Editorial

Zgjedhjet dhe drejtësia, dy “reforma” që nuk janë të tilla

Shkruar nga Liberale
Zgjedhjet dhe drejtësia, dy “reforma” që nuk janë

Klementin Mile

Problemi me Reformën Zgjedhore nuk është mungesa e listave të hapura. As mungesa e votës së emigrantëve. As ndonjë mungesë tjetër specifike. Problemi me Reformën Zgjedhore është se ajo nuk është fare reformë.

Gazetarët dhe politikanët, vendas dhe të huaj, që e kanë quajtur “reformë” atë që u arrit nga marrëveshja e Këshillit Politik, nuk kanë për kriter të vërtetën kur gjykojnë. Ata operojnë ose me logjikën e pushtetit, ose me logjikën e lajmit.

E vërteta është ndryshe. Këshilli Politik, me shtysën dhe bekimin e ndërkombëtarëve, arriti një marrëveshje vetëm për marrjen e disa masave, që synojnë të ndreqin, të riparojnë keqfunksionimet e mekanizmit zgjedhor.

Riparimi është i ndryshëm nga reforma. Ndërsa të reformosh do të thotë ta ndryshosh gjënë difektoze, të prishur, jo efiçente, ose negative, të riparosh do të thotë të mos e ndryshosh gjënë, por vetëm ta kthesh në gjendje pune të mirë, ta ndreqësh, ta rregullosh.

Mekanizmi zgjedhor, në këtë mënyrë, vetëm u riparua, sikur të kishte patur nevojë vetëm për një servis të mirë; vetëm për t’i ndërruar “vajin dhe filtrat” për të dalë përsëri në rrugë.

Por pas kaq shumë kilometrash në terrene të ashpra, atje ku nuk mbërrin asfalti, “makina” e zgjedhjeve shqiptare kishte nevojë urgjente për “pjesë të reja”. Mekanizmi i zgjedhjeve, pra, kishte nevojë për ndryshim strukturor.

Problemi nuk është vetëm ky. Çështja është se zgjedhjet e ardhshme do të mbahen në kontekstin e një pseudoreforme tjetër, atë në Drejtësi. Sepse efektet e keqfunksionimeve të mekanizmit zgjedhor, pavarësisht masave të marra për ta riparuar mekanizmin, do të duhet t’i adresojë sistemi i drejtësisë.

Por as “Reforma në Drejtësi”, edhe kjo e shtyrë dhe përshëndetur nga ndërkombëtarët, nuk është reformë. Ajo është tipikisht një Revolucion në Drejtësi.

Reforma dhe revolucioni janë të dyja procese që lidhen me idenë e ndryshimit shoqëror, por dallojnë prej njëri-tjetrit nga mënyra se si i arrijnë qëllimet e tyre. Ndërsa reforma synon ndryshime të strukturave ekzistuese, pra një ndryshim gradual, revolucioni synon shembjen e këtyre strukturave dhe ngritjen, pas rrënimit radikal, të strukturave të një rendi tjetër.

Zgjedhjet dhe drejtësia, këto dy pseudoreforma, kanë peshë të jashtëzakonshme në të ardhmen e demokracisë shqiptare. Ato i referohen pushtetit legjislativ, që konstituon qeverinë, dhe pushtetit gjyqësor, që na jep garanci kundrejt saj.

Mungesa e reformave në këto dy pushtete rrezikon të mos sjellë asgjë pozitive për demokracinë e vendit tonë. Në fakt, qeveria e ardhshme shqiptare, ciladoqoftë ajo, do të vijë si rezultante e një bashkimi të zhurmshëm dhe aspak të natyrshëm të riparimit me revolucionin. Ajo do të jetë produkt i një “Frankenshtajni” të kozmetikës zgjedhore me radikalizmin në drejtësi.

Kaq premton logjika e sistemit. Shpresën, si më parë, do të na duhet ta projektojmë te njeriu. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH