Aktualitet

Zbardhet atentati ndaj vëllezërve në Tepelenë, kamerat kapin autorin

Shkruar nga Liberale
Zbardhet atentati ndaj vëllezërve në Tepelenë, kamerat kapin

Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të atentatit ndaj dy vëllezërve Bresha në Tepelenë. Viktimë mbeti Artur Bresha, i cili u qëllua në vendin e punës, ndërsa Artan Bresha, 43 vjeç, u plagos me dy plumba.

Sipas “Panorama”, shkak i ngjarjes së rëndë dyshohet prishja e pazareve të drogës dhe borxhet. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë të ndodhura në kantierin e ndërtimit të bypass-it të Tepelenës, ku Artur Bresha punonte si roje, autori i vetëm, i pamaskuar dhe i armatosur, ka qëlluar pa paralajmërim 47-vjeçarin që ndodhej brenda dhomëzës ku bënte rojë gjatë natës. Më pas, autori ka marrë makinën e viktimës dhe është drejtuar për në dyqanin në pronësi të familjes Bresha, ku ndodhej vëllai tjetër, Artani.

Ky i fundit ka dalë në derën e dyqanit pasi ka njohur makinën dhe i habitur që i vëllai po kthehej aq herët në shtëpi. Ka qenë ora 20:15 e mbrëmjes kur autori del nga makina i armatosur, por këtë herë i maskuar dhe pa asnjë paralajmërim qëllon drejt 43-vjeçarit, i cili mori dy plumba në njërën këmbë.

Rrethanat e ngjarjes ngrenë dyshimin se vrasësi nuk ka pasur për qëllim eliminimin e plotë fizik të Artan Breshës, por vetëm plagosjen e tij.

Më pas, autori, ende i paidentifikuar, është larguar sërish me automjetin e vëllezërve Bresha, duke e braktisur atë në rrugën e Bënçës.

Prej afro një viti, 47-vjeçari i divorcuar tashmë dhe baba i një vajze adoleshente, punonte si roje në kantier, aty ku gjeti edhe vdekjen. I plagosuri Artan Bresha, “Bostani” siç e thërrasin shkurt miqtë e tij, punon si punonjës shërbimesh në Bashkinë Tepelenë.

Ai është një emër i njohur për Policinë, pasi në 2011 u ndalua nga Policia e Gjirokastrës në “Qafë të Muzinës”, Sarandë, gjatë një operacioni ku u sekuestruan një sasi e madhe kanabisi. Ai u arrestua në flagrancë nga forcat RENEA gjatë operacionit të koduar “Koordinata”, ku u kap duke transportuar 820 kg drogë dhe për disa vite ka kryer dënimin në burgun e Bënçës në Tepelenë./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH