Politike

Zgjedhjet janë të mira vetëm atje ku fiton opozita!

               Publikuar në : 14:23 - 08/05/21 liberale

Alfred Peza

Sa më shumë që largohemi nga 25 prilli, aq më i qartë bëhet raporti mes palës humbëse dhe stadardit të procesit zgjedhor. Për opozitën tonë, zgjedhjet janë të mira, vetën në ato zona e qarqe, ku ajo ka fituar. Zgjedhjet janë të këqija, kudo tjetër nëpër Shqipëri, ku ajo ka humbur. Sipas kësaj logjike, zgjedhjet do të ishin të shkëlqyera, vetëm nëse opozita do të ishte rikthyer në pushtet.

Sa më pastër, sa më qartë dhe sa më thellë që të fitonte opozita jonë, aq më të lira, aq më demokratike dhe me standardet më të larta ndërkombëtare do të ishin zgjedhjet, për lidershipin e opozitës dhe propogandën e saj. Çka do të thotë se për PD, LSI dhe aletatët e tyre më të vegjël, demokracia është me dy standarde të kundërta. Nëse fiton gjithçka ajo është e bardhë, e nëse ata humbasin gjithçka, ajo është e zezë.

E vërteta ndodhet brenda në kutitë e votimit. Sikundër edhe fitorja e njërës palë dhe humbja e palës tjetër. Këtë e artikuluan me radhë edhe Lulzim Basha, edhe Ilir Meta, edhe liderët e tjerë opozitarë. Nëse e besojnë vërtetë këtë që thonë, gjërat janë shumë më të thjeshta pas kësaj. Mjafton të marësh vendimin e KQZ për çertifikimin e rezultatit zyrtar të zgjedhjeve dhe ti referohesh për analizën e procesit vetëm atij, këtu përfundon debati për këtë çështje.

Në 5 199 qendrat e votimit të Shqipërinë, edhe komisionerët e PD, edhe ata të LSI, edhe ata të PS kanë firmosur të gjithë në procesverbalet pa patur asnjë pretendim, në lidhje me votat që ndodheshin brenda secilës prej kutive. Pasi përfundoi votimi, këto kuti u përcollën nëpër KZAZ-të përkatëse, ku filloi dhe përfundoi numërimi. Edhe përgjatë këtij procesi, asnjëri nga numuruesit dhe vëzhguesit e PD dhe LSI, nuk ka firmosur asnjë pretendim për parregullsi.

Kështu u bë çertifikimi i rezultatit në secilën prej kutive të votimit. Në fund ishte radha e KQZ për ta formalizuar procesin, përmes miratimit të tabelës finale, për të 12 qarqet e Shqipërisë. Përfundimi tashmë dihet: PS ka fituar 74 mandate, PD 59, LSI 4 dhe PSD 3 deputetë.

E pikërisht në këtë moment, kur humbësi duhet ta pranonte rezultatin dhe të uronte fituesin, filluan edhe pretendimet e opozitarëve tanë. Lulzim Basha e harroi shpejt buzëqeshjen e mbrëmjes së të dielës së votimit, pasi kishte hapur shampanjën dhe ngrënë tortën e fitores, e tani ka nisur të hedhi hije dyshimi mbi procesin. Ilir Meta e harroi notën 10 me yll që i dha ditës së zgjedhjeve dhe po i mban ison liderëve të opozitës, në pretendimet e tyre absurde.

Opozitarët tanë kanë filluar kësisoj, operacionin e ri propogandistik, për ta bërë me baltë procesin sipas parimit të vjetër: Shpif- shpif, se diçka do të mbetet! Por duhet ti mirëkuptojmë, sepse Lulzim Basha ka një hall të madh pas humbjes së katërt radhazi që ka pësuar PD, qëshkurse ai është zgjedhur në krye të saj. Ai sot është përpara dilemës; ose të largohet duke iu përgjigjur zërave kritikë gjithnjë e në rritje, për ti hapur rrugën procesit të zgjedhjes së një kryetari të ri, ose të përbalti zgjedhjet!

Kur vjen puna për kokën e tyre, interesi i liderëve vihet mbi ato të partisë dhe ato të parties, mbi ato të Shqipërisë. Ndaj për ta shmangur largimin e tij, Lulzim Basha dhe propaganda opozitare, është gati që të nxijë gjithçka.

I keni dëgjuar besoj, sesi filluan pas kësaj ta tregonin gjithnjë e më me zell përrallën e një megaoperacioni kirurgjikal, për blerjen e votës së shqiptarëve. Sipas tyre, vota fillimisht ishte blerë me 5 mijë lekë. Më pas çmimin ia çuan në 10 mijë lekë. E më tej akoma 1000 euro, derisa e përfunduan tek 35 milionë lekët për një votë. Pasi e kuptuan se këtu kishin kaluar çdo fantazi, u ndalën pak, por nuk u kthyen mbrapsht!

Për ta bërë të besueshme të gjithën këtë, nisën të bënin edhe listën e qarqeve, ku ata e akuzojnë PS se u paska vjedhur zgjedhjet. E çuditërisht, në të mungojnë vetëm qarqet, ku opozita ka fituar. Hajde mos e mbaj të qeshurën po deshe, kur përballesh me logjikën fëminore se zgjedhjet do ishin të mira, vetëm nëse opozita do rikthehej në pushtet!

Tags:


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back