Aktualitet

Vrasja e Shinzo Abe, japonezët i bëjnë nderimet e fundit ish-kryeministrit të tyre

Shkruar nga Liberale

Mijëra njerëz u rreshtuan në rrugët e Tokios për t'i bërë nderimet e fundit ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe. Një makinë varrimi, që mbante trupin e Abe, kaloi në disa pika referimi përpara se të mbërrinte në sallën e funeralit Kirigaya në lagjen Shinagawa të Tokios.

Funerali privat, i cili ishte i hapur vetëm për miqtë dhe familjen e ngushtë, u zhvillua më parë në tempullin Zojoji. 67-vjeçari u qëllua për vdekje të premten e kaluar teksa mbante një fjalim fushate në Nara, në Japoninë jugore.

Në të gjithë Tokion, flamujt janë valëvitur në gjysmështizë dhe jashtë tempullit qëndronte një varg i gjatë njerëzish, shumë prej të cilëve mbanin buqeta me lule.

Disa qëndruan me kokë të ulur në lutje, disa ishin në lot dhe të tjerë bërtisnin "Faleminderit Abe" ose "Mirupafshim Abe", ndërsa autokolona kalonte para tyre me makinë.

E veja e kryeministrit të ndjerë dhe kreu i zisë, Akie Abe, u ul në sediljen e përparme të makinës që mbante trupin e Abe.

Makina e funeralit kaloi pranë selisë së Partisë Liberal Demokratike (LDP) të Abe dhe mori rrugën për në rezidencën e kryeministrit, ku Fumio Kishida dhe ligjvënës të tjerë pritën autokolonën.

Më pas kaloi pranë ndërtesës së parlamentit, ku Abe hyri për herë të parë si ligjvënës në 1993. Abe ishte kryeministri më jetëgjatë i Japonisë pas luftës dhe një nga politikanët e saj më me ndikim.

Policia tha se personi i armatosur e vuri në shënjestër atë për shkak të ankesave që kishte ndaj një grupi fetar, ku ai besonte se Abe ishte pjesë e tij.

Pamjet e sulmit treguan të armatosurin, 41-vjeçarin Tetsuya Yamagami, duke përdorur një armë të improvizuar të bërë prej metali dhe druri, e bashkuar me shirit ngjitës.

Abe u qëllua me dy plumba, në qafë dhe në zemër. Mjekët thanë se ishte i vetëdijshëm dhe reagonte në minutat pas sulmit, duke shtuar se nuk u zbuluan shenja vitale deri në momentin që ai u transferua për trajtim.

Policia është ende duke hetuar se cilat ishin motivet e të armatosurit dhe nëse ai ka vepruar i vetëm./Përshtati Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH