Globi

Zgjedhjet në Kosovë/ PDK cakton kandidatin për kryeministër

Shkruar nga Liberale
Zgjedhjet në Kosovë/ PDK cakton kandidatin për kryeministër

Enver Hoxhaj do të jetë kandidat për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet të cilat do të mbahen në fillimvitin e 2021-ës.

Kështu ka bërë të ditur Uran Ismaili sekretar i përgjithshëm i PDK-së. Ai ka thënë se Hoxhaj i cili tashmë është edhe ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së, do të jetë prijës i listës zgjedhore të kësaj partie.

Ai ka thënë se Enver Hoxhaj përpos karrierës së tij akademike, ka një përvojë të madhe institucionale e politike dhe që për një kohë të gjatë ka rrugëtuar me burrështetasit Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, duke realizuar aspiratat e qytetarëve për pavarësi e shtet-ndërtim.

“Nga dy Qeveritë, Hoti dhe Kurti, kemi parë dështime të njëpasnjëshme në relacion me pandeminë, ekonominë, si dhe në përballje me Serbinë, pasojat e të cilave i kemi vuajtur si shoqëri. Viti 2020, pa asnjë dyshim, ishte i rëndë për ekonominë tonë. Mijëra punëtorë mbetën pa punë, e mijëra ndërmarrës pa përkrahje. Ishte vit i rëndë për shëndetësinë dhe personelin shëndetësor. Ndonëse në vijën e parë të frontit në përballje me pandeminë, ata nuk patën përkrahje nga asnjëra Qeveri, duke i lënë të vetëm, si personelin shëndetësor, ashtu edhe pacientët, në këtë betejë të vështirë. Ishte vit i rëndë për arsimin, sportin, artin, të rinjtë, të moshuarit”, ka thënë ai.

Ismaili ka thënë se ky ishte vit degradues për agjendën shtetërore të Kosovës, dhe sipas tij Qeveritë Hoti e Kurti - çdo dështim të tyre ia faturuan pandemisë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH