Analizë

Vështirësitë reale, jo të pakapërcyeshme, të bashkimit të PD-së

Shkruar nga Liberale
Vështirësitë reale, jo

Preç Zogaj

Të gjithë në PD po flasim për “bashkimin e demokratëve”, ndërsa në horizontin e afërt janë shfaqur zgjedhjet vendore të radhës në shkallë vendi. Ku opozita e përçarë rrezikon të nënshkruajë disfatën e  saj të radhës. Kanë dalë emra negociatorësh nga dy grupet. Nga PD e Rithemelimit dhe PD zyrtare. Duhet pritur produkti i takimit mes tyre.

Në këtë moment, në nivelin e drejtuesve partiakë, bashkimi po artikulohet kryesisht në formën e një klisheje për të qenë brenda.Të vetmit që kanë avancuar me një tryezë konkrete janë përfaqësuesit zyrtarë të dy grupeve në bashkinë e Mirditës. Të cilët kanë prodhuar një dokument konkret për daljen me një kandidat të  vetëm, në një proces të administruar me konsensus që nga përzgjedhje e kandidatit me primare e deri në  shpalljen e rezultatit.

Demokratët e Mirditës kanë fituar bindshëm në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. Ata e njohin forcën e secilit individ dhe grup, pavarësisht kampit ku i ka hedhur kriza e PD-së pas shtatorit të vitit të shkuar. Pjesëmarrësit në tryezën e përbashkët të drejtuar nga kryetari i PD-së zyrtare Mark Ruçi dhe kryetari i  PD-së së Rithemeluar, Albert Mëlyshi, janë motivuar të ndërtojnë një koalicion zgjedhor fitues në nivel vendor, duke abstraguar apo duke i marrë si të ngrira  divergjencat në nivel qendror. Duket thënë se nismën për t’u ulur e kanë marrë përfaqësuesit e PD-së zyrtare. Merita për realizmin dhe mbarëvajtjen e saj u shkon po aq përfaqësuesve të Rithemelimit. Në traditën e kuvendeve mirditore,  burri që zatet, që i rri muhabetit, çmohet ma shumë se ai që thotë.

Nuk dihet ende qëndrimi i drejtuesve respektivë në qendër për ketë nismë konkrete dhe modalitet e saj. Ajo mund të pasurohet a përshtatet sipas veçorive që ka çdo bashki në vend. E sigurt është se po të mbetet në fuqi deri në fund, i ka premisat e plota për ta çuar PD e bashkuar të Mirditës në fitoren e bashkisë.

Mirditorëve ua përligj tradita marrjen e vendimeve autonome. Ata mund t’i rrinë deri në fund marrëveshjes së tyre. Por jam i vetëdijshëm se zyrtarizimi dhe zbatimi i saj përtej Mirditës, në mbarë vendin, nuk është një fjalë goje. Kjo do të nënkuptonte renoncimin në këto zgjedhje të Berishës dhe drejtuesve të tjerë të dy grupeve nga ajo çfarë janë. A mund ta bëjnë? Varet prej tyre. Varet nga ajo se cilat janë realisht synimet e tyre në zgjedhjet vendore. Varet e do të duan t’ua lënë nismave të bazës apo ta kapitalizojnë për vetë rezultatin eventualisht pozitiv të bashkimit të demokratëve nga poshtë.

E vërteta është se një vit pas shpërthimit të krizës, PD është më e vogël dhe më e përçarë se sa ka qenë para krizës. Shumarja e pikëve që u japin sondazhet dy grupeve të saj nuk arrin në nivelin e rezultatit të 25 prillit 2021. Në këto kushte të gjithë drejtuesit janë të vetëdijshëm se gjetja e rrugëve të bashkimit rreth një kandidati të përbashkët është hapi i parë. I pamjaftueshëm, por me atë fillon.

Çfarë po bëjnë ata konkretisht, çfarë po bën Berisha që drejton grupin e Rithemelimit? Asgjë të re në thelb. Nga çfarë po thotë edhe këto ditë, Berisha e mendon bashkimin si tretje të grupit tjetër rreth tij, si kthim të penduarish apo pragmatistësh të motivuar në këtë rast nga interesat apo syshkeljet e pushtetit vendor.

E kemi thënë edhe më parë e duhet përsëritur: Bashkimi nuk mund të bëhet në injorim të arsyes themelore që ka krijuar ndarjen. Arsyeja është pozicionimi i çdo demokrati ndaj vendimit të SHBA për sanksionimin e Berishës. Ka që mendojnë se partia dhe ata vetë mund të kenë sukses nën drejtimin e një personi të shpallur ‘non grata’ dhe të bojkotuar nga SHBA. Ka të tjerë që mendojnë të kundërtën: PD jo vetëm nuk mund të fitojë me SHBA kundër, por edhe nuk duhet të fitojë. Edhe po lajthiti turma. Kjo është ndarja.

Përgjatë vitit, plot demokratë nga të dy grupet kanë pritur ndonjë sinjal se mos qëndrimi amerikan po jep ndonjë shenjë ndryshimi ndaj Berishës. Apo vetë Berisha po arrin ndonjë sukses domethënës për daljen nga izolimi amerikan dhe europian. E gjithë kjo dëshirë jo vetëm se ai e ka futur në një perspektivë pa të nesërme kthimin e demokratëve në pushtet, por edhe sepse shumica e tyre nuk kanë dashur ta shohin në këtë hall. Por në vend të ndonjë sinjali zbutës, kanë ndodhur zhvillime të kundërta: Ligjvënësit amerikanë të dy krahëve, demokratë dhe republikanë, kanë ndërmarrë shndërrimin në ligj të sanksionimeve “non grata”; Britania e Madhe u është bashkuar qëndrimeve të SHBA për sanksionimet, madje duke shkuar edhe më larg; Përfaqësuesit e qendrës së djathtë në  Gjermani, që përbëjnë bërthamën e Partisë Popullore Europiane, kanë paralajmëruar se nuk do të kenë marrëdhënie me një PD të drejtuar nga “non grata”. Aq sa Berisha ka hedhur sytë nga grupi i partive sovraniste konservatore, ku edhe aty situata nuk është më aq “sovraniste” sa ç’ka qenë para shpërthimit të luftës në Ukrainë.

Është qartë se bashkimi i dy pjesëve të PD-së, shto këtu një pjesë të tretë të konsiderueshme që nuk e gjen veten me asnjërën palë, nuk është një gjë “kaq e thjeshtë”, siç është një shprehje në modë. Bashkimi i PD-së dhe opozitës shqiptare mund të realizohet vetëm në suazën e euro-atlantizmit, në marrëdhënie të ngushta me SHBA dhe BE. Kjo jo vetëm duke e thënë pala jonë, por duke na njohur edhe Uashingtoni, Londra dhe Brukseli si të tillë. Në situatën ku ndodhet opozita, ku rolin e liderit të saj e ka marre Berisha, bashkimi në suazën e euro-atlantizmit në rastin me të mirë i mbetet së ardhmes. Ose çdo grupim do të ndjekë rrugën e vet duke u matur me sfidat e zhvillimeve.

Ndërkaq, vështirësitë e bashkimit rreth një kandidati në funksion të zgjedhjeve vendore të pranverës së vitit të ardhshëm, nuk më duken të pakapërcyeshme. Duhet pritur çfarë ideje të re ka, nëse e ka një të tillë, zoti Berisha. A do të bëjë ai një hap prapa siç e ka bërë Lulzim Basha, qoftë edhe hapin taktik që sugjeron modeli i bashkimit që kanë gjetur demokratët e Mirditës? Të shohim.

Një gjë vlen të përsëritet e mbahet parasysh pa pushim: për të fituar PD-së i duhet më shumë se bashkimi. I duhet hapje, përtëritje, reformim, një sjellje e re, një etikë e re që bën për vetë sa më shumë zgjedhës nga grupi i madh i të pavendosurve.  /Liberale.al/ 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH