Kryesore

Viki

               Publikuar në : 13:13 - 15/08/20 Vladimir Myrtezai

(Foto ilustruese)

Vladimir Myrtezai

Shkrimtari V. H. përshkoi rrugën për te kafeneja e zakontë. Kafeneja gjendej në një cep ku kishte dyndje njerëzish, si të ishte një pike strategjike.

Sugjestioni njerëzor a kushedi çfarë, herë-herë i kthente disa vende si kjo kafene në një tërheqje të fshehtë, që nuk mund t’i jepet edhe aq kollaj një shpjegim.

Ndodhte për shkak të pozicionit apo për shkak të rrezatimit njerëzor, një logjikë që nuk se e peshonte lehtë këtë gravitet. Miku i shkrimtarit, J. Zh., e shpjegonte me  nevojën e njeriut për t’u shkelur nga lëvizja e njerëzve, si për të kujtuar një gjuhë të fshehtë, se trupat kanë shenjën e tyre, që në largësi të ndryshme ndjejnë rrezatimin e një zakoni njerëzor tërheqës. Po kjo ndodhte edhe me afrinë dhe distancat ndjesimore, që fshihnin në vetvete energji që zhbënin rregullat e kësaj tërheqjeje, dhe i identifikonin në të tilla flukse. Jo gjithherë shkaku do ishte veçimi si largësi fizike, por ndjeshmëria e përsëritjes që ndillte atë shumatore, që në korrnizën kohore do e quanim derdhje të natyrës me bollëk.

Shkrimtari V.H. dalloi që larg të verdhën e taksive, që sa vinin e iknin me shpejtësi. Gjeti tavolinën e preferuar dhe u përqendrua në një zakon të vonë të tij.

Mbrëmja mësynte butësisht mbasditeve të janarit, dhe sa vinte dhe i bëhej e gjithëpranishme, pushtuese.

Viki gjendej si çdo herë në dritaren e saj në ballë të rrugës kryesore, duke u ksehasur në një përqendrim rutinë, pa diç të veçantë, teksa shijonte rënien e muzgut butë-butë. I pëlqente ky moment pushtues i funditës dhe përpiqej që në çdo kalim të saj të merrte pjesë në këtë pushtim të shthurur masiv. Si në gjallje mendoi kur prishen konture e bien mure.

Viki ishte një nga gratë më të bukura të qytetit. Që herët flitej e mbahej në gojë nga njerëzia pikërisht për përcaktimin e saj në lloj dhe historitë e saj në zë, të mahnitshme, me plot emra burrash të njohur që i kishte këputur në mes, që i kishin rënë në gjunjë falë hireve që gëzonte.

Tanimë gati e puthitur me dritaren e shtëpisë së saj, tretej pothuaj në vështrime të largëta e të thella, pa bzajtur për asgjë e pa shkujdesje.

Në një plogështi të ngadaltë e plot magji i mbushtte mbasditet në një shtrirje të qetë e të matur, mbi çdo gjallje që bubërronte nën këmbët e vilës së saj.

Me një ngadalësi të matur e të shtrirë, jeta e saj sa vinte e reduktohej në veprime të ndara në kohë, deri sa vinte mbasditja për t’u përqendruar me gjithsej në një prej kënaqësive të sheshta, si heshtjet e motorizuara nga nostalgjia, e kështu mbërthehej pas dritares.

Ishte me fat që vila e saj ndodhej në një kënd të tillë ku ngasjet njerëzore i silleshin në pëllëmbë. E gjithë gjendja i bënte prani si shenjë për t’u arratisur ndër gjëra që kishin më shumë interes për të.

Çdo gjë tjetër i dukej e deformuar dhe e ngërdheshur, deri në atë derexhe sa urrente me shpirt.

Por, pati fat edhe në këtë rastësi të pozicionit të saj, ku askush të mos ia trazonte pamjen, e kështu ajo shijonte intimitetin me peisazhin dhe gëlimin njerëzor.

Shpesh i dukej se disa njerëz si ajo ndjeheshin të përkëdhelur, pasi kishte bindjen që ky fat nuk ishte rastësi, por një marrëdhënie zgjedhjeje, si dashuria, që ajo e kish përdorur si një mjet në jetë.

Dhe për këtë nuk mund t’ia vinte në diskutim askush, sepse në jetën e saj kishte shpërndarë aq  dhembshuri, saqë fati nuk mund t’ia shpërblente keq.

Në asnjë mënyrë.

Teksa mejtohej e kuturisej nën lëshimet e arsyetimit, dalloi së largu siluetën e shkrimtarit V. H., i cili po avitej për te kafeneja përkundruall dritares së saj. Një zakon i vjetër tashmë e i përsëritur, dhe sikur ishte shndërruar në nevojë edhe për Vikin.

Ai ishte një burrë i pashëm, që e kish kaluar në jetën e saj dhe e kish mbarsur me një ngarkesë të zgjatur, gati sa vetë jeta. Nuk se ishte qepur si varësi e nakatosur apo e strapacuar, apo e sëmurë, por si një shprehi e domosdoshme që kish zënë vend diku në ndjenjat e saj.

I urrente lidhjet e gjata. Kripën e burrave e kishte tejet të njohur falë marrëdhënieve të shumta me ta, saqë po ta sillte ndër mend bezdisej nga radha e fytyrave.

Por, shkrimtari i njohur V. H. ishte një tjetër gjë, në mos si ajri i munguar, që në të shumtë sikur e rigjallëronte, sikur e mbushte me diç që ia kishte nevojën.

Një vrundull krrelash gati biblike që i kujtoheshin kur rrënohej në krahët e saj. E kishte të stampuar në ndërgjegje: burrë nofullan i gjatë, me pamje në kreshp e të rebeluar; një ndjesi e vagullt, asnjëherë e mbledhur në grusht, që e pat bërë jetën e saj të lëkundej e disi evazive. Shpesh kishte dëshirën ta zhbënte e ta përdhoste për të mos e pasur të ngulitur si peshë, por ishte e pamundur. Ishte si një hapësirë ndërmjetëse që i krijonte ulje-ngritje distancash të papritura, që e mbanin të tendosur dhe gjithë sy e veshë.

E kishte menduar gjatë se çfarë sekreti mbante në vete ai njeri. Fuqinë e sugjestionit? Tërheqjen fizike? Apo një lloj tensioni në ajër, që ndillte opinione të prekshme e hapësira të pluhurta, ku gjithnjë dukej në një shkëmbim mistik?

Ende nuk kishte një përgjegje.

Shkrimtari V. H po çapitej ngadalë drejt tavolinës ku ulej përditë. U tendos, bëri një grimasë kontrolli gati si aktor dhe u zhyt qetë në një qëndrim shumë të njohur, që e bënte të dallohej në atë garrumull njerëzish.

Vikit iu kujtua kur ai fliste aq bukur për dashurinë, për praninë e njeriut që di të asistojë me gjuhë trupi, pa qenë nevoja për heroizma. Një prirje e lakuar, me një gjuhë të njohur, aq e kapshme për gratë. Dukej sikur kishte lindur për të në një marrëdhënie të përjetshme, sa vetë shpresa e njeriut, dhe ndjente tangentet e shkrimeve të tij, ku në mënyrë të abstraguar ajo sundonte herë si shkak e herë si pasojë.

Nganjëherë zhvendoste me mjeshtëri pikëpyetjet e saj për këtë ndjenjë të zgjatur për shkrimtarin V. H. Herë të tjera si një varësi demode, por në pafuqi për të vendosur shmangien, qoftë edhe në një ndarje të përkohshme. Ja që nuk ishte e shkruar. Ndjeu një lëngëzim të njelmët nën qiellzën e saj të rrahur, dhe iu duk i njëjti afsh që e kish përplasur herën e parë, një ndjenjë që këmbëngulte, të cilën e njihte mirë.

Ndonjëherë dyshonte që disa lloje të dashurisë janë si maska, ku gratë varrosin çelësin e fuqisë së tyre, si një fatalitet i ëmbël, pa kthim mbrapsht. Silueta e tij tashmë ishte një nga varësitë që e mbushte trupin e saj me gëzim, si një prekje që nuk rreshtte, si një nevojë aq organike.

I kishte inat femrat e fiksuara, pasi Viki ishte një femër e kërkuar dhe e ndarë në një thashathemnajë shungulluese, që i jepte mundësinë e zgjedhjes sa herë kaplohej nga ndonjë kërcim i brendshëm. Nuk vuante nga mungesa impulsive dhe nga dalldia për t’u rrekur ndër histori nga më të pabarabartat.

E dinte fort mirë se për të mund të viheshin në radhë burra të pushtuar nga malli. Por, shkrimtari V. H. seç ndillte një ajër tradhtie, që e mbante atmosferën të ndezur. Ishte një ndjesi që e riprodhonte prania e tij, si një mundësi për një grupim njerëzor.

Dhe ky fakt e pikëllonte disi, por njësh i ngrinte pritë një shtim vëmendjeje, si një kurth i panjohur.

Peizazhi po harlisej e fundosej para syve të saj dhe ajo e ndjente se varësi të tilla ishin në qendër të gjithë jetës së saj, që po i përvijohej si një vegim tashmë.

Sa vinte dhe mugu po e mjegullonte pamjen e saj. Konture ikanake rrëshkisnin poshtë vilës së saj, si poshtë këmbëve, duke humbur peshë e formë në një qasje të lëbyrtë malli pa shpjegim. Si mund të ishte gatuar e tillë, gjithnjë në një kërleshje të butë ere e parfumi, përzier me gëlltitje të mishta kujtimesh pafund.

– Zot! – tha me vete. Nuk mund të vetëgjykohej, sepse ishte si një hapësirë e pushtuar nga dashuri të vështira, si histori kështjellash a pamje të zmbrapsura kalorësish romantikë.

Gati e muruar me shthurjen e kontureve në mug, rrinte e palëvizur, gati e larë në lot mallëngjyes. Më përposhtë vështrimit të saj shtriheshin si të dubluara rrigata të verdheme refleksesh taksish që shkonin e vinin në tension.

Ishte një nyje trafiku ku klientët mësynin taksitë, kryesisht vajza të reja, që dukej sikur kishin një marveshje të heshtur. Viki vërente me një përkthim të shkëlqyer shkëmbimin e saktë të orareve të përsëritura të tregut të mishit të bardhë, krejt e kodifiuar në atë pikë.

Sa shpejt kish ndryshuar gjithçka. Panorama e marrëdhënieve dhe nguti i njerëzve për të rendur drejt gjërave të munguara e të shtypura më parë. Nuk i kish pëlqyer kurrë shitja e trupit dhe akordet e përdhosura. Mendonte se të jesh një femër me personalitet e ndjenja të hapura ishte një lloj fisnikërie që nuk e gjen kollaj rreth e rrotull.

Por, seç ndjente diçka tjetër te kurvat e kohës së re. Jo se e shqetësonte si dukuri, por një uri e shpejtë për t’u shfaqur e dhënë aq lehtë; një timbër agresiv marrëdhëniesh, pa ndërmjetësimin e ndjenjës, si shitblerje e pastër shërbimesh, pa nëntekste dhe aksidente dashurore. Kështu i dukej në krahasim me bëmat që bën çdo grua në jetën e saj, në të drejtën e saj dhe në shkallimet e saj të herëdokurshme.

Në thelb, kurvnia dhe prostitucioni janë ndër zanatet më të lashta. Nuk deshifronte më asgjë nga të tilla marrëdhënie që i dëgjonin veshët, bile as edhe kuriozitetet ekstreme ngjyrosur me rrëfime të gjata, nuk e ngisnin fare.

Shkrimtari V. H. shkëmbehej së shpeshti në atë pleksje të dendur. Hutohej me aroma të fshehta e frymëmarrje ciklike kurvash që shkëmbeheshin pranë kafenesë së tij. Një ndjenjë ngasëse e kontrdiktore, e paperceptueshme për të. Ato përvidheshin krejt të akullta, sikur vinin nga një tjetër planet.

Nuk kish mundur ta çudiste njeri në jetën e tij, por një akullnajë e tillë e padepërtueshme i rriste kërshërinë prej shkrimtari. Kishte shkëmbyer marrëdhënie nga më të ndryshmet e nga më spontanet në bregimin e çalltisjen njerëzore, por një kategori e tillë e linte të pafrymë, të boshatisur, dhe veçmas të përjashtuar nga kjo ofertë e pakuptimtë e jetës.

Ishte takuar me kurva gjithandej nëpër botë, dhe në të shumtë kishte ndjerë një ngrohtësi model njerëzish në nevojë, në një tjetër stil. Por, ky lloj i ri me sa dukej nuk dekodohej lehtë. Kishte takuar kurva të një niveli tjetër, në shkëmbime interesash që i ngjanin me interesa të ndara qartë e të detajuara, deri në formën më të paskrupullt, jo në atë të ndarjes së interesit, por edhe për nga thellësia e aktit.

Më së shumti iu duk se po hynte në anën vajtuese të psikës, ku nuk mbetet asgjë tjetër veç kurmit në rënie.

Kështu, këto të rejat se si i dukeshin, sikur mbanin më shumë erë shtypi e reklame sesa erë mishi njerëzor. Mos ndoshta nuk ndillte interes distance mosha a kushedi çfarë tjetër?

Kishte kaluar një kalvar përvojash nga më të çuditshmet në udhëtimin për të zbuluar botën e grave, dhe ishte ndjerë i përkrahur, i dashuruar, i refuzuar, i marrë dhe i plagosur ëmbëlsisht nga ky udhëtim.

Si duket nganjëherë mirësjellja e tepërt dhe format e abstragimit idilik të tyre e kishin esulluar si tepër. Gjithsesi ishte sy e veshë të provonte një rrethim të tillë të akullt.

Ndonjëherë qëllonte që ndonjëra nga ato vajza merrte ndonjë shikim të drejtpërdrejtë e depërtues mbi krahë, dhe si kurrë ndonjëherë ndjehej i asgjësuar e i paaftë: një grusht i hidhur në stomak i jepte një mesazh. I lodhur dorëzohej me mendimin se ishte prerja e gabuar për atë kategori, dhe kështu dëshpërohej lehtë në shembje të shurdhëta.

Mendonte që në jetën e tij kishin hyrë ngrohtë femra të mëdha e të rëndësishme, që i raportoheshin si dashuri njerëzore që linin njollë e ndjenjë, që e lartonin sedrën e tij prej mashkulli.

Një nga dashuritë e mëdha ishte edhe Viki, një amebë seduktive që rrezatonte klas; një hije e gjatë në jetën e tij. Ajo ndikoi gjatë në formimin e tij për t’u sjellë si një mashkull race e plot sharm.

Femrat në jetën e tij kishin qenë në njëfarë mënyre një identifikim i madh i një raporti vendosës, për të shfaqur nga brenda një lloj lënde që e bënte të ndjehej i rëndësishëm.

Viki ishte bërë njësh me xhamin ndarës të dritares dhe po perëndohej e menduar. Ishte një rit që hynte në gjërat e ditës. I pëlqente pamasë kjo ndalesë intime që e ndante vetëm me veten.

Në fakt, ajo ishte mjaft diskrete karshi planeve në jetë, por herazi gjendje të tilla të lëshuara dhe të paqëllimta i jepnin kënaqësinë e një rebelimi të heshtur, si një ndalesë në terrishtën me të cilën qe dashuruar. Ishte një ndjellje e vjetër, ose një sheshpushim nga ku merrte shenjat e lëvizjes së projektuar në agresionin e saj të kolmë, që priste të hynte në lojën pa mbarim.

Gjithnjë i dukej e papranueshme ideja e plakjes, ose ndarja nga pasioni për jetën. Ishte një prag që nuk ia lejonte vetes. Çdo gjë që e rrethonte kishte kuptim.

Kishte privilegjin e prezencës së saj, që dukej se harbonte atmosferën dhe e bënte të kuptimtë e të faktorizuar gjithçka që e rrethonte. Edhe pemët, edhe kalimi i avashtë i perëndimit, edhe frymëmarrja e gjësë së gjallë, edhe troku i tyre i përbashkët anonim e gjithçka përreth.

Burrat ishin trofetë e rrëzimit njerëzor ose pasojat e lartësimit që ajo kish dhënë me minutat e jetës së tyre. Një pasuri e pamatë e shkeljes dhe e gjallimit.

Sa shumë që do donte ta fiksonte këtë çast, ku çdo gjë shthurej, humbiste kuptimin e kthehej me kokë poshtë, si për të provuar urinë e pamatë për kënaqësinë.

Kaq ishte e mjaftueshme për të qenë gjithnjë e pranishme në jetën e tij, me humbje-zbritjet e mundshme, por edhe me mundësinë për të mos e pasur më Vikin si një trofe që akoma ishte në lojën e madhe të ndjenjave.

 

 

Tags: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back