Letërsi

Visar Zhiti: Poezia drejt burgut

Shkruar nga Liberale

Pas botimit së fundmi në Rumani të dy librave të shkrimtarit Visar Zhitit, atë me poezi  “Flatra e mundur” (“Aripa Franta”) dhe romanit “Funerali i pafundmë” (“Cortegiul de sfarsit”), përkthime të shkëlqyera të Dr. Luan Topçiut, sipas kritikës rumune, vazhdon jehona e tyre në median e shkruar dhe atë elektronike të Rumanisë. Po përcjellim artikullin e sapobotuar të kritikut të njohur Liviu Antonesei, i cila ka patur dhe shumë komente vlerësuese në Rumani.

Nga Liviu Antonesei (1953)

(Shkrimtar, studiues, publicist, politikan demokrat, profesor pranë Universitetit të Iasi-it. Autor i dhjetra librave me poezi, prozë, ese dhe studime shkencore. Personalitet i shquar publik i Rumanisë së sotme.)    

Befasi? Një poet shumë i njohur nga Shqipëria, i cili vuajti jashtëzakonisht shumë për shkak të poezisë së tij. Apo ndoshta është më mirë të thuash, për poezinë e tij dhe për poezinë në përgjithësi.

Falë një dhurate me libra që më bëri kritiku, historiani i letërsisë dhe përkthyesi Luan Topciu, fillova të hyj në kontakt me veprën e shkrimtarit të mirënjohur bashkëkohor shqiptar Visar Zhiti, poet, tregimtar, romancier dhe eseist.

Kam lexuar deri më tani një antologji të shkëlqyeshme poetike, “Flatra e Thyer”, përkthyer nga Luani, dhe romanin mahnitës, botuar së fundmi, “Funerali i pafundmë”, me të njëjtin përkthyes.

Ndërsa shkrimtarët rumunë kanë tendencë të kenë komplekse epërsie ndaj letërsive që i konsiderojnë më të vogla, unë i këshilloj ata të bëjnë një kurë modestie duke lexuar së bashku me Kadarenë dhe Thanas Medin, këtë shkrimtar të madh, emrin e të cilit ndoshta nuk e kanë dëgjuar akoma.

Para se të bëhej shkrimtari i sotëm, autor i rreth 30 vëllimeve, i përkthyer në shumë vende, fitues i çmimeve të shumta letrare shqiptare dhe ndërkombëtare, Visar Zhiti kaloi nëpër disa sprova, për të cilat cilësori kafkian është shumë i butë. Ai kishte botuar poezi në revista që kur ishte student, kështu që në vitin 1979 ai paraqiti në shtëpinë botuese atë që do të ishte vëllimi i tij debutues. Thjesht redaktorëve nuk u pëlqen libri dhe bëjnë një raport refuzimi për shkak të zymtësisë në to, poezive pesimiste.

Gjërat mund të ishin ndalur këtu, por ato nuk u ndalën, sepse redaktorët "vigjilentë" dërguan raportin në Komitetin Qendror të Partisë së vetme, dhe poeti u arrestua, u gjykua në vitin 1980 dhe u dënua me dhjetë vjet burg politik. Vërejtjet në letër u shndërruan në "poet dekadent dhe armik i popullit". Nga dy poezitë që po botoj, njëra shoqërohet në dosjen e çështjes me nënvizimin: "një metaforë kundër diktatorit Enver Hoxha". Mendoj se është hera e parë që konstatoj se gjykatat mund të merren, të paktën në Shqipëri, me analiza poetiko-stilistike! Pas tetë vjet burgimi, Visar Zhiti lirohet dhe punon gati tre vjet si një punëtor fabrike.

Pothuajse çdokënd një përvojë e tillë, aq më keq e gjatë, pa marrë parasysh sa e vështirë, do ta kishte shtypur, por jo Visar Zhitin, i cili duket se ka dalë i fuqizuar, duke i dhënë Nietzsche-s të drejtë  - ajo e cila nuk të vret, të bën më të fortë.

Menjëherë pas rënies së regjimit komunist, punoi në shtypin opozitar, drejtoi një shtëpi botuese, ishte parlamentar, Ministër i Kulturës dhe diplomat i vendit të tij në Itali, Vatikan dhe Shtetet e Bashkuara. Dhe mbi të gjitha, ai ka botuar rreth 30 libra, siç thashë më parë.

Ja, dy nga poezitë, njëra që e çoi në burg dhe tjetra poezi nga burgu, por do të kthehem në botimet e ardhshme dhe me poezi të tjera nga burgu, për dashurinë ose për tema të tjera. Do të shihni që koha dhe përvoja nuk kanë ndryshuar asgjë thelbësore në krijimin e tij; formula është zbuluar që nga koha e poezive të para.

SFINKSI

I tmerrshmi sfinks me krifa muzgu

qëndron i zymtë mbi shkretëtirën.

Madhështia e tij e rëndë prej guri

e bëri, ah, të palëvizshëm!

 

Luanët bredhin nëpër pyje

në shpella ere dhe në shira,

por sfinksin nën rërë yjesh

e torturon madhështia.

 

Mishin pa fund të skllevërve

e bënë kthetra sfinksash pompozë.

Shkretëtira tund në apogje

të tmerrshmen madhështinë e kotë.

 

MOLLA E DËNIMIT

 

Nën këmbë

më hapet dita si një humnerë e madhe.

Me se ta mbush që të dal në ditën tjetër?

Me qindra herë hedh veten time

dhe shkel mbi veten.

Oh, si po shkretohem!

Mbeta pa ngrohtësinë e fjalëve njerëzore

si pa zjarrin.

Gjithë ditën e ditës i zbathur

eci, eci unë

dhe s’shkoj asgjëkund.

Nën këmbët e mia s’ka fare rrugë.

Askush këtu s’më thotë “mirëmëngjesi”,

por më përplasin një fshesë

që të fshij dyshemenë

e fatkeqësisë sime.

Kurse unë si i marrë ulërij në heshtje:

tungjatjeta, Botë!

Dhe në më ke harruar,

s’të kam harruar.

Ballë për ballë u gjenda me një Mollë

e si të mos jem i gëzuar?

Molla,

Molla,

Molla

që e zbriti në tokë dashurinë e Adamit

dhe Evës nga marramendthi qiellor

prej parajse.

Ra nga dega

dhe na tregoi tërheqjen universale.

Molla,

e kuqe si buzët e puthura,

ç’enigma ka brenda, ç’joshje

që s’i mposht dot

as lufta?

Molla –

ëndërr e kapshme mbi kokat e njerëzve.

Edhe Mollët i arrestojnë!...

 

Kur të marrin në dhomat e hetue... zisë,

bërtet hetuesi (hutuesi): Ti, ti, t-i-i-i,

ke lexuar librin “Molla” nga Jevtushenko.

- Jo, - them unë.

- Ne kemi prova

që i ke përkthyer ca vjersha,

- Jo! – gënjej unë.

Gjithë natën më lënë në këmbë në një qoshe.

Mbi fytyrë më përplasin tymin e cigareve

që e vjellin nga goja –

Tym i luftës civile,

nga ç ‘shpirt del kështu

apo nga gërmadhat tona?

Ç’të bëj? Mblidhem në vetvete

si Molla që fshihet pas gjetheve.

Se do ruajtur fara

që është brenda.

Duhet shpëtuar fjala

duhet shpëtuar kënga

deri sa gropat e ditëve të mbillen me mollë.

Le të na i pushkatojnë ballet,

gjaku ynë do të hedhë rrënjë

dhe do të lulëzojë…

 

*  *  *

Shkrimi është përkthyer nga Dr. Luan Topçiu. Arritjet dhe sukseset e shkrimtarit Visar Zhiti janë dhe sukses i letërsisë së sotme shqipe, tani e lirë, e pasuruar me atë letërsi martire që erdhi nga burgjet dhe internimet, që solli të vërteta të mëdha dhe atë moral që i duhet çdo letërsie.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH