Aktualitet

Vrasja e 25-vjeçarit, efektivi: Armën e hodhi gjatë ndjekjes

Shkruar nga Liberale
Vrasja e 25-vjeçarit, efektivi: Armën e hodhi gjatë ndjekjes

Klodian Rasha u qëllua për vdekje nga efektivi i repartit Shqiponja. Të riut iu dha lamtumira e fundit ndërsa hetimi pritet të përfundojë dhe me ekspertizën e armës, ku prokuroria do të kërkojë arrest me burg për efektivin.

Sipas dosjes së Prokurorisë, rreth orës 01:30 minuta pas mesnatë të datës 8 dhjetor, 25-vjeçari kishte dalë nga banesa. Ndonëse dëshmitë janë të shumta se ku ka qenë dhe pse kishte dalë në atë orar, familjarët thonë se kishte dalë të blinte cigare.

Rrugës për në banesë ai është pikasur nga dy efektivë të repartit “Shqiponja”, të cilët kishin ndaluar një automjet për kontroll. Në këtë moment, i riu po qëndronte përballë një hoteli, pikërisht në këtë zonë kur efektivët e shohin dhe i kërkojnë të afrohet.

Rasha nuk pranon dhe nga njëri krah i rrugës del në krahun tjetër duke vrapuar. Gjatë dëshmisë së dhënë në polici, dy pjesëtaret e repartit “Shqiponja” kanë thënë se kërkonin ta pyesnin të riun se pse kishte dalë në atë orar.

Në këtë moment u bë lajmërimi i sallës operative dhe kërkuan përforcime pasi gjatë ikjes së 25-vjeçarit njëri prej 2 pjesëtarëve të shërbimit thërriti “armë” duke nënkuptuar se i riu kishte armë me vete. Njëri nga policët iu vu pas duke përshkuar rrugicat ndërsa gjatë ndjekjes në zonën që del përballë ish Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave u gjet dhe pistoleta tip Miniglow.

Në dëshmi efektivi që e ndiqte ka thënë se herë pas here i riu e kërcënonte se do ta vriste, ndërsa dëgjoi një zhurmë të ngjashme me mbushjen e një pistolete.

Për policinë, Klodian Rasha e hodhi pistoletën në një pellg me ujë aty ku dhe u gjet rreth 300 metra larg nga vendi ku u qëllua për vdekje.

Plumbi që i mori jetën i përshkoi zemrën pas shpatullave ndërsa në momentin kur është qëlluar Klodiani ka qenë i paarmatosur dhe me kurriz nga efektivi.

Prokuroria pret ekspertizën e pistoletës, ndërsa efektivi i arrestuar akuzohet për tejkalim kompetencash në përdorimin e armëve dhe kushteve të mbrojtjes së nevojshme./A2

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH