Aktualitet

Zgjedhjet/ Xhaçka: Ndërkombëtarët folën, procesi ishte demokratik

Shkruar nga Liberale
Zgjedhjet/ Xhaçka: Ndërkombëtarët folën, procesi

Ministrja Olta Xhaçka e ftuar në emisionin "Kjo Javë” të Nisida Tufës në News24 ka deklaruar se mandati i tretë i PS do të jetë i thellimit të reformave të nisura dhe i zhvillimit të projekteve transformuese.

Xhaçka thotë se nuk duhet të kënaqet me veten dhe as me PS, teksa sa për zgjedhjet e 25 prillit ajo thotë se procesi ishte demokratik dhe ndërkombëtarët u shprehën një herë për të.

Ndër të tjera Xhaçka sqaron se ftesa për bashkëqeverisje për opozitën është për të ulur tensionet.

Nisida Tufa: Le të ndalemi te zgjedhjet e 25 prillit. Mosnjohja, ankimimet e opozitës. Ç’farë do të thotë një mandat i tretë për PS, mazhorancën?

Ministrja Olta Xhaçka: Do të thotë një mandat për të thelluar reformat e nisura, një mandat i zhvillimeve dhe projekteve transformuese për vendin, shumë i domosdoshëm për procesin e integrimit të vendit në BE por edhe zhvillimit të vendit, fuqizimit ekonomik të tij. Unë mendoj se zgjedhjet e 25 prillit, ashtu siç e ka thënë dhe raporti i OSBE/ODIHR, ishin zgjedhjet me të mirë organizuara të zhvilluara deri tani. Ne kemi një histori të gjatë, gjatë tranzicionit të kontestimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Nuk ështe çudi për ne që, ata që humbin zgjedhjet të thonë nuk i kemi humbur por besoj, siç kanë folur të gjithë partnerët ndërkombëtarë, siç kanë folur ata që kanë qenë mbikqyrës në këtë process, që të ishte një proces sa më demokratik edhe sa më i lirë dhe i ndershëm, por siç kanë folur edhe institucionet në vend që janë të çertifikuar për organizimin dhe mbikqyrjen e këtij procesi si para zgjedhje ashtu dhe post, siç po shohim në fakt edhe falë medias për të gjithë ato që kanë qënë pretendimet për të gjithë ato kuti që u rihapën për të parë nëse pretendimet ishin me baza apo të pa baza. Po shohim që kemi pasur një proces vërtet demokratik, një proces që i ka përfshirë të gjitha palët dhe një verdikt të popullit shqiptar se kush do të qeverisë vëndin dhe kush do jetë në opozitë.

Nisida Tufa: Kemi një verdikt por edhe një thirrje të Kryeministrit Rama për një bashkëpunim me opozitën. Në këndvështrimin tua, ky bashkëpunim i shërben shumë integrimit të vendit dhe cila është gjuha e ndërkombëtarëve për këtë çështje?

Ministrja Olta Xhaçka: Nuk dua të komentoj atë që thotë Kryeministri. Besoj që Kryeministri është shumë i qartë në atë që thotë. Do t’i shërbente zhvillimit të vendit. Do t’i shërbente një qetësie, një qetësie të domosdoshme por edhe një konstruktiviteti të politikës për të ecur të gjithë bashkë drej atyre që janë interesat tona kombëtare, shtetërore, ato qe janë prioritetet tona qoftë në aspektin e integrimit të vendit, qoftë në aspetin ekonomik të vendit dhe kështu me radhë. E shikoj një shtrirje të dorës për bashkëpunim edhe si një mundësi realisht për të ulur pak tensionin në politikën tonë. Për fat të keq, gjatë të gjithë këtyre viteve, i gjithe establishmenti politik ka qenë goxha i tensionuar edhe antagonist jo gjithmonë mbi bazë argumentash por më së shumti, nuk po di t’i vendos emrin, një lloj antagonizmi të tepruar, të egzagjeruar dhe asnjeherë konstruktiv. Besoj që pas 30 vitesh ka ardhur koha që edhe ne të sillemi me njëri tjetrin si kundërshtarë dhe armiq dhe të punojmë bashkarisht për ato që janë interesat madhore të vendit dhe për t’u ndarë atje ku ndahen alternativat politike dhe filozofitë të zhvillimt të gjithësecilit por gjithmonë mbi bazën e argumenteve dhe një debati konstruktiv dhe jo si antagonistë, destruktivë dhe jo si armiq por si kundërshtarë ideologjikë dhe politikë.

Nisida Tufa: Megjithatë edhe PS ka një analizë të vetën për zgjedhjet. Ç’farë duhet të përmirsojë apo riparojë PS? Një mandat i tretë është shumë për një mazhorancë qeverisjeje, është e pa precedentë.

Ministrja Olta Xhaçka: Duket sikur gjërat po shkojnë mirë dhe nuk ka vend për ndryshim, patjetër ka vend për përmirësim jo për ndryshim sepse duket sikur një mandat i tretë me një verdikt aq të qartë siç na u dha ne, duket sikur gjërat janë mirë por në fakt, edhe nëse gjërat janë mirë për PS, ne nuk mund sic dhe Kryeministri dhe Kryetari i PS e ka thënë shpesh, unë nuk kënaqem kollaj me veten edhe ne nuk duhet të kënaqemi me PS e cila në fakt ka qenë fituese nga beteja në betejë. Ajo që në kemi treguar gjithmonë është se ne jemi një forcë politike e cila ndërthur më së miri përvojën dhe eksperiencën e veprimtarëve, aktivistëve të vjetër apo politikanëve të vjetër në PS, me energjinë e të rinjve dhe gjithë atyre që kanë çfarë sjellin për ta pasuruar, për ta shtuar në numër këtë shtëpi të madhe të socialistëve, të shqiptarëve. Kështu që në këtë pike, sipas çdo palë zgjedhjesh, do të vijojë një analizë se çfarë është bërë mirë dhe çfarë nuk është bërë mirë e pikave të forta dhe pikave të dobëta për të vazhduar për të përmirësuar këtë dinamikë ose këtë familje të madhe ku dera është e hapur për të gjithë, si për të kontribuar, si për ta përmirësuar, si për të sjellë ato risitë e domosdoshme për një forcë politike e cila evoluon sigurisht me kohën por edhe me ekzigjencat e shoqërisë ku jemi.

Nisida Tufa: Në shtator pritet të konfigurohet parlamenti i ri sikurse dhe kabineti i ri qeveritar. Ju vini nga eksperienca e Ministres së Mbrojtjes, në krye të dikasterit të Mbrojtjes, tani Ministre e Jashtme. Zonja Xhaçka, prisni të rizgjidheni si Ministre? Cilat janë pritshmëritë tuaja?

Ministrja Olta Xhaçka: Kabineti i ri mbetet në diskrecionin e Kryeministrit i cili është i mandatuar dhe përgjegjës për të formuar qeverinë e re. Këtë pyetje do të duhet t’ia bëni atij. Unë di vetëm..

Nisida Tufa: Cilat janë pritshmëritë tuaja?

Ministrja Olta Xhaçka: Patjetër. Unë di t’ju them se kam mirëpritur dhe kam vlerësuar maksimalisht me shumë përgjegjshmëri çdo detyrë që më është besuar që realisht kam pasur privilegjin të shërbej dhe do të vazhdoj të shërbej me të njëjtin pasion dhe përkushtim dhe do të vazhdoj të shërbej në çfarëdo lloj detyre që të më besohet, nëse do të më besohet në kabinetin e ri.

Nisida Tufa: Si do të ishte eskperienca, si do ta cilësonit si Ministre e Mbrojtes, flasim në një kohë që Shqipëria u trondit nga tërmeti, pati pasoja të rënda. Si ishte ajo punë për ju? Si ishin ato ditë për ju dhe si gjendeni tani me këtë eksperiencë disa mujore në Ministrinë e Jashtme?

Ministrja Olta Xhaçka: Në fakt, si gjithë shqiptarët, si Ministrja që kishte përgjegjësi emrgjencat civile, i kam përjetuar me shumë emocion ato momente të vështira për të gjithë. Që nuk vinin si pasojë e çfarë bënim ne, por vinin si pasojë e fatkeqësive natyrore. Por ajo që bëmë ne më pas ishte absolutisht e domosdoshme për të lehtësuar sadopak dhimbjen apo vështirësitë që pasuan. Në këtë pikë kam ndjerë krenari të jashtëzakonshme për burrat edhe gratë me uniformë. Për përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm, për seriozitetin e tyre, për përgjegjshmërinë që tregonin në krye të detyrave aq të vështira dhe aq të paprecedenta, për punën e tyre apo të gjithëve ne, sepse nuk besoj, ose unë nuk mbaj mend pëgjatë jetës time, të kemi kaluar në mënyrë aq intensive dy tërmete, aq shumë përmbytje, një pandemi të paprecedentë. Kështu që në këtë pike, jam ndjerë vërtetë shumë krenare që kam qenë në krye të atij dikasteri me ata njerëz aq të përkushtuar dhe aq profesionistë dhe kemi menaxhuar me të gjitha mundësitë, madje dhe përtej mundësive që kemi pasur atë situatë shumë të vështirë. Sikurse jam shumë krenare për të gjitha arritjet e dikasterit të mbrojtes, për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur me aleatët tanë strategjikë dhe mbështetjen e vazhdueshme që kemi pasur prej tyre, që në fakt është përkthyer dhe në një bazë të NATO-s në Shqipëri, në mbështetje të jashtëzakonshme për Forcat e Armatosura. Së fundmi edhe me një stërvitjen “Defender 21” me mbi 3 mijë trupa amerikanë në Shqipëri që patjetër është një konfirmim i kësaj marrëdhënieje strategjike dhe njëkohësisht edhe i faktit që Shqipëria realisht është bërë një faktor stabiliteti në rajon dhe një partner gjithnjë e më i besueshëm nga aleatët tanë strategjikë. Kështu që e kam përjetuar me shumë emocion atë detyrë dhe këto arritje. Sikundër e përjetoj me shumë emocion këtë përgjegjësi që kam sot dhe këto zhvillime kaq të rëndësishme që kanë të bëjnë me integrimin e vendit dhe me marrjen për herë të parë e të bërit për herë të parë anëtar i Këshillit të Sigurimit që do të jetë pa diskutim një zhvillim shumë i rëndësishëm që do t’i sjellë shumë benefite Shqipërisë, rolit të saj, diplomacisë së saj, politikës së jashtme.

Nisida Tufa: Le të mbetemi pak momente te ju personalisht. Referuar zgjedhjeve të 25 prillit. Këto zgjedhje treguan edhe një përballje të vetë kandidatëve për deputetë me votat preferenciale. Vota nga të cilat ju nuk dolët keq zonja Xhaçka me mbi 4 mijë vota për Ersekën, pra e para. Sa e vlerësuar u ndjetë dhe me ç’bilanc të vetëvetes dolët ju nga këto zgjedhje?

Ministrja Olta Xhaçka: Unë jam ndjerë shumë e vlerësuar jo për votën personale për hir të së vërtetës, po për votën e PS në Kolonjë. Vlen të thuhet që Kolonja është një bashki e cila ka një shtrirje gjeografike jashtëzakonisht të madhe. Kam përshtypjen që është njësia e dytë administrative me shtrirjen gjeografike më të madhe por një popullsi shumë të vogël. Votat, ose kampioni i kutive nga ku unë do të merrja vota personale ishte shumë i vogël. Gara nuk ishte me vota personale. Gara patjetër është në raport me kundërshtarët politkë dhe me aktorët e tjerë në zgjedhje. Kështu që në këtë pikë Kolonja na ka besuar një rezultat fantastik. Më të mirin e marrë ndonjëherë, me disa pikë përqindje më shumë se 2017. Shumë herë më lartë se sa kundërshtarët tanë. Kështu që në këtë pikë ndihem shumë herë e nderuar që pata mundësi të përfaqësoj atë krahinë dhe të marr atë rezultat.

Nisida Tufa: Mirë dhe një prestigj për vetveten, nuk është keq apo jo?

Ministrja Olta Xhaçka: Pa diskutim, por është më shumë i reflektuar në votën për PS të cilën unë e përfaqësoja se sa në votat personale, duke patur parasysh që Kolonja nuk ka më shumë se 4 mijë vota socialiste ndërkohë që gjithë qarku i Korçës merr mbi 60 mijë vota socialiste. Kështu që raporti i mundësisë për të marrë vota personale në këtë kampion të vogël ishte i vogël, po nuk është ai domethënës.

Nisida Tufa: E kuptoj. Edhe një pyetje lidhur me Presidentin e Republikes. Në datën 9 qershor Kuvendi do të vendosë nëse do të shkarkohet Presidenti i Republikës apo jo. Hera e dytë që u ngrit një Komision për shkarkimin e zotit Meta. Do të arrihet të shkarkohet këtë herë zonja Xhaçka?

Ministrja Olta Xhaçka: Presim të shohim votën e Kuvendit në datën 9. Di t’u them që ky është një proces i cili përgjatë të gjithë hallkave të tij ka pasur mbështetjen e Kuvendit. Sigurisht, me një mazhorancë të cilësuar. Mbetet të shohim çfarë do të ndodhë në datën 9.

Nisida Tufa: A është e vështirë të bashkëpunohet me një President që ju po e shkarkoni nga detyra?

Ministrja Olta Xhaçka: Unë di t’u them që Kushtetuta na dikton që insitucionalisht, të gjitha institucionet duhet të bashkëpunojnë me Presidentin si institucion, duhet ta bëjnë atë. Dhe sa na takon si Ministri e Jashtme bashkëpunimi institucional, është ligjërisht i garantuar, pavarësisht kush janë emrat, pavarësisht se kush janë partitë politike që drejtojnë ato institucione. Ndaj, besoj që çfarëdolloj ngarkese politike nuk duhet asesi ta cënojë një bashkëpunim institucional mes institucioneve dhe Presidentit.

Nisida Tufa: Faleminderit shumë zonja Xhaçka për këtë intervistë që zhvilluam.

Ministrja Olta Xhaçka: Faleminderit juve.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH