Art & Kulturë

Ymer Bali, fotografi i parë i Tiranës kujtohet në UET

               Publikuar në : 17:33 - 12/04/19 R Liberale

Ymer Bali një nga fotografët e parë të Tiranës, e një nga personazhet që i ka dhënë aq shumë kujtesës përmes arkivit me negativë që pasardhësit e tij kanë lënë në Arkivin e Shtetit, është kujtuar përmes një aktiviteti në Universitetin Europian të Tiranës. Shkas për këtë aktivitet ka qenë botimi i librit “Ymer Bali…fotografi në flunë e rrekjes”, me autor Besim Fushën. Libri i Fushës nuk është vetëm një përmbledhje e fotove më të rëndësishme në kohë të Balit, por dhe një studim mbi artin e fotove të realizuara prej tij. Mbi figurën e Ymer Balit dhe punën e Fushës foli rektorja e Universitetit Europian të Tiranës Nevila Nika. “Nuk ka familje të vjetër tiranase që nuk ka në arkiv një foto që mban logon Bali”, tha ajo, duke kujtuar kontributin e këtij artisti për ruajtjen e kujtesës, pasi një foto shpesh flet më mirë se dhjetëra dokumente. Belina Budini, dekane e  Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, u shpreh se, është detyra e studiuesve të sjellin njohje më të thellë të figurave me kontribute si Bali. Për Alda Bardhylin, “nëse historia e fotografisë shqiptare nuk do të kuptohej pa Marubin, ashtu dhe historia e Tiranës si kryeqytet, nuk mund të kuptohet pa fotot e Balit, i cili ka mundur të fokusojë në aparatin e tij, vite të rëndësishme të ndërtimit të vendit, siç ishte fundi i Luftës së Dytë Botërore apo vitet e para pas hyrjes së komunizmit në vend”.

Për Besim Fushën, puna për këtë libër ka qenë e gjatë, dhe një pjesë të madhe të fotove i është dashur ta gjejë në familjet e vjetra tiranase. Bali është  nga emrat më të shquar të fotografisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX . Ai është dalluar për fotografitë dokumentare, por njëkohësisht edhe me sens të dalluar artistik. Ky fotograf është lindur në Tiranë më 10 tetor 1894 në një familje të hershme tiranase. Bali, qysh në moshë të re, mësoi mjeshtërinë e fotografit me të cilën siguronte jetesën, duke i shërbyer në këtë mënyrë edhe qytetarëve. Rreth vitit 1930 shkoi në Austri ku ndoqi një kurs specializimi për teknologjinë bashkëkohore të fotografimit. Duke vështruar me vëmendje fotoportretet e Balit në përgjithësi, dallohet se atij i parapëlqenin qëndrimet ballore të personave që fotografoheshin, ku sytë të shikojnë objektivin, e prej tyre të fiksohej në letrën fotografike psikologjia e tyre. Këtu bëjmë fjalë për shërbimet fotografike për komunitetin. Ymer Bali, mjeshtri i aparatit fotografik, ashtu si edhe bashkëkombësi i tij matanë Atlantikut, fotografi i madh, Gjon Mili, nuk krijoi familje. Ndoshta të zhytur thellë e tërësisht në fushë të fotografisë, ata mbase ishin xhelozë se një person i dytë do t`u përgjysmonte kohën e punës që për ta ishte plotësisht e fotografisë. Studio “M.Bali” rreth viteve `30 ,filloi të botojë një kolanë të pasur kartolinash me tematikë dhe pamje nga Shqipëria. Ymer Bali është ndarë nga jeta në Tiranë në vitin 1967.

Ky artist i fotografisë shqiptare me shpirt të madh, mbetet një nga fotografët më të dalluar të gjysmës së parë të shekullit XX, e njëkohësisht më i shquar i kryeqytetit./ Gazeta Liberale

2efdde2f-b5db-4673-b830-cb75a9e6a64d a95a74eb-30e5-4345-963d-3abfa3adfa65 A19596AB-A65C-4A63-A601-1741C31A41DF (1) A19596AB-A65C-4A63-A601-1741C31A41DF C9705CE0-58C7-40DE-849E-C1D5C8306B73
<
>
(Visited 8 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *