Letërsi

Zbulime gjuhësh e zërash

Shkruar nga Liberale
Zbulime gjuhësh e zërash

Të ishte një lloj prekje e trupit të tij e njëkohësisht një vetëprekje e trupit të saj? Ajo që ndodh kur jemi të dashuruar? Pasioni që shprehej në çdo fjalë të zgjedhur me kujdes, i kujtoi zonjën Bovari. Atë që kritikët e kishin konsideruar si viktimë të leximeve të saj para se të martohej.

Ylli Demneri

E mbyllur në një zarf, lulja kishte kaptuar male e dete për të mbërritur tek ai. « Lule nga kopshti im », i shkruante ajo. Edhe pse udhëtimi kishte zgjatur gati dhjetë ditë (ai pa datën e nisjes), degëza ishte akoma me lëng. Një pjesë e lëngut qe thithur nga letra e përthyer në tresh. Ajo gjurmë mbi letër ju bë si gjurmët e lëngut të saj. Lëngu i kënaqësisë. U kujtua se diku kishte lexuar se «premtimi më i mirë është kënaqësia».

Lulen që ishte ngjitur mbi letrën e shkruar ai e la ashtu, pa e hequr, dhe nisi të lexojë duke i përfytyruar fjalët nën gjethe e kërcell, fjalët që ajo i kishte shkruar me dorën e vet si një ëmbëlsirë të bërë vetë në kuzhinën e saj. Duke i parë të dy fletët e shkruara me shkrim dore, iu duk se në ato fletë kishte diçka nga të brendshmet e saj. Nga ato dantella që viheshin për t’u mbuluar, por që e nxitnin dëshirën më shumë se një trup i lakuriqtë.

Zarfin me tri pullat e ngjitura përmbi e mori disa herë në dorë dhe ndërsa hapte fletët duke i parë thjesht si një objekt, mendonte se ajo duhet të ishte nga të rrallët njerëz që dërgonin akoma letra me zarf. Letrat e shkruara me dorë ishin bërë aq të rralla sa edhe imazhi i postierit kishte filluar të fshihej nga kujtesa e njerëzve. Ajo, mes të tjerash, i shkruante: «Je i vetmi person të cilit i shkruaj letra. Në fakt, për mua, ti je i vetmi person për shumë gjëra.»

Ç’ta kishte shtyrë të bënte atë akt? Ç’kishte qenë ai mëngjes vjeshte që e kishte nxitur të ulej, të nxirrte fletët, të merrte stilolapsin e të shkruante? Të ishte një lloj prekje e trupit të tij e njëkohësisht një vetëprekje e trupit të saj? Ajo që ndodh kur jemi të dashuruar? Pasioni që shprehej në çdo fjalë të zgjedhur me kujdes, i kujtoi zonjën Bovari. Atë që kritikët e kishin konsideruar si viktimë të leximeve të saj para se të martohej.

Të atyre librave romantikë. Por askush nuk kishte parë tek ajo dëshirën për të gjetur personin që na ngjit. Shpirtërisht e fizikisht. Atë që të drithëron çdo qelizë vetëm nga një fjalë e që të ndez vetëm nga një prekje. Dhe kjo nuk ishte vetëm drama e zonjës Bovari, por e çdo njeriu. Burrë apo grua qoftë. Vetëm 2% e kanë atë fat, kishte thënë diku Woody Allen. Fatin e zbulimit të asaj gjuhe fjalësh, zërash, epidermash e vështrimesh që vetëm ata mund ta flasin mes tyre.

Ai mbylli zarfin, ktheu karrigen nga ana e dritareve të zhveshura dhe filloi të sjellë ndërmend bukuritë e saj: buzëqeshjen, shkëlqimin e syve, zërin, gjunjët, kofshët, harkun e fundshpinës, gjoksin, qafën, buzët që herë pas here shkriheshin me imazhin e gjetheve të verdha lagur nga shiu që përkundeshin lehtë nga era./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH