Kryesore

Vendet që po ia dalin të rrafshojnë kurbën e koronavirusit

               Publikuar në : 22:32 - 03/04/20 liberale

Audrey Wilson

Shtetet e Bashkuara janë tani një epiqendër e pandemisë së koronavirusit, teksa modelet epidemiologjike të publikuara të martën sugjerojnë se sëmundja mund të infektojë miliona amerikanë në muajt e ardhshëm, duke shkaktuar vdekjen e midis 100,000 dhe 240,000. Spitalet në shtetin e Nju Jorkut, ku ka më shumë se 75,000 raste të konfirmuara, tashmë janë të mbingarkuar dhe po përjetojnë mungesën e pajisjeve kritike mjekësore, siç janë ventilatorët dhe pajisjet mbrojtëse. Parashikimet më të zymta tregojnë se virusi nuk e ka arritur ende pikun, dhe se situata do të përkeqësohet.

Në mesine pandemisë, Presidenti amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit e tjerë botërorë janë përballur me kritika për përgjigjen e tyre të ngadaltë dhe joefektive, pasi u bë e qartë se koronavirusi nuk do të ndalej në Kinë, nga ku e kishte origjinën. Vende të tjera si Tajvani, Singapori dhe Koreja e Jugut janë përmendur si histori relative suksesi në rrafshimin e kurbës, përpara se shifrat e infeksionit të rriteshin në mënyrë eksponenciale. Ndërsa shtetet bëhen gati për një krizë mbi njëmujor, më poshtë është një përmbledhje e Foreign Policy që tregon se si qeveritë dhe qytetarët në të gjithë botën janë përgjigjur ndaj kërcënimit të COVID-19, deri më tani.

Tajvani e regjistroi rastin e parë të koronavirusit në 21 Janar, por ka arritur të mbajë numrin e rasteve të konfirmuara në vetëm 329, me pesë vdekje, që nga 1 Prilli. Vendi është praktikisht jashtë Organizatës Botërore e Shëndetit (OBSH), pasi anëtarësimi zakonisht u jepet vetëm vendeve që janë anëtare të Kombeve të Bashkuara, që Tajvanin nuk e njohin. Por siç shkruante Hilton Yip më 16 mars, qeveria u hodh në veprim sapo u përhap lajmi në lidhje me një sëmundje misterioze në Vuhan. Tajvani, i cili ndodhet vetëm 100 milje nga Kina kontinentale, filloi të inspektonte udhëtarët që vinin nga qyteti më 31 dhjetor, vendosi një sistem për të gjurmuar ata që ishin në vetëkarantinë dhe rriti prodhimin e pajisjeve mjekësore në janar. (Tajvani nuk ka rifilluar ende eksportet e furnizimeve, përfshirë maskat kirurgjikale të fytyrës.)

Yip ia atribuoi përgjigjen e hershme dhe efektive të Tajvanit, përvojës në të kaluarën. “Duke pasur parasysh që Tajvani është përballur me gjithçka nga fqinji i tij gjigand – përhapja e lajmeve të rreme, kërcënimet ushtarake, mosnxjerrja e informacionit jetësor mjekësor gjatë shpërthimit të SARS në 2003 – vendi e di se duhet të jetë në vigjilencë të plotë, sa herë që shfaqet ndonjë problem i madh nga Kina”, shkruan ai.

Koreja e Jugut, e cila pati një nga shpërthimet më të mëdha fillestare jashtë Kinës, gjithashtu arriti të ngadalësojë përhapjen e rasteve të reja të koronavirusit, pa krijuar asnjë bllokim. Devi Sridhar argumentonte në 23 mars se modeli shembullor i vendit për testimin diagnostik masiv ishte mënyra e vetme për të frenuar shpërthimin – dhe vendet e tjera duhet të shikojnë në Azinë Lindore për të nxjerrë mësime. Koreja e Jugut, e cila ka një popullsi prej 51 milion banorë, teston më shumë se 20,000 njerëz çdo ditë në vendet e përcaktuara të testimit dhe përdor izolimin dhe gjurmimin e gjerë të kontakteve, për të thyer zinxhirët e transmetimit – siç rekomandohet nga OBSH. “Koreja e Jugut po tregon se si ky model përfundimisht ndihmon në zvogëlimin e përhapjes, presionin ndaj shërbimeve shëndetësore dhe mbajtjen ulët të nivelit të vdekjeve,” shkroi Sridhar.

Në Perëndim, Kanadaja arriti të kryejë testime më të gjëra se Shtetet e Bashkuara fqinje, siç shkruante Justin Ling më 13 Mars. Në janar dhe shkurt, Kanadaja filloi ngritjen e infrastrukturës për të kryer teste dhe gjurmim të kontakteve. Përgjigja e hershme erdhi pjesërisht nga përvoja që ky vend pati, gjatë shpërthimit të SARS në 2003. (Atëherë, Kanadaja ishte i vetmi vend jashtë Azisë që raportoi vdekje nga virusi.) Kanadaja ka një sistem të kujdesit shëndetësor publik të mirëfinancuar, dhe kriteret se kush mund të testohet për COVID-19 nuk janë aq të kufizuara sa në Shtetet e Bashkuara. “Kanadaja ka kaluar dy dekadat e fundit duke u përgatitur për këtë moment,” shkroi Ling. “Duke kapur rastet herët dhe duke hetuar origjinën e tyre, Kanadaja ka zbutur impaktin e virusit deri më tani.”

Disa histori suksesi janë të papritura. Në një podcast në Foreign Policy, Amy Mackinnon veçon reagimin e hershëm të Gjeorgjisë. Megjithë madhësinë e vogël dhe ekonominë në vështirësi, vendi filloi të merrte masa serioze në fund të shkurtit, duke përfshirë mbylljen e shkollave dhe kryerjen e testeve të përhapura diagnostikuese. Gjeorgjia deri më tani ka konfirmuar 117 raste dhe asnjë vdekje nga COVID-19. “Unë mendoj se fakti që qeveria e mori seriozisht që nga fillimi, ka ndihmuar shumë,” i tha Mackinnonit, gazetarja gjeorgjiane Natalia Antelava. Ka ndihmuar shumë edhe mentaliteti i gjeorgjianëve. “Ky është një vend që është mësuar me kriza, dhe është një vend që ka jetuar përmes luftërave civile dhe pushtimit rus në 2008, dhe një periudhë shumë të errët gjatë viteve ’90 pas rënies së Bashkimit Sovjetik,” tha Antelava.

Mackinnon intervistoi gjithashtu Jelena Ciric, një gazetare në Islandë, e cila ka një nga nivelet më të larta për frymë, të rasteve të konfirmuara të koronavirusit. Kjo është për shkak se ajo ka testuar më shumë njerëz për frymë sesa cilido vend tjetër në botë – një përpjekje e udhëhequr nga një kompani private e kërkimit mjekësor, me qendër në Reykjavik. Studimi do të përdoret për të informuar reagimin global ndaj pandemisë. “Ajo çfarë kjo strategji na jep në Islandë, është një pamje e qartë se si përhapet virusi nëpër popullatën e përgjithshme,” tha Ciric. “Rritja jonë në fakt nuk është bërë eksponenciale për shkak të këtyre masave të hershme të karantinimit të njerëzve, që kanë të ngjarë të ekspozohen ndaj virusit.”

Në të gjithë Evropën, shumë vende janë nën bllokim – por jo Suedia, e cila ka mbetur stoike mes shpërthimit dhe rrezikut të lartë. Vendi ka raportuar 4,947 raste, por qeveria po vë bast se kultura. Elartë e besimit, do të thotë që individët do të veprojnë me përgjegjësi pa u urdhëruar ta bëjnë këtë gjë, shkruante Nathalie Rothschild më 24 mars, duke raportuar nga Stokholmi. “Këtu ka një pritshmëri, që qytetarët të jenë në bindje të rregullave, që ata të marrin përgjegjësinë personale dhe të shmangin turmat, të punojnë nga shtëpia, të mbajnë distancën në transportin publik, dhe kështu me radhë, pa qenë të detyruar që ta bëjnë këtë”, shkruante ajo. Dy javët e ardhshme mund të zbulojnë nëse kjo është një llogari e bërë mirë.

Në vende të tjera, qytetarët nuk kanë aq besim në ekspertizën e qeverive të tyre. Në Rusi, jeta e përditshme vazhdoi normalisht deri në mes të marsit, kur ekspertët e mjekësisë filluan të dyshojnë statistikat zyrtare që tregonin një shkallë të ulët të infeksionit COVID-19. Qeveria nxitoi për të mbyllur kufijtë dhe shpallur një plan të madh stimulimi ekonomik, shkruante Reid Standish, duke raportuar nga Moska. “Nëse përhapja e vërtetë i virusit provohet të jetë më e lartë se sa tregohet në statistikat zyrtare, kjo do të nënkuptonte që qeveria ruse ka humbur shansin e saj për të ngadalësuar pandeminë,” shkruan ai.

Dy javë më vonë, duket se koronavirusi mund të paraqesë një sfidë serioze politike për Presidentin Vladimir Putin, siç raportoi Standish në 30 Mars. / Foreign Policy – Bota.al

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back