Editorial

Zgjedhjet e ardhshme do të jenë amerikane apo shqiptare?

Shkruar nga Liberale
Zgjedhjet e ardhshme do të jenë amerikane apo shqiptare?

Ervis Iljazaj

Si asnjehërë më parë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë është angazhuar kaq shumë dhe me insistim në procesin zgjedhor në Shqipëri. Për turpin e politikës dhe shtetit shqiptar, palët politike pothuasje me forcë u detyruan të firmosnin marrëveshjen e reformës zgjedhore, e cila përgatit terrenin për zgjedhjet parlamentare të vitit që vjen. Edhe pas 30 vitesh, politika shqiptare nuk arrin dot të bëjë një reformë të thjeshë për rregullat  e lojës pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve.

Por, e reja kësaj here ishte pikërisht angazhimi i Ambasadores Yuri Kim në reformën zgjedhore, gjë e cila nuk ka ndodhur shpesh në Shqipëri. Ne jemi mësuar që më reformën zgjedhore të merret Bashkimi Europian apo OSBE, dhe jo Shtetet e Bashkuara. Kjo është një shenjë e qartë se në zgjedhjet e ardhshme ambasëdës në ‘’ Rrugën e Elbasanit’’  i intereson rregullsia e procesit dhe jo fituesi. Aq e vërtetë është kjo, sa që negociatat për reformën zgjedhore u bënë në ‘’ tokë’’ amerikane.

Nëse në zgjedhjet  e 2017-s Ambasada Amerikane qartësisht kishte të preferuar Partinë Socialiste, pasi ishte e vetmja forcë që mori përsipër zbatimin e Reformës në Drejtësi, në zgjedhjet e ardhshme janë fare të painteresuar për fituesin. Duke qenë se Reforma në Drejtësi, mirë apo keq ka marrë rrugën e saj, e vetmja gjë  i intreson tashmë ëshë procesi. Ndryshe nuk shpjegohet angazhimi i fortë i Zonjës Kim për përfundimin e Reformës Zgjedhore.

Me disa përjashtime të vogla, marrëveshja për Reformën Zgjedhore e dakortësuar deri tani në letër nga partitë politike nuk ka ndryshuar shumë gjëra në thelb për sa i përket procesit zgjedhor në Shqipëri dhe menaxhimit të tij. Është e qartë se, prej shumë vitësh vota në Shqipëri nuk blihet në kutitë e votimit, por një muaj përpara zgjedhjeve. Dhe këtë fenomen, nuk ka kod elektoral në botë ta parandalojë, përvecse ndërgjegjësimit qytetar dhe një drejtësie funksionale dhe efikase. Megjithatë, disa nga elementët e reformës, si përshembull identifikimi biometrik, janë disa garanci më shumë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Me sa duket, më shumë se sa garancitë që ka Reforma Zgjedhore, Lulzim Basha dhe opzita ka marrë garancitë e Ambasadores Kim për një impenjim të saj personal në vëshgimin e procesit zgjedhor. Nëse  këtë gjë nuk e ka arritur, atëherë, Reforma Zgjedhore pas një periudhe të gjatë radikale të opozitës nuk ka asnjë kuptim politik dhe strategjik.

Në këtë kuptim, marrëveshja për reformën zgjedhore, nuk është një marrëdhënie midis Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, ashtu sikurse shumë kritikë të Kryetarit të Opozitës e konsiderojnë. Por, një marrëdhënie e re e Bashës me ndërkombëtarët, kryesisht me Ambasadën Amerikanë në Tiranë. Jo më kot, edhe gjuha e përdorur nga Zonja Kim në drejtim të Lulzim Bashës, është një gjuhë kortezie dhe afrimiteti. Madje, ndonjëherë edhe e tepruar, sic ishte edhe shkurtimi i emrit nga Lulzmim në Luli.

Pas periudhës të tensionuar midis opozitës dhe ndërkombëtarëve, duket sikur kursi i opozitës ka ndryshuar, sepse ajo rrugë u faktua që nuk kishte kurrëfarë suksesi për të.

Përtej marrëdhënieve të Lulzim Bashës dhe opozitës me ndërkombëtarët, e rëndësishme për shqiptarët është zhvillimi i një procesi zgjedhor që garanton votën e lirë. Një votim tjetër i kontestuar dhe i manipuluar, do të ishtë shkatrimtar për të ardhmen e Shqipërisë.

Duket sikur kësaj herë ka një garant më shumë për këtë process, vëmendja e shtuar e Ambasadës Amerikane. Ky është një lajm i mirë për shoqërinë shqiptare, e cila edhe pas 30 viteve nuk arrin dot të garantojë votën e lirë, që është kushti bazë për një demokraci.

A do të kemi vërtetë zgjedhje ‘’amerikane’’, ashtu sikurse ka marrë përsipër Zonja Kim, apo zgjedhjet në Shqipëri do të mbeten “American Dream’’, kjo mbetet për t’u parë. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH