Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Zero ndihma, ‘paketa e krizës’ për arsimin, studentët, udhëtarët dhe fermerët

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Qeveria ka prezantuar sot paketën anti-krizë, ndërsa çmimet vazhdojnë të rriten, të ndikuara nga lufta në Ukrainë shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe karburanteve. Sipas të dhënave të INSTAT, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Gusht 2022 është 8,0%, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 2,4%. Inflacioni i këtij muaji është niveli më i lartë që nga dhjetori i vitit 1998, periudhë kur vendi ende vuante pasojat që solli në ekonomi kriza e piramidave. Banka e Shqipërisë, e cila harton politikën monetare dhe ka si objektiv kryesor ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, që nga muaji mars i këtij viti ka rritur tre herë normën bazë në ekonomi, duke e çuar nga minimum historik prej 0.5% në 1.75% në fillim të gushtit, në përpjekje për të frenuar rritjen e inflacionit.

Nga ana tjetër për të nxitur konsumin, edhe qeveria shqiptare ka bërë lëvizjen e saj, ndonëse një e tillë mund të jetë pamjaftueshme. Kjo edhe për faktin se efekti mund të jepet me shumë vonesë, ndërsa shtresat në nevojë që duhet të përfitojnë, e kanë pasur më emergjente ndihmën. Mungon ndihma përsa i përket udhëtareve të transportit, ndonëse nuk ka ndryshuar çmimi vetëm për biletën e transporti publik urban. Lidhur me shtrenjtimin e çmimit të energjisë, në tregjet ndërkombëtare, qeveria ka vendosur që nga 1 tetori të rrisë çmimin për konsumatorët, që shpenzojnë mbi 800 kwh. Kjo do të thotë se nga periudha e hyrjes në fuqi të rritjes së çmimit, 1 tetor 2022, dhe deri në fund të vitit 2023, qeveria planifikon të arkëtojë rreth 100 milionë euro.

Çmimi pas 1 tetorit nuk do të rritet për këdo që harxhon 800 kwh, fasha e vendosur nga qeveria. Një familje që ka harxhuar fiks 800kwh do të paguajë 9.220 lekë, ose respektivisht 9.5 lekë kilovati. Por do të paguajë 42 lekë/kwh, ose më tepër se katërfishi i deritanishëm kushdo tjetër që harxhon mbi 800 kwh, çka do të thotë se me këto ndryshime penalizohen kryesisht bizneset e vogla dhe të mesme. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në pamjaftueshmëri të masave konkrete ka dhënë udhëzimet sesi duhet kursyer energjia.

Do të jepet një ndihmë e papërfillshme për fermerët, sektori kryesor prodhues i vendit. Megjithatë shumica e fermerëve dhe e blegtorëve do të kenë zero ndihmë. Vetëm 34 mijë të tjerë do të përfitojnë rreth 20 milionë euro, ose gati 10 herë më tepër se subvencioni që do të jepet për naftën e peshkatarëve. Zero është edhe ndihma për arsimtarët dhe studentët. Megjithëse është premtuar një rritje page për arsimtarët e ciklit parauniversitar, për ata të arsimit të lartë dhe për studentët, para nisjes së vitit të ri akademik, deri tani nuk menduar askush. Si duket, ndryshe nga vendet e zhvilluara, në Shqipëri arsimi dhe bujqësia duhet që t’i përballojnë sfidat e jetës me forcat e veta.

Tetor-dhjetor 2022, Paketa e Re e Rezistencës Sociale parashikon të  ndërmarrë këto masa:

  • 6% do të indeksohen pensionet për 674 mijë përfitues, 
  • 7% do të indeksohen pagat për 41,000 punonjës të sektorit publik
  • 7% rritja e pagës minimale duke shkruar në 34,000 lekë 
  • 10% rritja e masës së përfitimit të ndihmës ekonomike për të gjithë familjet 
  • Dyfishim i masës së përfitimit për gratë kryefamiljare me dy fëmijë dhe personat +65 vjeç të vetmuar, pa pension pleqërie/social
  • 7.5% indeksimi i pagesave për PAK dhe mbështetje shtesë për energjinë elektrike për para-tetraplegjikët dhe të verbrit 
  • 2 mld lekë total mbështetje për vitin 2022 për 34 mijë fermerë 
  • 200 mln lekë për rimbursimin e TVSH-së së naftës për peshkimin për 200 përfitues.  /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH