Aktualitet

Zgjedhjet e “pazakonta” vendore për PD-në

Shkruar nga Liberale

Nga Rajmonda Basha

Partinë Demokratike e ka përfshirë një “gjullurdi” e pazakontë, ajo që cilësohet si: E drejta për të pasur vulën.

Në lojë janë dy palë që hera herës kanë tentuar për të bërë hapa drejt një bashkimi. Por, pa rezultat.

Grupi i Enkelejd Alibeajt dhe nga ana tjetër Grupi i Sali Berishës janë në pritje të një vendimi, atij të Gjykatës së Apelit.

E teksa PD-ja zien nga brenda, një drejtim duhet për demokratët.

Zgjedhjet vendore nuk janë shumë larg, vetëm pas tre muajsh. Ndërsa, fati i vulës, tashmë është në dorën e gjyqtares së re: Elona Mihali.

Lidhur me këtë çështje, pedagogu i Shkencave Politike, Ervis Iljazaj, thekson se pikëpyetja se “kujt i përket ligjërisht logoja është kthyer në një frustrim për militantët e PD-së, për opozitën dhe politikën shqiptare në tërësi”.

Në një prononcim për Albanian Post ai shprehet se është absurde se si Gjykata vazhdon dhe e zvarrit këtë çështje akoma edhe më shumë.

“Kjo çështje duhet të ishte një prioritet absolut, pasi kemi të bëjmë me partinë më të madhe të opozitës që ka përfaqësuar historikisht dhe vazhdon të përfaqësojë me qindra mijëra qytetarë shqiptarë. Në këtë kuptim, vendimi i gjykatës sa më i shpejt dhe më i drejtë, jo vetëm që do të ndihmonte në qartësinë politike dhe juridike të kësaj partie, por do të ndihmonte dhe demokracinë shqiptare në tërësi”.

Paqartësia ligjore, shpjegon Iljazaj bën që “Partia Socialiste të futet e avantazhuar në zgjedhjet lokale”.

“Kjo, dëmton garën politike e cila duhet të zhvillohet në kushte të barabarta. Me dashje ose pa dashje, gjykata duke zgjatur vendimin po avantazhon partinë në pushtet për zgjedhjet e ardhshme lokale. Kështu që vendimi i gjykatës nuk është një vendim i zakonshëm administrativ, por një vendim që luan një rol të rëndësishëm për politikën dhe demokracinë në Shqipëri”.

[caption id="attachment_1327200" align="alignnone" width="650"]Doktor shkencash në Shkenca Politike, Ervis Iljazaj Doktor shkencash në Shkenca Politike, Ervis Iljazaj[/caption]

Profesor Iljazaj, njëkohësisht dhe drejtor i Institutit Liberal Pashko, shtoi se zgjedhjet e ardhshme lokale, “teorikisht do të duhet të ishin një stacion i rëndësishëm për opozitën dhe për votuesit demokratë, pasi në të gjitha bashkitë që nga viti 2019, për shkak të bojkotit të zgjedhjeve, janë të papërfaqësuar”.

Kujtojmë se më 30 qershor të 2019-ës, opozita vendosi të mos marrë pjesë, kurse qeveria u tregua e vendosur për t’i mbajtur zgjedhjet pa opozitën.

Në një klimë ngërçi dhe polarizimi politik, votuesit nuk e patën mundësinë të zgjidhnin mes disa opsioneve politike. Në 31 nga 61 bashki gjithsej, kandidatët për kryetarë bashkie garuan pa kundërshtarë.

Ky fakt, në gjykimin e Iljazajt e “ka dëmtuar qeverisjen lokale”.

“Duke parë situatën në të cilën ndodhet opozita, kjo betejë duket e vështirë. Personalisht më është krijuar përshtypja se këto zgjedhje, më shumë se sa përballje me pushtetin përsëri do të shërbejnë, ashtu sikurse 6 marsi, për të “larë hesapet’’ brenda vetë Partisë Demokratike midis grupeve që janë krijuar brenda saj”.

Në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, PS-ja mori pesë bashki – Durrës, Lushnjë, Rrogozhinë, Vorë dhe Dibër, ndërsa Bashkia e Shkodrës u fitua nga kandidati i opozitës, Bardh Spahia.

Për Iljazajn, diskursi i opozitës para zgjedhjeve të 14 majit është bazuar të fakti se kush është “opozita e vërtetë’’ dhe kush janë të “shiturit’’ te pushteti.

Akuzat, herë pas here i ka shtrirë Berisha, duke e cilësuar Alibeajn si “ushtar” të kryeministrit Edi Rama.

“Partia Demokratike është në një betejë për të legjitimuar se cili grup do të drejtojë atë, dhe jo për të ardhur në pushtet. Pra, është dy nivele larg pushtetit”, thotë pedagogu.

Pikëpyetje që mbetet e pazgjidhur është dhe sjellja e palëve pas vendimit të Gjykatës.

Duke e parë në retrospektivë, më 10 janar Lulzim Basha, asokohe kryetar i PD-së, vendosi të përjashtojë nga Partia Sali Berishën.

Nga ky moment, Iljazaj thotë se “është krijuar një frakturë brenda votuesve të Partisë Demokratike dhe vështirë se mund të bashkohet më për shumë arsye”.

“Le ta quajmë mbështetësit e Berishës dhe anti-Berishistët. Pa hyrë në diskutimin se sa përqindje ka secili grupim, fakt është se kjo ndarje ekziston. Ka një elektorat, që pavarësisht përqindjes që nuk e voton dhe nuk e dëshiron Sali Berishën në krye të PD-së, është elektorat i cili pret që të përfaqësohet”.

Për këtë arsye, “ka ardhur koha që e djathta shqiptare duhet të jetë plurale”.

Ndërsa, për sa i përket grupimit të Alibeajt, nëse Gjykata i jep ligjërisht të drejtë Berishës, pedagogu thotë se “në shumë vende evropiane kur rryma të ndryshme nuk kanë mundur më të bashkëjetojnë brenda një partie kanë krijuar lëvizje të reja dhe më pas kanë arritur të bashkëpunojnë si forca të ndryshme politike”.

Por, megjithatë nuk është ky rasti. Grupimi i Alibeajt e ka një “problem”.

“Gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur një agjendë dhe aktivitet politik të strukturuar. Të gjitha kauzat e tyre politike janë paraqitur në mënyrë spontane dhe jo si një lëvizje e mirë-organizuar, ndryshe nga grupimi i Berishës i cili aktivitetin politik e ka të përditshëm”.

Dhe gjithë kjo çfarë në PD është parë dhe ka ndodhur, nuk është pa pasoja elektorale. Këtë e pohon dhe Iljazaj.

Sipas tij, “nëse PD do të ishte e bashkuar do të kishte  më shumë shanse për të korrur një sukses elektoral në zgjedhjet lokale”.

Pavarësisht këtij fakti, ekziston edhe forma tjetër. Ajo e bashkëpunimit.

“Edhe pse e ndarë varet nga forma e bashkëpunimit të ndryshme që mund të ketë midis grupimeve, nëse mund të ketë të tilla. Se çfarë mund të ndodhë  me rezultatin e zgjedhjeve lokale me një PD të ndarë, mund të shërbejë për ta kuptuar zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit të kaluar, ku fragmentizimi i votave të PD-së favorizoi pushtetit”.

Parë në tablonë e përgjithshme, zgjedhjet lokale janë ndryshe nga ato të përgjithshme. Kjo pasi, në “lojë” futen kandidatët.

“Zgjedhjet lokale kanë specifika dhe dinamika të ndryshme nga ato parlamentare të përgjithshme. Tipologjia e votës që merr një parti mund të varet shumë edhe nga karakteristikat e kandidatit. Mund të ketë realitete lokale ku emri i kandidatit gëzon respekt të gjerë, përtej mbështetësve të partisë së tij”, bën me dije drejtori i Institutit.

Ndaj, duke pasur parasysh dinamikën e kandidatëve, sipas pedagogut është i vështirë gjykimi i një elementi tjetër, atij të elektoratit gri.

“Është një natyrë vote e kundërt me atë të zgjedhjeve parlamentare. Deri tani me sa kam lexuar emrat e kandidatëve qe janë bërë publik nga të dyja grupimet le të themi, ka disa që në gjykimin tim mund ta synojnë elektoratin gri. Por sigurisht, edhe në këto zgjedhje lokale, çështjet e politikës qendrore do të ndikojnë në natyrën e fushatës, të garës dhe mjeteve që do të përdoren në zgjedhjet lokale të ardhshme”. /AlbanianPost

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH