Aktualitet

"Vetëvendosja" e rrezikshme e Albin Kurtit

Shkruar nga Liberale
"Vetëvendosja" e rrezikshme e Albin Kurtit

Ervis Iljazaj

Qasja e Albin Kurtit për çështjen e Kosovës në përgjithësi, dhe e asaj çka po ndodh në Veri të saj në veçanti, është padyshim një qasje dogmatike, ideologjike dhe populiste. Kjo lloj politike që po ndiqet nga Kurti me qëllimin sipas tij për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare çështjes së Kosovës, po jep pikërisht efektin e kundërt, duke e lënë atë çështje të hapur përgjithmonë dhe të pazgjidhshme.

Kjo qasje, e bazuar tërësisht te romanticizmi patriotik, mund të rrisë popullaritetin individual të Albin Kurtit duke qenë se me çështjet e brendshme nga mënyra se si ka qeverisur në këto vite ka pësuar ulje drastike, por me siguri po ul popullaritetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ashtu sikurse në politikën e brendshme u premtoi qytetarëve kosovarë lumturinë e përjetshme që bazohej te një program utopik dhe aspak realist, ku në themel ishte barazia e të gjithëve, e cila ishte e destinuar të dështonte, në të njëjtën mënyrë po përpiqet të trajtojë edhe çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ky është një rreth vicioz ku radikalet, ashtu sikurse Kurti është, hyjnë dhe e kanë vështirë të dalin prej aty. Kur ata janë në opozitë i duhet të jenë të tillë për të fituar konsensus, ndërsa kur janë në qeveri i duhet të bëjnë marrëveshje dhe të harrojnë pozicionet e tyre opozitare. Mirëpo nëse e bëjnë këtë humbasin mbështetjen popullore. Për këtë arsye, shpeshherë detyrohen të veprojnë në interes të popullariteti të tyre, i cili, shkon në dëm të fateve të shtetit.

E njëjta gjë po ndodh edhe me çështjen e targave sot. Po t’i heqësh Albin Kurtit kostumin e “patriotit”, e atij politikani që nuk lëshon pe kur bëhet fjalë për çështjet kombëtare, ai zhvishet tërësisht si politikan.  Në këtë kuptim, as dëshiron ta heqë atë kostum as mundet ta bëjë një gjë të tillë. Në të kundërt karriera e tij politike merr fund.

Në momentin  kur presioni ndërkombëtar po shtohej kundrejt Serbisë për gjetjen e gjuhës së përbashkët me Kosovën apo edhe për njohjen e saj, në momentin kur perëndimi është duke u përballur me konfliktin në Ukrainë dhe çdo konflikt tjetër, sidomos në këtë rajon të Europës, do ta vinte në vështirësi të madhe, Albin Kurti me vendimin e tij për targat, kundrejt çdo rekomandimi perëndimor dhe amerikan, e ka kthyer edhe njëherë çështjen e Kosovës në qendër të mediave europiane dhe ndërkombëtare.

Momenti ndërkombëtar kërkon vendime të matura dhe reflektive dhe aspak emocionale apo populiste duke bërë heroin që, në këtë moment, nuk i duhej askujt. Kjo politikë nuk bënë asgjë tjetër veçse ushqen propagandën serbe, i jep shtetit serb argumente dhe instrumente diplomatikë për të rikthyer edhe njëherë për diskutim çështjen e Kosovës. Me pak fjalë, i prish punë zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Aq me tepër kur ky vendim përbën një “pabesi” ndaj aleatëve ndërkombëtar të Kosovës.

Zakonisht, nëse një shtet merr një vendim, sidomos në politikën e jashtme, duhet t’i bëjë llogaritë mirë nëse  është i aftë t’i dalë për zot me forcat e tij.  Në të kundërt, nuk duhet ta hedhë një hap të tillë. Është e qartë, se shteti i Kosovës nuk i del dot për zot me forcat e tij vendimit për targat. Në këtë kuptim, ngutja për ta marrë atë në mënyrë “sovraniste” dhe autonome është një aventurë politike e bazuar tërësisht te logjika utopike e vetëvendosjes.

Të gjitha iluzionet se Kosova mund të “Vetëvendos” për fatet e asaj në arenën ndërkombëtare, janë iluzione të rrezikshme. Sa më shpejt të hiqet dorë nga këto iluzione aq më mirë do të jetë për fatet dhe çështjen e saj.

Logjika e diplomacisë është një logjikë totalisht e kundërt nga logjika ideologjike. Diplomacia dhe gjeopolitika nuk kanë parime, ato thjesht kanë interesa. Është fat i madh për Kosovën që interesat e amerikanëve në këtë rajon përputhen me interesat e Kosovës. Mirëpo një politikan dogmatik nuk ka se si të jetë pragmatist. Është e kotë të presësh nga Albin Kurti zgjidhje diplomatike, ajo që duhet në këtë moment për Kosovën, kur e gjithë filozofia e tij bazohet te dogma e lumturisë së përjetshme dhe te gjuha emocionale dhe aspak racionale./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH