Kryesore

Vjosa “rrjedh” edhe në Kosovë

               Publikuar në : 10:23 - 07/09/19 Reldar Dedaj

Reldar Dedaj

Emërimi për herë të parë i një kadidateje femër për kryeministre tregoi se peizazhi politik në Kosovë nuk mund të ishte më interesant se kaq. Herë pas here ndodhin ngjarje të dobishme dhe fillojmë të besojmë se njerëzit, kur ndodhen në qorrsokak, nga e keqja, si për mrekulli, e gjejnë rrugëdaljen. Por sakaq ja ku ndodhin turbullira të tjera, që zbulojnë shtysa njerëzore krejt të ndryshme, më të errëta, më të njohura dhe njeriu nis të pyesë veten nëse politika kosovare nuk ka arritur, në njëfarë mënyre, pragun e paaftësisë morale, nëse ecën gjithnjë përpara apo është duke nisur një lëvizje së prapi, që kërcënon të vërë përsëri në dyshim gjithë sa janë përpjekur të ndërtojnë me kaq mundim brezat e mëparshëm.

Këtu nuk është fjala për ankthe të pabaza, që kanë shoqëruar kalimin prej një kohe në tjetrën dhe as për mallkimet që e kanë zakon të lëshojnë qysh prej kohësh ata që u druhen ndryshimeve. Shqetësimi ynë është i tjetër lloji. Është shqetësimi i disa njerëzve që vazhdojnë të shohin të çuditur faktin se si një forcë politike e ka aq të vështirë të gjejë gjuhën e dakordësisë me një tjetër forcë për të pranuar për herë të parë një 37-vjeçare si kandidate për kryeministre të vendit, duke e ditur po aq mirë se është një emër i papërlyer nga gjitha skandalet politike që kanë tronditur Kosovën. Vjosa Osmani, e cilësuar si Angela Merkel e Kosovës dhe e shpallur si femra më e votuar ndonjëherë nga shqiptarët e Kosovës, me plot 65 mijë vota është emri zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës që kandidon për postin e kryeministres së vendit.

Nga kjo kohë e në vazhdim, synimi i saj i parë do të jetë të gjej fjalët e duhura për të bindur bashkëkombasit, “shokët e udhëtimit”, që anija ku kanë hipur është shmangur tashmë nga drejtimi, është pa kapiten, pa pamje të qartë, pa pikësynim, pa busull, në një det me dallgë dhe se është urgjente të bëhet një përpjekje për ta shpëtuar prej mbytjes. Arsyeja e saj nuk ia pranon vetes një përafrim të rëndomtë, diçka as të ftohtë as të nxehtë, që të vjen me e pështy nga goja, pasi është e detyruar të sqarojë se nuk mjafton të vazhdohet në rrugën e nisur, duke lundruar me tahmin, të dalë ku të dalë, duke i dredhuar ndonjë pengese dhe duke ia lënë të tjerat kohës.

E lindur në Mitrovicë, mes përplasjeve të vazhdueshme politike dhe etnike mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës, Vjosa Osmani është e vetëdijshme më shumë se asnjëherë tjetër se drejtimi i një shteti që lufton të marrë tiparet e një vendi europian nuk mund të lihet të udhëtojë në një gjendje të lirë me fatin që nesër të ankorohet në portin e duhur. Një mendim të ngjashëm ndajnë edhe shumë ekspertë që e njohin nga afër shtetin e Kosovës, të cilët theksojnë se me zgjedhjen e Vjosa Osmanit do të shënohej edhe një fitore e merituar e një femre politikisht të angazhuar në Kosovë, të pa ndihmuar nga zarfet apo fondet e oligarkëve, por që është e angazhuar politikisht dhe me bagazh intelektual. Si ish-krahu i djathtë i Fatmir Sjediut, Osmani shihet si shpresa më e madhe e Kosovës për të pasur një qeveri me ministra intelektualë, pjesë e së cilës mund të bëhet nesër edhe Albin Kurti i Vetëvendosjes.

Shumë analistë kosovarë mendojnë se zgjedhja e saj do ta përmbyste piramidën e tanishme të pushtetit dhe ku do të niste krijimi i piramidës së re të vlerave intelektuale dhe morale në politikë. Sipas tyre, shpresa e quajtur Vjosa Osmani, mund t’a ndalonte konservatorizmin e LDK-së dhe t’a drejtonte partinë e saj drejt një mbështetjeje më të gjërë popullore. Kjo edhe për rrjedhojë të aftësive personale të saj.

37-vjeçarja ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme në Mitrovicë, për të studiuar më pas në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Për shkak të rezultateve të shkëlqyera, Osmanit i është ofruar një bursë e plotë për të vazhduar studimet master dhe doktoraturë në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA. Me një karrierë politike të nisur që në adoleshencë si aktiviste e LDK-së dhe falë rezultateve të larta të arritura në studimet e saj në SHBA, më 27 gusht të vitit 2009, Vjosa Osmani u zgjodh shefe e stafit të Presidentit të atëhershëm të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Ndonëse në moshë të re, ajo njihet për kontributin e saj të dhënë për pavarësimin e Kosovës, sidomos në kontributin e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), ku ishte pjesë e palës shqiptare për mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës, një proces jetik për pavarësinë e vendit. Osmani është një nga përkrahëset më të forta për mbrojtjen e territorit të Kosovës. Gjatë tri mandateve si deputete, Vjosa ka kërkuar vazhdimisht fuqizimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për sigurimin e një juridiksioni të pavarur. Po ashtu, ajo është e fokusuar edhe në politikën e jashtme, veçanërisht në procesin e integrimit Euro-Atlantik të Kosovës dhe në ruajtjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

Pavarësisht këtij vokacioni të saj për shtetin amë, 37-vjeçarja nga Mitrovica do përballet me një metamorfozë të frikshme, duke menduar gjithmonë se është e vetëdijshme për atë se çfarë ndodhi me Kosovën e pas luftës, ku çlirimtarët u bënë pushtetarë dhe pushteti u shndërrua në përfitim dhe ku vetë ata, çlirimtarët, krijuan modelin më të shëmtuar të liberatorit, duke shkuar më në fund deri atje, ku rruga nga heronjtë te banditët në Kosovë u bë akoma edhe më e shkurtër. Klasa politike e saj shfaqet shpeshherë e prapambetur, e padijshme, e korruptuar dhe e çoroditur. Kosova nuk diti të ndërtojë një realitet tjetër politik, i cili do të kërkonte një klasë politike më cilësore. Përpiqen prej kohësh të bëhen një vend demokratik dhe përmes votës së lirë të ndërtojnë institucionet e shtetit, por historia ka treguar se vota shpesh u ka mbetur në dorë, pasi nuk kanë ditur ku t’a vendosin.

Pra, kjo dhe asgjë tjetër është beteja e Vjosa Osmanit, 37-vjeçares që u lind dhe u rrit në Mitrovicë mes përplasjeve të vazhdueshme etnike, e cila s’mund të jetë futur në luftë vetëm për votën e kosovarëve, sesa për rëndësinë e saj. Dhe nëse nuk i gjendet një vend, vota tashmë ka humbur çdo vlerë, sepse nuk mund të jetë votë qytetare, pasi është votë e manipuluar, votë e mungesës së vetëdijes politike. /Gazeta Liberale

 

(Visited 174 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *