Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka lëshuar urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe në nivelin më të lartë, shkruan media serbe “Tanjug”.
Presidenti dhe komandanti i përgjithshëm ka nënshkruar urdhrin për ngritjen e gatishmërisë luftarake të njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë në nivelin më të lartë dhe i ka urdhëruar që të lëvizin menjëherë në drejtim të vijës administrative me Kosovën e Mitrovicën.
Ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq ka konfirmuar se Vuçiq ka nënshkruar urdhrin për ngritjen e gatishmërisë luftarake dhe ka shtuar se situata në Kosovë është dramatike.
“Gjithçka që presidenti Vuçiq paralajmëroi me ditë e javë se Prishtina po nxiton më tej në përshkallëzimin dhe zbatimin e terrorit ndaj komunitetit serb, mbi të gjitha në veri të Kosovës dhe Metohisë, dhe tërhoqi vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar dhe ndërmjetësve në dialog mes Prishtinës dhe Beogradit, fatkeqësisht doli të jetë e vërtetë”, tha Vuçeviq për TV Pink.
Vuçeviq ka theksuar se Ushtria Serbe ka filluar aktivitetet me urdhër të presidentit Vuçiq.
“Dikush duhet të kuptojë se ajo që po bën Albin Kurti po na çon në vija të kuqe, duke na çuar në një kolaps të plotë të dialogut, duke na çuar në de-përshkallëzimin në terren”, tha Vuçeviq, raporton Euronews.rs.
Kujtojmë se pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë rrethuar ndërtesat e komunës Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, ndërsa pjesëtarë të komunitetit serb janë mbledhur për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve shqiptarë të porsa zgjedhur.