1

Vota në Shtetet e Bashkuara dhe Amerika që i duhet Evropës

               Publikuar në : 09:05 - 16/09/20 Angelo Panebianco

Nga Angelo Panebianco

 Në zgjedhjet, përfundimi i të cilave do të ndikojë fatet e botës për shumë vite që vijnë, asgjë nuk duket më e paparashikueshme dora dorës që shkon përpara fushata zgjedhore. Kandidati demokrat Joe Biden është ende më përpara (duke qëndruar tek hulumtimet) por presidenti në fuqi Donald Trump është duke marrë veten. Ndoshta, së paku pjesërisht, sepse kryengritjet qytetare të këtyre muajve kanë tmerruar shumë njerëz. Për të patur të qartë se cila është rëndësia e dukurisë duhen mbajtur parasysh dy parakushte. I pari është, që një evropian, i vënë përballë votimeve amerikane, duhej vetëm të pyeste se cili do t‘ishte për ne evropianët, përfundimi më i mirë. Nuk e kuptojnë në Kontinentin e Vjetër, as ata që përkrahin Trump-in sepse ndjehen ideologjikisht afër tij, as ata që parapëlqejnë Biden-in për të njëjtën arsye. Parakushti i dytë është që ai që vlerëson rendin liberal (demokracinë përfaqësuese, ekonominë e tregut, liritë qytetare) që është i pranishëm në botën perëndimore që nga fundi i luftës së Dytë Botërore, duhet të dijë se ai rend mund të vazhdojë vetëm nëse mbeten disa kushte kulturorë, shoqërorë, ekonomikë.  Por edhe gjeopolitike: vendimet e ardhshme të Shteteve të Bashkuara do të ndikojnë fatet e rendit liberal perëndimor, do t’i japin ndihmesën e tyre vazhdimit apo shkërmoqjes së tij. Dikush thotë me të drejtë  se, në kundërshtim me atë që shumë pohojnë, politika e jashtme e Trump-it (e vetmja me të cilën merrem) nuk është në tërësi një shumë gabimesh. Ka fusha në të cilat Trump-i ka ndrequr gabimet e para-ardhësit të tij Barak Obama. Për shembull, ballafaqimi i ashpër i Trump-it me një Kinë që për shumë kohë ka luajtur në shfrytëzimin (e vazhdon të luajë ende sot) e dobësive të botës perëndimore, nuk meriton të trajtohet me mospërfillje: në marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Kinës ka një problem të vërtetë e Trump-i ka meritën t’a ketë ngritur e të ketë vepruar rrjedhimisht. Gjithnjë në meritë të Trump-it mund të përmendet kthesa në Lindjen e Mesme mbi një krifë tejet të brishtë: pozicionimi i ri i Shteteve të Bashkuara (në të vërtetë një kthim në të hershmin) sa i përket ndarjes mes myslimanëve sunitë e shiitë. Dy para-ardhësit e tij – Bushi me luftën në Irak që çliroi shumicën shiite nga tirania e një pakice sunite, e Obama me traktatin bërthamor me Iranin – kishin zgjedhur të bisedonin me shiitët në dëm të aleancës më të hershme e tradicionale me botën sunite. E vlerësuar në distancë, kjo përmbysje aleancash nuk duket se ka pjellë të mirat që priteshin, nuk ka shërbyer për t’i dhënë më shumë qëndrueshmëri rajonit dhe as për të nxjerrë përfundimisht jashtë loje xhihadizmin sunit. As nuk ka pakësuar kërcënimet kundrejt qenies së Izraelit. Ndërsa, politika e Trump-it duket se ka dhënë disa frute të rëndësishme: më i rëndësishmi ka të bëjë me ndihmesën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Izraelit dhe Emirateve Arabe (të cilave tani u është shtuar edhe Bahrejni), një ndodhi që mund t’i prijë afrimeve të mëtejshme ndërmjet Izraelit dhe fuqive sunite (me përjashtim të Turqisë). As njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nga ana e Trump-it, që shkandulloi aq shumë në kohën e vet evropianët, ka penguar këtë shtjelli dobiprurëse.

Nëse duam t’i japim Trump-it atë që është e Trump-it duhet të pranojmë se këto vështrime të politikës së tij meslindore – njësoj sikurse politika e tij kundrejt Kinës – janë ndjellamira e nuk meritojnë përçmimin që u kushtojnë atyre shumë prej kundërshtarëve të tij. Duhet shpresuar që një Administratë e mundëshme Biden të mos kushtëzohet nga humoret kundër-izraeliane të krahut më të majtë të Partisë Demokratike e të mos punojë  për të ndaluar ato zhvillime. Gjithnjë në lidhje me zhvillimet në Lindjet e Afërta e të Mesme, mbasi thuhet se politika e Trump-it nuk ka shkëlqyer – madje ka dështuar: të mbahet parasysh egërsia me të cilën i ka kthyerkurrizin kurdëve – në Siri, ashtu si dhe Libisë, duhet t’i njohim faktorët lehtësues: Trump-i nuk arriti të ndreqë gabimet e rënda të kryera, në lidhje me Sirinë e Libinë nga para-ardhësi Obama. Mbas kësaj duhet të shtojmë se meritat dhe lehtësimet mbarojnë këtu. Mbrapa fillon lista e gjatë e veprimeve të padenja (nga pikëpamja e interesit perëndimor). Trump-i, me një stil të ndryshëm nga Obama, por në thelb të njëjtë me Obamën, nuk ka reshtur t’i bëjë të njohur botës se Amerika është zotuar t’a zvogëlojë rolin e saj ndërkombëtar. Kjo gjë ka hapur orekset e fuqive të tjera të mëdha (Rusia, Kina) e të fuqive rajonale (si Turqia e Erdoganit). Me që ra fjala, shpejt a vonë, SHBA duhet të vendosin se çfarë do të bëjnë me Turqinë, njëherësh antare të NATO-s e tashmë armike të botës perëndimore. A do t’i a lenë vetëm Francës të përballojë synimet perandorake të Erdoganit?

Duke vazhduar padinë e listës së vështrimeve negative, duhet kujtuar se kanë mbetur të errëta (pra të rrezikshme) marrëdhëniet ndërmjet Trump-it dhe Rusisë së Putinit. Si për Lindjen e Afërt apo të Mesme apo marrëdhëniet me Rusinë, flitet për gjëra që prekin interesat e ne evropianëve. Ashtu sikurse na përket, duke na destabilizuar, kombëtarizimi trampian, me pasojat e tij rrënuese: ndeshja me Gjermaninë, armiqësia kundrejt Bashkimit Evropian, polemikat mbi rolin e NATO-s, më në përgjithësi sulmi kundrejt institucioneve shumëkahëshe të krijuara nga Shtetet e Bashkuara mbas vitit 1945.

Të hamendësojmë se faktikisht politika e jashtme e Trump-it është vërtetimi më i pakundërshtueshëm se koha e mbisundimit ndërkombëtar të Amerikës të ketë mbaruar, cilido t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme presidenciale, që rënia (relative) e Shteteve të Bashkuara tashmë është e pakthyeshme. Është shumë e mundur. Por pyetja atëherë shtrohet: rënia amerikane, vjetrimi i NATO-s, e të tjera mund të vijnë pa prekur rendin liberal tek ne n’Evropë?

Me të vërtetë ka ndonjë që beson se Bashkimi evropian do të mundë në kohë të shkurtra, të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara, të bëhet një digë e fuqishme dhe e pavarur e atij rendi liberal të mbështetur deri pak kohë më parë nga fuqia amerikane? Ndoshta një Biden në Shtëpinë e Bardhë nuk do t ‘ishte i aftë të riqepë marrëdhëniet me evropianët, t’i rijapë fuqi e vrull rendit liberal perëndimor. Është e mundur. Por ajo që me Biden-in është një mundësi, kthehet në një siguri në rastin e rizgjedhjes së Trump-it. Nuk është e vështirë për t’u kuptuar se çfarë u leverdis evropianëve.

“Corriere della Sera”    

Përktheu Eugjen Merlika /Gazeta Liberale

Tags:

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back