Aktualitet

Xhepa: Rënia ekonomike me 3.3% jo reale, duhet rishikim rrënjësor

Shkruar nga Liberale
Xhepa: Rënia ekonomike me 3.3% jo reale, duhet rishikim rrënjësor

Tkurrja e ekonomisë me vetëm 3.31% gjatë vitit të pandemisë nuk është realiste. Ekspertët e ekonomisë sqarojnë se statistikat e publikuara qëndrojnë shumë larg edhe parashikimeve të bëra nga qeveria për një rënie të ekonomisë -5%. Presidenti i UET, Selami Xhepa thekson se pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë janë me rënie drastike.

“Rënia me 3.3% duket sikur është një zbulim befasues, sepse në fakt nëse e shikojmë zhvillimet nuk duket se kemi ndonjë “boom” të rëndësishëm në sektorë të caktuar të ekonomisë. Konsumi është më i ulti në 30 vitet e fundit”, tha ai për Abc News.

Rezerva ka edhe për dy sektorët që kanë dhënë kontributin kryesor në këtë rritje ekonomike siç është rindërtimi apo shpenzimet shëndetësore.

“Edhe vetë projekti i rindërtimit ka pasur një performancë jashtëzakonisht të dobët çka do të thotë që ka dyshime se cilët janë burimet që e kanë ushqyer këtë rritje ekonomike. Unë mendoj se është një rritje varfruese, sa kohë që shpenzimet e konsumatorëve kanë shkuar për të mbuluar shërbime jetike”.

Po ashtu edhe pritshmëritë për një rritje ekonomike me 5.5% për këtë vit mbetet jo shumë objektive për shkak se jemi në një vit zgjedhor.

“Një rritje 5.5% do të ishte jo shumë realist, megjithatë mendoj që qeveria e re duhet të bëjë një rishikim rrënjësor dhe të buxhetit dhe të gjitha projeksioneve të tjera makroekonomike”, tha ai.

Rënia ekonomike e parashikuar nga ministria e financave FMN, BB, KE gjatë vitit 2020 varionin në një interval recensioni nga – 6% deri në -9%.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH