1

Zeneli sjell librin “Berlin 1945 – Maji i Fitores” që e frymëzoi nipi

               Publikuar në : 15:29 - 23/12/20 liberale

Në kuadër të “Department’s Book Review”, në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, duke respektuar masat anti-covid, u promovua libri “Berlin 1945 – Maji i Fitores” i diplomatit të shquar Bashkim Zeneli,  botimi më i ri i shtëpisë botuese UET Press.

Nën moderimin e pedagogut të Departamentit të Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare,  Prof. Asoc. Dr. Enri Hide, autori i librit rrëfeu se cili qe ngacmimi për të shkruar këtë libër, por edhe se sa i vlefshëm është për kultivimin e kujtesës tonë kolektive, veçanërisht tek të rinjtë.

“Në këtë libër jam ndalur në ditët e fundit në 16 prill të 1945, kur filloi ofensiva e madhe e ushtrisë sovjetike që ishte më pranë Berlinit, ndërsa ushtria amerikane ishte më në Jug. Ajo britankike më në Perëndim dhe normalisht që do të puqeshin në Berlin, pas disa ditësh. Ngjarjet shpërfaqin ndërveprimin  mes tre Aleatëve më të mëdhenj Antifashistë; Bashkimi Sovjetik, Amerika dhe Britania. Më vonë edhe Franca. Dashje pa dashje u jam rikthyer edhe disa zhvillimeve të tjera. Problemeve që lidheshin me fate të ardhshme të Gjermanisë dhe të botës. Ngërçi politik dhe diplomatik ishte se kush do ta merrte Berlinin i pari. Lufta ishte midis britanikëve dhe amerikanëve. Çfarë ndodhi në Berlin ato ditë dhe si e përjetuan personazhet kryesorë të kohës? Rrëfimi vjen në formën e një kronike besnike, sipas burimeve; besoj se do të jetë një përvojë e vlerë dhe interesante leximi”, u shpreh Zeneli.

Nga ana tjetër Rektori i UET, Prof. Dr. Tonin Gjuraj e cilësoi librin me parathënie nga Prof. Dr. Paskal Milo, si një prurje të rëndësishme për lexuesit shqiptarë, që rrëfen kontekstin historik dhe emocional të kapitullimit të Gjermanisë, në zemër të tij, në bunkerin e Hitlerit dhe Berlinin e djegur.

“Ky libër plotëson boshllëkun e krijuar prej kushteve të pandemisë, ku përkujtimi i kësaj date kaloi zbehtë dhe pa vëmendje. Mbetet ngjarja e dytë e madhe sa i takon Shqipërisë, sepse Lufta e Dytë Botërore, e rreshtoi popullin tonë në anën e drejtë të historisë. Libri rindërton bukur dinamikën e atyre ditëve të fundit të nazizmit, në Berlin dhe koridoret e gjeopolitikës botërore.”, tha Prof. Dr. Tonin Gjuraj.

Një moment emocionues gjatë promovimit ishte kur ish-ambasadori, Bashkim Zeneli tregoi se ishte nipi i tij 14 vjeçar, i cili jeton në Gjermani, ai i cili e shtyu për të hulumtuar dhe për të shkruar librin, duke e bërë kështu një shembull frymëzimi për secilin të ri apo student, e jo vetëm ata të UET. /Gazeta Liberale

 

 


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back