Automjeti i bashkisë, që ishte në përdorim të kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Lelit, është përfshirë nga flakët në orët e para të së enjtes.
Shoferi i kryetarit të bashkisë, shtetasi me iniciale E.T., e kishte parkuar automjetin pranë banesës së tij, në një pallat në lagjen “Lef Sallata”.
Përveç makinës tip “Range Rover”, me targë AA 525 MP, nga flakët u përfshi dhe një tjetër automjet që ishte parkuar afër saj dhe janë djegur plotësisht.
Burime nga blutë e Vlorës saktësojnë se bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme, por ende asgjë nuk është saktësuar zyrtarisht, pasi do të pritet rezultati i ekspertizës.
Ndërkohë, në një reagim të vetë kryetarit, Dritan Leli, ky i fundit është shprehur se nuk i intereson se çfarë ka ndodhur, duke theksuar se po i qëndron pranë vëllait të tij, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Për ngjarjen e ndodhur në Vlorë ka reaguar dhe Partia Demokratike. Ish-deputeti Flamur Noka deklaroi se bëhet fjalë për luftë mes bandave për të marrë prona në zonat bregdetare të Vlorës./Gazeta Liberale