Globi

Vjosa Osmani: Një hap më afër Kosovës që duam dhe e ëndërrojmë

Shkruar nga Liberale
Vjosa Osmani: Një hap më afër Kosovës që duam dhe e

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar për herë të parë për zgjedhjen e saj si Presidente e Kosovës.

Ajo shprehet se është e vetëdijshme për misionin e postit që mban duke e konsideruar atë më shumë se një angazhim politik por një mision i nisur me bekimin e qytetarëve.

Prandaj Osmani shprehet se do të bëjë diferencën mes të mirës dhe të keqes, mes të tashmes dhe të kaluarës për ta bërë Kosovën ashtu siç e ëndërrojnë qytetarët.

Postimi i plotë

Mbrëmë e përmbyllëm dinjitetshëm një kaptinë të zgjedhjeve demokratike, si dhe e vulosëm edhe njërin ndër shembujt më të mirë të funksionimit të demokracisë, duke respektuar në plotëni vullnetin e qytetarëve.

Vullneti i qytetarëve, i shprehur më 14 shkurt u plotësua dhe institucionet e vendit të dala nga ky vullnet u konstituuan plotësisht.

Jam plotësisht e vetëdijshme për pritshmëritë që ju i keni. Por, po ashtu jam e vetëdijshme që misioni ynë është shumë më shumë se sa angazhim politik, ngaqë se çdo mision i nisur me bekimin e qytetarëve e që derivon nga vullneti i tyre, është mbi të gjitha, mision fisnik. Andaj nga ne pritet të dijmë të dallojmë se si të ndajmë të mirën nga e keqja, të bëjmë diferencën në mes të së tashmes dhe të kaluarës, të dijmë se kur është koha e duhur të ndërmarrim veprime madhore, duke u siguruar që çdo veprim i yni na sjell një hap më afër Kosovës për të cilën flasim kaq shumë; një hap më afër Kosovës ashtu siç e duam dhe e ëndërrojmë.

Të luftosh padrejtësitë e të sfidosh veprimet e gabuara, të shtysh përpara kauza që e përmirësojnë jetën e njerëzve që na rrethojnë, të qëndrosh fort prapa bindjeve tuaja kur e di që diçka është e drejtë dhe duhet bërë, nuk është thjesht çështje e një vote apo deklarimi publik, është përmbushja më e madhe dhe arritja më kulminante në realizimin me sukses të misionit tonë në këtë rrugëtim politik. Veprime të tilla, veprime guximtare, veprime që i japin kah shpresëngjallës historisë, janë dëshmia më e pastër e madhështisë së secilit e secilës nga ne.

Kur zgjedhet rruga e drejtë, asnjëherë nuk është e lehtë e pengesat janë të mëdha. Por kur përballeni me to, kujtojeni gjithnjë atë që heroi ynë kombëtar Jusuf Gërvalla e shkroi si mësim që kishte marrë nga nëna e tij, Nëna Ajshe: “Rruga e nderit është më e zorshmja, por është e vëtmja rrugë e drejtë për njeriun. E kush është munduar për nder, nder ka gjetë”!

Në këtë rrugëtim, shpresoj t’u kem të gjithëve bashkudhëtarë. Na priftë e mbara!.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH