Aktualitet

Vdekja e punëtorëve,VV: Njerëzit po shkëmbejnë varfërinë me vdekjen

               Publikuar në : 18:16 - 17/08/19 R Liberale

Vetëvendosje deklaron se numri i punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës në Shqipëri është tronditës, por pavarësisht kësaj gjëndjeje interesat e atyre që e mirëmbajnë këtë gjendje nuk preken. Përmes një deklarate për mediat, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE në Shqipëri, thekson se situata nuk ka për të ndryshuar nëse nuk vihen para drejtësisë personat përgjegjës, ato kompani që shkelin të drejtat bazë të punëtorëve si dhe ata përfaqësues institucionesh që nuk marrin masa për të mbrojtur punëtorët.

Deklarata e plotë:

Ditën e djeshme, afër qendrës së Tiranës, dy punëtorë humbën jetën duke rënë nga skelat e një kantieri ndërtimi. Ata ishin dy burra në moshën 31 dhe 36 vjeçare. Dy punëtorë të tjerë u plagosën rëndë në të njëjtën ngjarje dhe u shoqëruan në urgjencë. Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE ! në Shqipëri shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e dy punëtorëve të vdekur, dhe ndjenjat më të ngrohta për dy të tjerët që ende janë të shtruar në spital, duke uruar për shërimin sa më të shpejtë të tyre.

Jemi të prekur thellë që kjo situatë nuk i takon një rasti të jashtëzakonshëm, por ështe kthyer në një gjendje normale. Numri i punëtorëve që kanë humbur jeten në vendin e punës është tronditës, por tronditja nuk ka cekur asnjëherë edhe institucionet përkatëse, as pjesën e ekzekutivit qe e ka si përgjegjësi direkte sigurinë e jetës dhe të kushteve të punës. Punëtorët në ndërtim apo miniera po humbin jetën, por interesat e atyre që e mirëmbajnë këtë gjendje nuk preken.

Situata nuk ka për të ndryshuar pa u vendosur para drejtësisë personat përgjegjës, ato kompani që shkelin të drejtat bazë të punëtorëve si dhe ata përfaqësues institucionesh që nuk marrin masa për të mbrojtur punëtorët. Për një pakicë, postet dhe privilegjet janë të patjetërsueshme, ndërkohë që po rritet numri i njerëzve të shfrytëzuar brutalisht të cilët kanë të trashëgueshme vetëm të drejtën e tyre të shkëmbejnë varfërinë me vdekjen.

Ndryshimi nënkupton një tjetër model qeverisës që i mbron punëtorët përmes shtetit të së drejtës dhe shtetit social, që jetën dhe të drejtat e punëtorëve e vendos përmbi çdo interes financiar.

17 gusht 2019

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Qendra në Shqipëri

(Visited 66 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *