Globi

Weber: Çfarë e detyroi Specialen të ngrejë aktakuzë ndaj Thaçit

Shkruar nga Liberale
Weber: Çfarë e detyroi Specialen të ngrejë aktakuzë

Analisti Bodo Weber ka thënë se aktakuza e Gjykatës Speciale për presidentin Hashim Thaçi në kohën kur pritej të rifillonte dialogu Kosovë-Serbi, ka të bëjë me frikën e prokurorëve për një pazar të mundshëm në Shtëpinë e Bardhë.

Ai në një intervistë për Deutsche Welle ka thënë se Thaçi e kishte privatizuar qëndrimin negociues të palës kosovare në dialog, siç thotë ai, për ta futur Kosovën në një marrëveshje të rrezikshme për ta shpëtuar vetën nga Specialja.

“Po të kemi parasysh përpjekjet e presidentit Thaçi në tre vitet e kaluara për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë - duke privatizuar qëndrimin negociues të palës kosovare, këmbënguljen për ta futur Kosovën në një marrëveshje të rrezikshme për ndryshim territoresh - dhe se këto ai i ka bërë për të shpëtuar nga padia e Gjykatës Speciale, atëherë ishte e qartë që Thaçi një ditë do të thirrej nga kjo gjykatë. Vendimi i jashtëzakonshëm i prokurorëve për ta publikuar aktpadinë paraprake, para se të merrte vendim gjykata, ka të bëjë me këto veprime të presidentit. Fakti që prokurorët zgjodhën këtë ditë, dëshmon për frikën e tyre për ndonjë pazar të mundshëm në negociatat që do të bëheshin të shtunën në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht nëse ky shqetësim ishte i bazuar apo jo”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Prokuroria Speciale nuk do të lejojë të ndikohet nga administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Weber deklaron se veprimi i dhomave të specializuara kundrejt Thaçit u detyrua nga veprimet e këtij të fundit. Sipas tij, kjo gjykatë nuk është politike.

“Pikërisht, vitin e kaluar, në kontekstin e dorëheqjes së kryeministrit të atëhershëm Haradinaj, që të merrej në pyetje nga prokurorët e Hagës, pati shumë spekulime, madje dhe ndër qarqet qeveritare evropiane se a ndikohet gjykata e Hagës nga administrata e Trumpit, pasi Haradinaj ishte kundër mbështetjes së marrëveshjes për shkëmbimin e territoreve. Hapi i tanishëm i prokurorëve, sado i pazakontë që është, vërteton pikërisht pavarësinë e Hagës, pasi është në kundërshtim me interesat e administratës Trump. Ky vendim po kritikohet si "politik" nga elitat politike në Kosovë, por edhe nëse ky vendim është deri diku politik, ai u detyrua nga veprimet e Presidentit Thaçi dhe mbështetësit e tij brenda dhe jashtë Kosovës, dhe nuk është dëshmi se kjo Gjykatë është politike”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se aktakuzën nuk e sheh si plan për ta përshpejtuar procesin e gjykimit të Thaçit në mënyrë që të dalë nga Gjykata i pastruar si figurë.

“Unë nuk e shoh kështu. Para së gjithash, janë aktivitetet e administratës Trump, dhe të dërguarit të tij, Grenell, që cënohen nga kjo bërje publike. Meqenëse Uashingtoni është mbështetur tek Presidenti Thaçi më shumë se BE-ja, më duket se pala amerikane në konkurrencën transatlantike për dialogun është më e dëmtuar sesa BE”, ka thënë ai.

Gjykata Speciale ka publikuar një propozim-aktakuzë për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreun e PDK-së, Kadri Veseli, të cilët akuzohen për rreth 100 vrasje. /Koha.net

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH