
Aktualitet
Zbardhet vrasja 46-vjeçarit në Shkodër, konflikti që i mori jetën

Strukturat hetimore të DVP Shkodër bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes së ndodhur rreth orës 11:20, në fshatin Mushan, Shkodër, në afërsi të një pike karburanti, ku u gjet i vrarë me armë zjarri brenda në makinë, Ritvan Ramazani, 46 vjeç, banues në fshatin Darragjat, Shkodër.
Sipas policisë “nga tërësia e veprimeve hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Autorët e dyshuar gjatë paradites ishin konfliktuar me djalin e Ritvan Ramazanit dhe më pas dyshohet se ky shtetas ka ndërhyrë për të sqaruar situatën dhe për pasojë ka mbetur i vrarë me armë zjarri”.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, të mbështetura nga FNSH dhe Focat Speciale Renea, nën drejtimin e prokurorit, kanë ushtruar disa kontrolle banesash dhe ambientesh të ndryshme ku dyshohej se mund të fshiheshin autorët.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë po vijojnë krehjen e zonës për të bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve të dyshuar, të cilëve, për arsye hetimore, për momentin nuk bëhen të ditura.
Tags: Konflikt, Ritvan Ramazani, Shkodër, vrasje