Një ditë pas propozimit për strukturë ndërkombëtarë në Reformën Zgjedhore, PD e ka kthyer atë në çështje parësore të axhendës politike, si një prej kushteve për çeljen e negociatave për anëtarësim të vendit në BE. Opozita jashtëparlamentare pret ftesë të sinqertë nga maxhoranca, ndërsa Basha është shprehur se nuk i paragjykon hapat e mëtejshëm në miratimin e Ligjit të ri Zgjedhor. Me kushtet e gjermanëve, por edhe ftesën e demokratëve për t’i pasur ndërkombëtarët si hartues të reformës, PD duket se po hedh një hap dialogu
Suadela Balliu
Kërkesa për një ftesë të sinqertë nga maxhoranca dhe përgjigja e kreut të PD-së se nuk paragjykon hapat e mëtejshëm të Reformës Zgjedhore, pas kushtit për një strukturë ndërkombëtare në hartimin e saj, ngjajnë si hapa të vegjël të opozitës drejt një dialogu të mundshëm. Megjithëse në tryezën e organizuar prej OSBE-së, përfaqësuesi i Partisë Demokratike përforcoi si kërkesa opozitare disa prej kushteve të vendosura nga parlamenti gjerman për çeljen e negociatave, tani i duhet edhe partive jashtëparlamentare të luajnë rolin e tyre konstruktiv, për t’i mundësuar vendit mundësinë e një “PO” -je më 18 tetor, në Bruksel.
Prej disa ditësh Basha thekson gatishmërinë e PD-së për të bërë gjithçka ka në dorë që Shqipërisë t’i çelen bisedimet për anëtarësim dhe Reforma Zgjedhore është një prej pikave emergjente, që vendi duhet ta plotësojë për të mbërritur në konferencën e parë të anëtarësimit.
Për këtë, PD mbledh të dielën kryesinë e partisë dhe ish-grupin parlamentar për të diskutuar rreth Reformës dhe aksionit opozitar. Ndërsa pak ditë më parë, Basha shprehej se Reforma Zgjedhore ishte e rëndësishme, por e pamjaftueshme për të zgjidhur krizën. Për zgjidhjen e krizës, duhet vullnet politik, mendon kryeopozitari. Por, pas kushteve gjermane, presioni edhe pse me doza më të vogla, bie edhe mbi opozitën.
Kryeministri Rama do të shprehej të mërkurën se për të votuar rekomandimet e OSBE/ODIHR mjaftonte Parlamenti, ndërsa diskutimet e tjera – të nevojshme, por jo të domosdoshme sipas tij-, mund të liheshin për një fazë të dytë. Por kryeministri nuk mundet ta shmangë opozitën jashtëparlamentare në miratimin e Kodit të ri Zgjedhor, sepse kushti i dytë i parlamentit gjerman ishte i qartë për një Reformë gjithëpërfshirëse me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike.
Në fazën e mëvonshme, në konferencën e dytë të anëtarësimit – gjithnjë nëse vendi do e ketë kaluar me sukses të parën me ngritjen e dy gjykatave dhe miratimin e reformës -, qeverisë i duhet të japë llogari edhe për implementimin e reformës.
Zgjedhjet e para ku mund të implementohet Ligji i ri Zgjedhor, mund të jetë ai i zgjedhjeve lokale. Në rezolutën e parlamentit gjerman kërkohet edhe një vendim nga Kushtetuesja për ligjshmërinë e 30 qershorit dhe në rast përsëritjeje, ato do të duhet të zhvillohen në bazë të ligjit të ri.
Përfaqësuesi i PD-së, në tryezën e OSBE-së, Ivi Kaso e cilësoi reagim emocional atë të kryeministrit nga Nju Jorku, i cili kundërshtoi propozimin e PD-së për strukturë të posaçme ndërkombëtare për Reformën Zgjedhore dhe shprehu se në këtë fazë nuk ishte e nevojshme opozita jashtëparlamentare. Megjithatë prej muajsh, kryeministri Rama dhe maxhoranca ftojnë PD-në për të marrë vendin në Komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore, në përgatitjen e fryme dialogu e bashkëpunimi.
Në një intervistë televizive, Kaso do të shprehej se nëse ftesat do të jenë të sinqerta, demokratët do të ulen në formate të ngjashme.
E radhës duket se është tryeza e organizuar nga Komisioni i Reformës Zgjedhore e ndoshta PD do të zgjedhë këtë formë për të shkuar drejt komisionit, të cilin e ka refuzuar qysh prej prillit, kur kreu i tij, Gjiknuri bëri ofertën e parë.
PD dhe opozita e bashkuar, e bënë të ditur qëndrimin e tyre edhe në tryezën e OSBE-së, duke theksuar se njerëz të përfshirë në dosje për shitblerjen e votave, kanë konflikt interesi me zgjedhjet dhe se Komisioni nuk ka legjitimitet.
Por, Gjiknuri, do të shprehej në disa raste se ishte gati të rishihte pozicionin e tij si kryetar i Komisionit, nëse PD do të pranonte të ulej në Komision. Në rolin e bashkëkryetarit në Komisionin e Posaçëm është edhe Rudina Hajdari, ndërsa PD është shprehur qartë se nuk e njeh opozitën parlamentare. “Ka vetëm një opozitë, opozita politike e vendit. Parlamenti monist me pseudo-komisione dhe pseudo-opozita të financuara, të mbështetura dhe keqpërdorura nga Edi Rama nuk përfaqësojnë asgjë veç veten e tyre”, do të shprehej dje në një intervistë Basha. Por nëse opozita jashtëparlamentare do të luajë rolin e saj konstruktiv në Reformën Zgjedhore, ndërsa dje u pa si nga ndërkombëtarët ashtu edhe PS si sinjal dialogu, do të jetë opozita parlamentare ajo që do të votojë paketën, me të cilën do të kenë rënë dakord aktorët kryesorë politikë. Por deputetët Hajdari dhe Gjoni do të shpreheshin kundër një pakti mes dy partive të mëdha dhe se vota e tyre do të shkonte vetëm për rekomandimet e OSBE/ODIHR, ndërsa deputeti Murrizi do të ishte kundër dorëheqjes së Gjiknurit dhe në rast të tillë do të rishihte mandatin e tij parlamentar.
“Kemi propozimet tona dhe në rrafshin e reformës zgjedhore, përfshirë edhe ndryshimet legjislative”, do të shprehej Basha, duke shtuar se pjesa më e madhe i qëndron rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Edhe pse maxhoranca, e sheh të pamundur ngritjen e strukturave ekstraparlamentare dhe kryeministri shprehej se nuk do të pranonte përkthyes për t’u marrë vesh me qytetarët shqiptarë, PD heq paralele mes Reformës në Drejtësi dhe asaj Zgjedhore në kërkesën për të përfshirë ndërkombëtarët. Në këtë mënyrë, PD shmang detyrimin e kompromisit për të pranuar në Komision Gjiknurin, të cilin e ka denoncuar dhe akuzuar publikisht si i përfshirë në shitblerjen e votave në Dibër dhe po ashtu të pranojë zyrtarisht ekzistencën e opozitës së re, të dalë nga listat e saj zgjedhore. Por ambasadori i OSBE-së Borchardt, do të shprehej se vendi nuk qeverisej nga ndërkombëtarët, edhe pse këta të fundit e mbështesnin Shqipërinë.
Edhe përshëndetja e ambasadës amerikane për praninë e PD-së në tryezën e organizuar nga OSBE, lexohet si shtysë për t’i çuar palët drejt dialogut. Si Soreca, ashtu edhe Borchardt do e shihnin si pikënisje dialogu Reformën Zgjedhore. Me pranimin e ftesës për tryezën teknike të organizuar dy ditë më parë, ndërsa edhe nga ndërkombëtarët po merr reagim pozitiv pas kritikave ndaj protestave, PD-ja nuk mund të bëjë përgjithnjë uljen në tryezë, artikulimin e kushteve të vështirë për t’u pranuar nga shumica parlamentare e më pas të braktisë tryezën. Me votimin zyrtar dje mbrëma në Bundestagun gjerman, për çeljen e bisedimeve me Shqipërinë kundrejt nëntë kushteve, roli i opozitës është kyç për miratimin e Reformës Zgjedhore. Megjithatë Basha, do t’i quante spekulime mediatike sinjalet për një dialog me kryeministrin Rama. “Unë dhe PD kemi dhënë dakordësinë tonë për një proces politik të propozuar nga faktori ndërkombëtar , në të cilën PD dhe opozita e bashkuar do të ishin të gatshëm si një trupe e vetme të jepnin kontributin për daljen nga kriza”, do të shprehej Basha, ndërsa ka bërë të ditur se së shpejti opozita do të bëjë të ditur edhe paketën antikrizë. Sipas Bashës, refuzuesi për daljen nga kriza ka qenë kryeministri Rama, ndërsa të vetmet sinjale ndërmjetësimi do të vinin para zgjedhjeve të 30 qershorit nga deputetët e CDU/CSU Wadephul dhe Schmidt, të cilët sugjeruan se dialogu mes palëve nuk duhet të ketë tema tabu.
“Pak rëndësi ka ulja apo mosulja në një tavolinë. Ne si opozitë kemi dhënë angazhimin tonë, është Edi Rama që i trembet pranisë së faktorit ndërkombëtar, sepse i trembet gjykimit të pavarur të atyre që duan të mirën e Shqipërisë”, do të thoshte dje Basha, duke ndryshuar krejtësisht qëndrim përballë faktorit ndërkombëtar, ku vetëm disa ditë më parë u shpreh se zgjidhja do të vinte nga brenda dhe jo nga ndërkombëtarët ndërsa fliste për platformën kombëtare të hartuar nga opozita që do të zgjidhte krizën e thellë politike dhe ekonomike të vendit. Megjithëse nga deklaratat publike, duket se kreu i opozitës nuk ka hequr dorë nga kushti i largimit të kryeministrit, bashkë me dënimin e autorëve të shitblerjes së votave, ulja për Reformën Zgjedhore shtron rrugën për dialog, ku kompromiset më të mëdha, nisur edhe nga kushtet gjermane, bien mbi qeverinë dhe kryeministrin Rama, i cili do të duhet të çojë para qeverisë federale rezultate në çështjet penale të autorëve të shitblerjes së votave dhe ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar me ngritjen e SPAK. Edhe aktorë politikë të PD-së janë shprehur se me dosjet e shitblerjes së votave, ku prej disa ditësh “184” është deleguar në Dibër, do të duhet të merret SPAK.
Me këtë, PD zbut edhe qëndrimin skeptik ndaj Reformës në Drejtësi, të cilën e kanë cilësuar si të kapur nga kryeministri. Nëse Basha dhe aleatët e tij do të dakordësojnë qëndrimin për miratimin e Reformës Zgjedhore, qoftë edhe vetëm të motivuar për interesat e qytetarëve në çeljen e negociatave, nëse zgjedhjet lokale të 30 qershorit do të duhet të përsëriteshin, pasi të gjykoheshin nga Kushtetuesja, PD nuk mund të përdorte të njëjtët mekanizma argumentues si në rastin e dekretit të presidentit Meta për 13 tetorin, për të refuzuar pjesëmarrjen në to. Nëse Kushtetuesja ngrihet gjatë dimrit dhe shqyrton së pari kushtetueshmërinë e zgjedhjeve lokale duke zgjidhur edhe kërkesën për shkarkim të presidentit Meta, vera ose vjeshta e 2020-ës mund të ishte kohë zgjedhjesh së përsëritura. Presioni i opozitës do të duhej të binte mbi zgjedhjet e parakohshme, të cilat i kërkon prej muajsh por përmes një qeverie kalimtare pa Ramën, ndërsa ky i fundit thekson herë pas here 2021-shin. Sipas kryeministrit zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk janë aq larg dhe me kohën që kërkon miratimi i Reformës, komisioni i së cilës përfundon punën më 28 nëntor dhe përgatitjet e partive para zgjedhjeve, 2021-shi praktikisht duket tek porta. Edhe ShBA, përmes zv/ndihmës sekretarit të shtetit Palmer, ka shprehur qëndrimin se pret që kriza politike në Shqipëri të zgjidhet nga vendasit, me ngritjen e institucioneve siç është gjykata Kushtetuese.
Por qoftë edhe për një të mirë madhore të vendit, siç është zotuar PD dhe opozita se do të bëjë për çeljen e negociatave, ajo nuk mund të heqë dorë aq shpejt nga kushtet e saj siç ishte propozimi i strukturës së posaçme ndërkombëtare për Reformën Zgjedhore e megjithë kritikat që ka marrë nga ndërkombëtarët as nuk do të mundet të heqë dorë nga aksioni i saj përmes protestave për të mbajtur të gjallë kauzën e ndërtuar prej muajsh. Por në klimën e re politike, me zhvillimet e reja nga fronti i BE-së ku shteti më i fuqishëm votoi formalisht një “Po” për çeljen e negociatave, opozitës dhe Bashës i duhet të hedhë hapa drejt afrimit, qoftë edhe duke e argumentuar si vetëm për të mirën e vendit. Por një hap i hedhur për dialog, nuk është zgjidhja e krizës dhe rruga duket ende e gjatë dhe jo pa kompromise. /Gazeta Liberale