Kryesore

Zemërimi i grave në komedinë e Virgjil Muçit

               Publikuar në : 10:12 - 21/10/19 liberale

“Gratë e qiellit dhe të tokës”, komedia e fituesit të çmimit Kadare 2018 botohet në serbisht

 Ngjarjet zhvillohen në qiell në një skenografi surrealiste. Në skenë ndodhet vetëm një njeri. Hera, bashkëshortja e Zeusit. Për një arsye të pashpjegueshme në pamje të parë, ajo është gjoksjashtë. Ajo çka e bën edhe më të pabesueshme këtë skenë, Hera këndon vetmevete këngën e një grupi vajzash rebele të quajtura “Pussy riot”. Kënga titullohet “My sex – Broke Candy”. Kjo është skena e Aktit të I të komedisë “Gratë e qiellit dhe të tokës” me autor Virgjil Muçin fituesin e çmimit Kadare 2018, e cila është botuar në gjuhën serbe nga “Dielli” e së shpejti do të vijë në gjuhën shqipe. Në skenën e parë shfaqen tre personazhe Hera, Maria dhe Hatixheja. Autori na njeh më së miri me secilën prej tyre përmes një dialogu, veshur me tone humori. Ato shpesh janë të pacipa e njëkohësisht të thella në lojën ku janë vendosur, për të treguar një histori të jashtëzakonshme.

Virgjil Muçi tregon me këtë vepër se di të elaborojë një gjini të vështirë për të gjithë ata që shkruajnë, siç është komedia. Përvoja e tij letrare, i jep mundësinë të ndjehet i sigurt teksa orvatet nga një skenë në tjetrën për të ndërtuar lehtë bazën e humorit. Por asnjë e qeshur nuk mund të jetë e bukur pa tragjedinë dhe dramën brenda, e duket se Muçi i zotëron më së miri rregullat e saj. Ai bën komedi me komedinë, e i zhvesh personazhet nga komplekset e raportit të tyre me historinë dhe i bën të duken aq të lehta teksa i lexon. Në skenën e dytë janë sërish tre gra. Kjo gjini e bën ndoshta më të dashur leximin e kësaj komedie. Autori është i kujdesshëm të ndërtojë skena që i përshtaten dialogut, e të tregojë padashje dobësi për to.

“Hera ka veshur me një fustan najloni të bardhë e të gjatë deri në fund të këmbëve. Në skenë ndodhen shtrirë, në pozicion fetusi, tri gra, të cilave nuk ua shquajmë fytyrat ngase janë të mbështjella kok’e këmbë nga një tyl i mëndafshtë që shëmbëllen me fshikëzën krimbit të mëndafshit. Në sfond ndihet simfonia nr. 10, e minor e Shostakoviçit, e cila shoqëron koreografinë e baletit të kësaj skene). E gjithë kjo skenë zhvillohet si një pantomimë, në një atmosferë që ka shumëçka të ngjashme me surrealizmin e ëndrrës.

Hera vrapon në skenë dhe shkon e përkulet mbi tre gratë e shtrira e të mbledhura në pozicion fetusi, por pa i prekur me dorë. Nga lëvizjet dhe gjestikulacioni i Herës të krijohet përshtypja se dëshiron t’i zgjojë gratë dhe t’iu kumtojë diçka. Në një moment të caktuar ngjan sikur lëvizjet e saj sa vinë e bëhen më të ethshme, më të dëshpëruara kur sheh letargjinë e grave. Ky ravgim zgjat deri në çastin kur njëra prej tyre befas nis të lëvizë dhe jep shenja jete. Atëherë Hera gjallërohet, përkulet mbi të, e prek, e ledhaton me përkushtim e dashuri, ashtu siç vepron një nënë me pjellën e vet.

Fytyra i rrezëllin nga një buzëqeshje lumturie. Pak nga pak, me lëvizje të plogështa gjymtyrësh të mpirë nisin të lëvizin edhe dy gratë e tjera. Ato rreken të grisin fshikëzën dhe të dalin prej saj. Hera e lë të parën, për një çast dhe, e mrekulluar nga çka i shohin sytë iu qaset t’i ndihmojë. Me lëvizje të rryeshme, gati robotike, të tria gratë e flakin tej fshikëzën dhe, mbasi ngrihen më këmbë fillojnë e imitojnë lëvizjet e Herës. Kjo gjë e argëton Herën, e cila sillet si një baletmaestër që përgatit një trupë baleti për shfaqje. Tanimë arrijmë të shquajmë se tri gratë janë: Zana, Luljeta dhe Afërdita. Të prira nga Hera gratë dalin duke kërcyer nga skena.

Ashtu si në komeditë e Shekspirit dhe këtu ka muzikë. Ku ka gra ka muzikë, gëzim, festë por dhe ndarje. Por festa nuk mund të zgjasë. Autori nuk është i qetë. Nga ekrani i një televizioni një spiker thotë se njerëz të maskuar e të paidentifikueshëm mësynë ndërtesën e parlamentit dhe e pushtuan. Sipas të dhënave paraprake nuk ka viktima dhe të lënduar. Deri në këto çaste askush nuk e ka marrë përsipër sulmin.

Në këto kushte gratë nuk janë të qeta. Ato mblidhen, diskutojnë hartojnë plane strategji. “Shoqërisë njerëzore an’embanë, pra, jo vetëm këtu te ne, i nevojitet një sistem i ri shoqëror ku të dy sekset të jenë realisht të barabartë. Unë dua të ndihem e legjitimuar në sytë e burrave, por edhe të grave, të cilat kanë dy jetë: një reale e një të imagjinuar; kanë dy palë mendimesh: një palë i mveshin me zë dhe një palë memece që i mbajnë vetëm për vete. Po të shprehesha me fjalët e Virginia Wolfit do të thosha: Ne gratë i kemi bërë tonat dhomat e një shtëpie që dikur iu përkiste vetëm burrave. Edhe pse me mund e përpjekje jemi në gjendje ta paguajmë vetë qiranë. Por kjo liri nuk është veçse fillimi; dhoma vërtet është e jona, por është e zhveshur. Ndaj duhet mobiluar me shije e fantazi, me përkushtim e dashuri që mos t’iu lërë gjë mangut dhomave të tjera të shtëpisë së përbashkët. Nuk na hyn më në punë një shoqëri që quhet Patriarkat ose Matriarkat. Në qoftë se do të duhej shpikur një term i ri, atëherë unë do ta quaja PatriMarkat”, thotë një prej personazheve Zana.

Virgjil Muçi i sheh gratë si një forcë e rëndësishme e shoqërisë. Ai beson tek to dhe i lë të orvaten në mendime dhe zgjedhje. Vetëm ato mund ti vënë paqe realitetit.

E shkruar plot kulturë komedia ‘Gratë e qiellit dhe tokës” do të marr një tjetër dimension nëse e shohim në vendin e komedisë, skenës. Teatri i sotëm duhet të flasë përmes veprave të tilla të angazhuara dhe thelbësore për shoqërinë.

Gratë e Mucit janë gra guximtare, të cilat tregojnë se rruga drejt një shoqërie të mirë është dialogu dhe bashkëjetesa. Ato janë thellësisht bashkëkohore.

“Gratë trime që pushtuan parlamentin dhe ndezën shkëndijën që i dha hov zjarrit të kryengritjes në të gjithë vendin, dolën sot në mëngjes nga ndërtesa, duke u pritur si heroina nga një turmë e madh që mbushte sheshin para godinës së parlamentit. Dhe tani po e mbyll këtë edicion të jashtëzakonshëm me një tjetër lajm të gëzuar. Njëra prej kryengritëseve që ishte shtatzanë lindi vajzë, së cilës ia vunë emrin Lisistrata”.

Kjo është një prej fjalive të fundit të kësaj komedie, që këto ditë po prezantohet në Panairin e Librit në Beograd, që e pasuron bibliotekën e komedive shqiptare./Gazeta Liberale

Tags: ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back