Rreth librit “Vizitor në kullën e letrave” të Minella Aleksit
Tobias Xhaxhiu
Kritika letrare, së paku ajo e vërteta, është një ndërmarrje e qashtër e dyshimit të arsyeshëm, që analizon me kureshtje shkencore një vepër letrare. Ndaj, të shkruash një kritikë për një përmbledhje kritikash letrare, mbart në vetvete një dualizëm profesional. Botimet “UET Press” kanë nxjerrë së fundmi në qarkullim librin “Vizitor në kullën e letrave” të Minella Aleksit. Të renditura sipas kohës së botimit në shtypin e shkruar, esetë e Minellas reflektojnë botëkuptimin e tij mbi letërsinë shqipe dhe rrugën e saj të vështirë drejt normalitetit.Përpara se të shqyrtojmë librin në fjalë, lipset t’i qartësojmë disa gjëra. Ne, ithtarët e kësaj çështjeje të rrezikshme, por edhe lexuesi duhet të kuptojë se “kritika’ është njëherësh shkrimësi, pra një entitet që gjendet sa brenda, po aq edhe jashtë letërsisë. Në vende si Shqipëria, të vogla, të menaxhueshme, të prirura për t’u shndërruar në “satelite kulturore” sa herë flladi politik ndërron kurs, roli i kritikut të artit është jetësor, pasi shërben si etalon matës i asaj çka kultura e një vendi duhet të ofrojë, e pandikuar nga influencat e jashtme, apo nga ideologjia.
Lexuesit dhe shkrimtarët mbi të gjitha, duhet ta kenë të qartë se kritikët nuk janë armiq, pa marrë parasysh sa të dhimbshme ose në dukje dashakeqe mund të përcillen fjalët e tyre. Vetë Platoni vinte në bangën e të akuzuarit pasionin për poezinë në traktin e tij “Republika”, që mendohet të jetë shembulli i parë i anatemimit letrar në botë.
Si rrjedhojë, libri i Minella Aleksit është një ngjarje për t’u përshëndetur, për vetë faktin se kjo përmbledhje kritikash jepet si një pasqyrë e terrenit letrar në vend dhe më kryesorja, ofron një qasje objektive ndaj veprës se “Princit të Asturias”, Ismail Kadaresë.
Elementi i kullës apo fortesës, sjell me vete një ngarkesë të fuqishme vizuale, pasi nënkupton izolimin dhe të paprekshmen. Kulla është sinonimi i heshtur i veprës, e cila duhet hetuar, kundruar dhe studiuar, por pa ia zbuluar sekretin. Autori vesh me përulësi rrobën e vizitorit, pa cenuar privatësinë e shkrimtarit, dhe nxjerr s’andejmi konkluzione të matura, aspak emocionale.
Në këndvështrimin e tij, Kadare i ka ofruar kombit shqiptar shumë më tepër sesa thjesht disa romane të arrira, apo poezi brilante; ai e lartoi identitetin e shqiptarit në një nivel estetik të panjohur më parë, gjithashtu i ofroi Perëndimit një panoramë të re mbi vendin ballkanik, larg përfytyrimeve romaneske alla Edward Lear.
Por, Minellën duket se diçka e ka joshur mbi të tjerat tek vepra e Kadaresë: disidenca e tij. Ai është ndalur gjatë në k’të pjesë, dhe sigurisht tek shpifjet e ushqyera ndër vite nga kasta e intelektualëve inatçorë, me qëllim zvogëlimin e dimensioneve etike të shkrimtarit.
Libri “Vizitor në kullën e letrave” është një sintezë e pastër mendimi, një manual që zbërthen pa artifica korpusin letrar të Kadaresë dhe një kontribut i pamohueshëm në publicistiken shqiptare. /Gazeta Liberale