Kryesore

“Vrasje në kryeministri”, një lavjerrës ndaj fantazmave të vjetra

               Publikuar në : 11:22 - 18/05/20 liberale

Romani “Vrasje në kryeministri” i shkrimtares Diana Çuli botohet në Itali

“Vrasje në kryeministri” romani i fundit i shkrimtares Diana Çuli ka vetëm pak kohë që ka dalë në gjuhën italiane nga botimet Castelvecchi Editore, nën përkthimin e Elda Katorrit. Libri i botuar me një kopertinë ku shfaqet flamuri kuq e zi e në italisht shkruhet Assassinio nel Palazzo del Governo, duket se ka tërhequr vëmendjen e kritikës italiane, e cila e ka vlerësuar pozitivisht këtë thriller shqiptar.

Giulio Oliani, kritik letrar, MilanoNera – blog letrar shkruan: “Titulli nuk e shpreh të gjithë meritën e romanit. Sepse, pasi e mbaron së lexuari, e kupton se është pothuajse krejtësisht e pamundur të kufizohet Vrasje në kryeministri si një thriller i zakonshëm, thjesht për t’i mbajtur frymën lexuesit. (…) Është vetë jeta që shndërrohet në histori, në fatin e njerëzve, duke ua ndryshuar. Vrasje në kryeministri nuk mund të quhet vetëm një histori spiunazhi dhe hetimesh: ai hyn në thellësi me një shpirt analitik dhe reflektiv. Është një afresk i politikës së sotme dhe të djeshme, i dinamikave që qeverisin vendet (ato të dukshmet, por edhe ato okultet), të sistemit të interesave dhe spekullimeve, ku bota përfshihet. Pa harruar korrupsionin që na shtyn të mos besojmë më në ekzistencën e idealeve të vërteta e fisnike.

Një analizë e thellë, e pamëshirshme, që nuk kursen të vërë në dukje problematike të shumta…Deri në zbulimin e prirjeve dhe fenomeneve më aktuale: mbi të gjitha euroskepticizmin në rritje, që mbështetet nga lëvizjet populiste në vendet europiane…Një fotografi e saktë e realiteteve, po ku takojmë edhe ngrohtësinë e përshkrimeve të hollësishme të zakoneve, të kulturës së vendeve të Ballkanit që Beti, personazhi kryesor, përshkon përmes projektit të saj të UNESCO-s: Berati me kështjellën e tij, Lugina e Trëndafilave, Shkupi, Arbanasi: monumente historike, peisazhe të mrekullueshëm, e deri dhe legjenda, si ajo e maleve në të dy anët e lumit Osum. Janë faqe që na rrëfejnë për territore e komunitete që meritojnë të njihen shumë më tepër prej nesh. Vrasje në kryeministri na nxit edhe dëshirën për të mësuar më shumë, për të zbuluar një zonë që ka për të thënë shumë më tepër se sa mund të mendojmë”.

Ndërsa gazetarja Stefania Parteggiani në gazetën La Repubblica shkruan: ”Të ndjekësh hijet që Diana Çuli projekton në selinë e kryeministrisë shqiptare është një ushtrim letrar interesant…Gjejmë aty një vështrim të thellë e të kthjellët të autores ndaj vendit të saj, që e realizon duke e shpënë lexuesin në plagët e kontradiktat e Shqipërisë. E realizon duke skalitur personazhe me natyrë të mprehtë, që lëvizin mes intrigave të sotme e peshës së një të shkuare të rëndë. Ky thriller shndërrohet në një lavjerrës që luhatet vazhdimisht ndaj fantazmave të vjetra dhe idealeve të shqiptarëve që duan ta shohin vendin e tyre në Europë, duke dëshmuar edhe një herë se janë në gjendje të ndryshojnë realitetin”.

Floriane Canovas, profesoreshë e letërsisë në universitetin Paris IV (Sorbone, Paris) shkruan mes të tjerash në blogun letrar La dottoressa Sciaccia letture: Shkrimtare e gazetare, Diana Çuli është një artiste në të gjithë kuptimin e fjalës, me shumë romane, tregime, pjesë teatrale, skenarë për filma artistikë, bazuar në librat e saj. Ka fituar dhe shumë çmime letrare, i fundit për romanin Vrasje në Kryeministri, akorduar nga prestigjiozja Akademia KULT shqiptare. Në qendër të tij është Beti Duka, një grua e re e fortë, me një të kaluar jo të lehtë. Ky roman, magjepsës, por edhe delikat në përshkrimin e peisazheve, që shërbejnë si kornizë për ngarjet, të tërheq në një udhëtim plot me skena të papritura për lexuesin”.

Romani “Vrasje në kryeministri” është një roman thriller që të mbërthen në botën e enigmave dhe mistereve.Ky zhanër, po bëhet së fundmi mjaft i pëlqyer dhe për lexuesin shqiptar, pasi të mban në kuriozitetin mes rreshtave, për të zbuluar shkaqet dhe ngjarjet që ndodhin në situata gjithmonë në lëvizje e zhvillim.

Në zyrat e Kryeministrisë gjendet i vdekur një punonjës i rëndësishëm. Është vdekje e natyrshme apo një vrasje me shumë pikëpyetje nga pas? Këtë enigmë duhet ta zgjidhë Beti Duka, këshilltarja e re për kulturën, por e ngarkuar me misionin e dyfishtë për të hetuar mbi këto dyshime. Një udhëtim marramendës nëpër Ballkan, ku kufijtë e padukshëm të të fshehtave zgjerohen drejt një misteri edhe më të madh e më të ndërlikuar. Diana Çuli pas “Hotelit të Drunjtë”, vjen përsëri me një thriller,por kësaj here ngjarjet zhvillohen në hapsira më të mëdha e me kuptimplote ndërkombëtare, ku vërtiten personazhe gjithëfarësh, të mistershëm, të thjeshtë në dukje, të dashur, por të dyshimtë e shpesh të pakuptueshëm.

Diana Çuli nuk e lë librin thjesht tek gjetja e vrasësit, por shkon përtej, duke rrëfyer një histori nëpërmjet ndërtimit të ngjarjeve në formën e zbulimit të një misteri. Një vrasje e ndodhur në zyrat më të larta të qeverisë (në romanin e saj, Diana, e njohur si feministe, e ka përdorur trillin e shkrimtarit për të emëruar të parën kryeministre grua në Shqipëri), bën që kryeministrja t’i kërkojë ndihmë një gruaje tjetër, që do të punojë në mënyrë të fshehtë si hetuese private, ndërkohë që për sytë e gjithë të tjerëve do jetë këshilltarja e ngarkuar për të ndjekur realizimin e një projekti kulturor ballkanik. Prej këtu pastaj libri rrjedh në kërkim të zbulimit të vrasësit, ndërkohë që paralelisht me linjën kryesore brenda tij gjenden edhe shumë histori, të sotme dhe të shkuara, intriga, dyshime, personazhe të spikatura, flirte dashurore, dialogë të bukur, ide për integrimin e Ballkanit në Evropë, emancipim të gruas…

Autorja Diana Çuli thotë se ”ky libër është një shëtitje në Ballkan për të zbuluar këtë mister, pra jam munduar t’i mbaj pezull lexuesit siç është dhe vet libri thriller”./Gazeta Liberale

 

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back