back