Kryesore

Vera e ankthit

               Publikuar në : 09:28 - 04/07/20 liberale

Qysh nga hapja e vendit, para pesë javësh përhapja e sëmundjes ka ardhur në rritje, kurse masat që duhet të vijonin nuk po zbatohen në shumicën e rasteve. Mes rrezikut të infektimit dhe rrezikut të falimentimit shqiptarët duken se kanë zgjedhur të parin, ndërsa edhe kultura e konspiracionit bën të vetën

Një rekord i ri negativ u shënua dje në rastet e infektuar me corona virus, ndërsa tre persona humbën jetën, duke e çuar në 72 numrin e të vdekurve nga Covid-19 qysh nga fillimi i marsit. Në terapi intensive për të marrë trajtim spitalor gjendet edhe një fëmijë dy muajsh, i prekur nga Covid19, i cili është në gjendje të qëndrueshme bashkë me nënën.

Qysh nga hapja e vendit, para pesë javësh përhapja e sëmundjes ka ardhur në rritje, kurse masat që duhet të vijonin nuk po zbatohen në shumicën e rasteve. Shqipëria pati një nga mbylljet më drastike në Europë dhe si pasojë virusi u transmetua pak, përveç ditëve të para. Me hapjen, shtimi i rasteve ishte i pritshëm, por mungesa e masave dhe respektimi i rregullave të thjeshta që shmangin infektimin po rrisin shkallën e transmetimit. Fjala vjen në bare dhe restorante vihet re se masat anti COVID-19 zbatohen vetëm pjesërisht. Po kështu klubet e natës janë plot dhe askush nuk e ka mendjen të distanca apo maska. Hoteleria është problem. Vatra të nxehta dhe përhapëse mbeten bizneset dhe administrate publike. Fasoneritë vijojnë që prej marsit të mbeten vendet ku sëmundja ka më shumë terren. Ajo që ndodhi në Itali me infektimin e personelit mjekësor ndodhi edhe këtu, dhe para pak ditësh patëm dhe humbjen e jetës së parë të një mjeku.

Mosrespektimi i protokolleve vjen kryesisht për shkak të vendimit të administratorëve për të mos e shtrënguar shumë klientelën që edhe kështu është e pakët. Mbyllja tremujore shkaktoi rënie drastike të të ardhurave, shkurtime të vendeve të punës dhe falimentime të shumë kompanive. Një faktor tjetër është edhe kultura e mangët e qytetarëve. Shumë prej nesh besojnë se pandemia e COVID-19 është një konspiracion botëror dhe nuk përbën rrezik real për shëndetin.

Me turizmin që mezi po merr frymë dhe shtimin e rasteve qeveria po bën thirrje përditë për zbatim të masave anti- COVID-19, por kapacitetet e pakta dhe mangësitë  administruese të saj janë shumë larg monitorimit që do të duhej në këto momente. Nga ana tjetër një skenar fundor për rimbylljen është më i keqi edhe për qeverinë. Vetëm për tremujorin e parë rënia ekonomike ishte -2,5 përqind e PBB dhe pritet të thelohet më shumë tremujorin e dytë. Vetë qytetarët që në javët e para nuk e kishin shumë mendjen tek masat, apo nuk e kalonin nëpërmënd një rikthim në shtëpi, tanimë kanë nisur të shqetësohen, ndërsa lajmet për të infektuar kanë nisur t’i dëgjojnë edhe për të afërm të tyre, çka e bën të prekshme sëmundjen.

Qeveria

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, duke folur për situatën COVID në vend u shpreh se mosha mesatare e të prekurve nga ky virus në Shqipëri është 45 vjeç.  Duke thënë se rritja e rasteve pas hapjes ishte e pritshme, Manastirliu u shpreh se edhe persona që nuk kanë patologji të tjera, po shfaqin gjendje të rënduar.

“Ne jemi në javën e pestë pas rihapjes së madhe. Prisnim që do të kishte një shtim të rasteve. Ka kapërcyer pak pritshmërinë tonë, pasi mendonim se do të kishim shumë më shumë zbatim të rregullave”, tha ministrja. E pyetur përse ndodhi kjo rritje, Manastirliu tha: “Fakti që ne nuk kaluam tragjedinë e vendeve të tjera nuk do të thotë që rreziku nuk ekziston. Ajo çfarë ndodhi ishte një relaksim i sjelljes dhe intensifikim i kontakteve që solli rritjen e numrit të rasteve. Ajo që shohim është se ka prekur edhe mosha të reja. Mosha mesatare e të prekurve është ulur dhe është rreth 45 vjeç. Sipas raportimeve të Shërbimit Infektiv, ka raste të pacientëve që janë pa patologji të tjera dhe  kanë simptoma të rënda, janë të rriskuar”.

Duke folur për vatrat kryesore në vend, ajo u shpreh se Shkodra është qyteti me incidencën më të lartë në raport me numrin e popullsisë. “Ne jemi në 80 raste në Spitalin Infektiv, por duke patur parasysh skenarët jemi në 20% të kapaciteteve të zëna. Në maksimumin e shtrimeve kemi patur 80. Në terapi intensive në 10 ditëshin e fundit jemi në numra 10-12 raste. Nuk jemi në limite përsa i përket terapisë intensive dhe kemi kapacitete të terapisë intensive. Vatra kryesore, është Tirana, Shkodra dhe Durrësi. Përsa i përket incidencës Shkodra ka qenë me incidencën më të madhe në raport me popullatën”, u shpreh Manastirliu

Rritja e rasteve me koronavirus ka bërë që edhe shefi i Urgjencës në QSUT, Skënder Brataj t’u drejtojë një apel qytetarëve për të mbajtur maska

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Brataj i bën thirrje qytetarëve që të kujdesen për veten dhe të tjerët, duke mbajtur maska në ambientet e mbyllura.

Ekonomia

Për dy muaj e gjysmë, që kur filloi pandemia, gjysma e marsit-prill-maj, buxheti ka arkëtuar rreth 220 milionë euro (27 mld lekë) më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave zyrtare.

Në maj, tkurrja më e lartë erdhi nga tatimi mbi të ardhurat personale, që ra me 56%, e ndikuar dhe nga fakti që vitin e kaluar u shënua një rritje jo normale, për shkak të uljes së tatimit mbi dividendin që kishte dhe efekt prapaveprues, çka bëri që bizneset e mëdhatë shpërndanin fitimet e prapambetura.

E sivjetmja do të jetë një verë e gjatë dhe me sytë nga lajmet, prej nga pak ditë më parë u mësua se Europa për shkak të shkallës së lartë të infektimit me COVID-19 nuk hapi kufijtë me vendin tonë të paktën deri në 15 korrik.

Soreca: Lufta s’ka mbaruar ende, kontribuoni në sigurinë kolektive
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luiggi Soreca, me anë të një shënimi në rrjetet sociale, ka reaguar pas lajmit të autoriteteve të Ministrisë së Shëndetësisë për numrin rekord të të infektuarve me koronavirus në vend. Lidhur me faktin e 90 të infektuarve në 24 orët e fundit Soreca ka shkruar:

“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se lufta me koronavirusin nuk ka përfunduar ende. Mbajtja e distancës fizike në vende publike do të thotë eliminim i përhapjes së COVID-19. Kontribuoni në sigurinë kolektive! Mbani distancën fizike!”

Testime totale                         28033
Raste pozitive                         2752
Raste të shëruara                   1592
Raste Aktive                            1088
Humbje jete                             72

Remdesivir – ilaçi i parë i autorizuar kundër COVID-19

Komisioni Evropian (KE) ka miratuar përdorimin e ilaçit Remdesivir, për trajtimin e sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Ky është ilaçi i parë i miratuar në nivel të Bashkimit Evropian (BE) për trajtimin e koronavirusit.

Në deklaratën e KE-së thuhet se ky miratim, që u vendos me procedurë të përshpejtuar, vjen pas rekomandimit të Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA), dhe pas miratimin nga vendet anëtare të BE-së.

“Mbrojtja e shëndetit publik është një përparësi kryesore e KE-së, prandaj të dhënat për Remdesivirin janë vlerësuar në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër”, thuhet në deklaratë.

Komisionarja Evropiane për Shëndetin dhe Sigurinë e Ushqimit, Stella Kyriakides, vlerësoi se miratimi është një hap i rëndësishëm në luftën kundër këtij virusi.

“Kjo tregon qartë vendosmërinë e BE-së për të reaguar shpejt”, tha Kyriakides.

Remdesivir i përket një klase të ilaçeve të njohura si “zëvëndësim i nukleozidit” të cilat përdoren gjerësisht në trajtimin e kancereve, viruseve dhe infeksioneve të ndryshme.

Ende janë duke u bërë prova për efektivitetin e Remdesivirit në trajtimin e pacientëve me COVID-19, por ka shenja shpresëdhënëse se ilaçi është i dobishëm në trajtimin e sëmundjes, veçanërisht te pacientët në gjendje kritike.

Më 1 maj, Administrata e Ushqimit dhe e Barnave e SHBA-së lëshoi me urgjencë lejen për përdorimin e ilaçit intravenoz për pacientët e shtruar në spital.

Qindra raste të reja me koronavirus dhe dhjetëra viktima në Ballkan

Autoritetet në Serbi njoftuan të premten se në 24 orët e fundit kanë regjistruar 11 viktima nga koronavirusi.

Me këtë shifër, numri i përgjithshëm i të vdekurve në Serbi nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi, arrin në 298.

Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet po ashtu se autoritetet kanë identifikuar 309 raste të reja pozitive nga mostrat e testuara në 24 orët e fundit.

Nga fillimi i epidemisë në Serbi, në mes të marsit, 15,504 persona janë infektuar me koronavirus.

Në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq, të premten u raportua për shtatë viktima të tjera nga koronavirusi dhe 165 raste të reja.

Maqedonia e Veriut në total ka regjistruar 328 të vdekur nga COVID-19 dhe 6,787 raste pozitive.

Prej këtyre të fundit, 3,583 janë aktive.

Në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë deklaroi të premten se edhe tre persona kanë humbur jetën në këtë vend, si pasojë e koronavirusit.

Në komunikatën për media po ashtu thuhet se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 90 raste të reja.

Shqipëria ka konfirmuar gjithsej 2,752 raste me koronavirus, prej të cilave 72 kanë humbur jetën.

Mali i Zi po ashtu raportoi të premten për 47 raste të reja.

Ky vend, i cili në maj ka shpallur fundin e situatës epidemiologjike, ka regjistruar qysh në mes të qershorit 339 raste pozitive – prej tyre katër kanë humbur jetën.

Në total, Mali i Zi ka konfirmuar 616 raste pozitive dhe 13 viktima.

Në Kosovë, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus është 3,064. Prej tyre, 55 pacientë kanë vdekur dhe 1,707 janë shëruar.

Shifrat për 24-orëshin e fundit në Kosovë priten më vonë. /Gazeta Liberale

 

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back