Në zemër të rajonit italian të Reggio Emilia, në një pallat të shekullit të 16-të, Tullio Massoni ka krijuar një vresht të vogël që dëshiron ta shndërrojë në art. Për këtë arsye shishet e tij nuk shiten në një dyqan vere, por në galeri arti. Dhe çmimi i ngjan edhe një vepre arti, 5 mijë euro për shishe.
Ka një sipërfaqe prej 60 metrash katrorë dhe prodhon 29 shishe verë të kuqe në vit. Një aventurë tregtare që Tullio Massoni, një ekspert në financa, art dhe sipërmarrje, ka arritur t'i japë kësaj vere të prodhimit të kufizuar një histori që ia vlen të tregohet.
Ai rrit rrushin e tij në çatinë e Via Mari 10, adresa e ndërtesës, prej të cilës ka marrë emrin vera. Hardhitë, të cilat janë Sangiovese, ushqehen me vezë, banane, alga deti dhe jashtëqitjet e shpendëve, sipas Masoni.
Por ai thotë se “dietë” e tyre përfshin edhe zërat që vijnë nga lagjja: zënkat, mallkimet dhe dialektet e ndryshme që e pasurojnë dhe e ndotin frutin, duke i dhënë përparësi ndaj rrushit të fushës, që shijon vetëm heshtjen.
Larg fjalimeve të aromës së frutave të kuqe, Massoni bën biznes me artin, pasi shumë nga shishet janë falas kur njerëzit blejnë vepra arti në galeri. Sipas faqes së tyre të internetit, kanë mbetur 10 shishe nga vintage më i fundit, 2019, me shumë nga vitet e mëparshme të shitura.
“Babai im bënte verë dhe më la trashëgim një vresht të madh, por kur bëra llogaritë, kuptova që më shumë do të shpenzoja sesa do të fitoja nga ai vresht, kështu që e shita. 20 vite më vonë, u pendova që e shita dhe vendosa që të bëja një vresht në miniaturë”, tregon Massoni.
“Vera ime është një formë shprehjeje artistike, është një provokim filozofik, diçka që ti e mban në dhomën e ndenjes dhe t’i tregosh miqve që në atë shishe ka verë që vjen nga një vresht në çati, që e ka bërë një i çmendur”, shtoi italiani.
Lidhja midis verës dhe artit fillon me frutat, sepse hardhitë rriten në kafaz që në fakt janë vepra arti të bëra nga një skulptor vendas, Oscar Accorsi. “Rrushi im përballet me artin sapo lindin”, thotë Masoni.
Vera plaket në fuçi lisi, të cilat janë gjithashtu skulptura nga një artist tjetër vendas, Lorenzo Menozzi, dhe kanë për qëllim të përfaqësojnë një burrë dhe një grua. Masoni gjithashtu mori Giuseppe Camuncoli, një artist i njohur i librave komik Marvel, i lindur në Reggio Emilia, për të vizatuar një botim special të etiketës së tij të verërave.
Si rezultat, ai inkurajon blerësit e tij që të mos i hapin kurrë shishet, por t'i trajtojnë ato si vepra arti. "Unë jam i vetmi prodhues i verës në botë që thotë se nuk duhet të pini verën e tij," thotë ai.
Duke u bazuar në atë se si është vërtet vera në gotë, Masoni ofron disa shënime unike shijuese: "Në gllënjkën e parë ju keni shumë hutim, por pas disa sekondash diçka vjen e gjallë në qiellzën tuaj që ju hap mendjen për një të dimension të ri”, shprehet ai, duke peshuar me kujdes çdo fjalë.
"Vera ime nuk ofron qetësi, përkundrazi ajo gjurmon një vijë të kuqe vertikale brenda mendjes suaj, që përcjell një ndjenjë shpejtësie të pafund."/Liberale.al