Medium Personazhe

Vdekja e njeriut që po trazon Amerikën

               Publikuar në : 20:30 - 05/06/20 liberale

George Floyd, një 46-vjeçar me ngjyrë, vdiq në Mineapolis më 25 maj, pasi një oficer policie e kishte shtrirë në tokë duke e mbajtur me gjurin e tij në pjesën e qafës për disa minuta e duke injoruar thirrjet e tij për ndihmë.

Ngjarja u filmua nga një kalimtar dhe më pas bëri xhiron e rrjeteve sociale dhe mediave, duke shkaktuar zemërim në mbarë botën.

Protestat për vdekjen e Floyd u përhapën me shpejtësi në disa qytete të SHBA në solidaritet me racizmin sistematik në vend dhe lëvizjes “Black Lives Matter” (Jeta e njerëzve me ngjyrë është e rëndësishme).

Protestat u shtrinë edhe më gjerë në botë duke përfshirë, Sidnej, Londër, Stamboll, Paris dhe Berlin.

Çfarë ndodhi ditën që vdiq George Floyd?

Punonjësi i një dyqani në Mineapolis telefonoi policinë më 25 maj për t’i lajmëruar se një person në gjendje të dehur kishte përdorur kartëmonedha false për të blerë cigare, sipas një tabulati të publikuar më vonë të telefonatës.

Në videot e disa dëshmitarëve dhe të kamerave të sigurisë të ambienteve përreth duket momenti kur mbërrin policia dhe detyrojnë Floyd të dalë nga makina e tij. Një tjetër video, e cila u bë menjëherë virale në rrjetet sociale, duket Floyd i shtrirë në tokë ndërsa një oficer policie vendos gjurin në qafën e tij për ta mbajtur të shtrirë në tokë.

Floyd dëgjohet qartazi që i kërkon policit që ta lejë të lirë duke i përsëritur se nuk merr dot frymë dhe se është në dhimbje, por polici injoron lutjet e tij dhe thirrjet e dëshmitarëve për ta lënë të lirë.

Oficeri, i cili më pas u identifikua si Derek Chauvin, nuk e lëshoi derisa erdhi ambulanca në vendngjarje, duke e mbajtur gjurin në qafën e Floyd për rreth 9 minuta.

Sipas një raporti mjekësor në Minesota, Floyd nuk kishte puls gjatë kohës kur po transportohej me ambulancë, ndërsa me të mbërritur në spital u shpall se Floyd kishte ndërruar jetë.

FBI nisi hetim të menjëhershëm dhe katër oficerët e policisë e përfshirë në ngjarje u pushuan nga puna ditën e nesërme.

“Të jesh me ngjyrë në Amerikë nuk duhet të jetë dënim me vdekje … kur dëgjon dikë që thërret për ndihmë, supozohesh që duhet ta ndihmosh. Oficer dështoi në sensin më bazik dhe human”, tha kryetari i bashkisë së Mineapolis Jacob Frey.

Dy ditë pas vdekjes së Floyd, mbi Chauvin rëndonte akuza për vrasje të shkallës së tretë, e cila më pas u kthye në akuzë për vrasje të shkallës së dytë pasi autopsia zbuloi se Floyd kishte vdekur nga asfiksia.

Videoja virale sillte ndër mend incidentin e 2014 ku u përfshi Eric Garner, i cili vdiq pasi policia e kishte mbërthyer 44-vjeçarin nga qafa teksa ai i lutej që ta lëshonte pasi nuk merrte dot frymë.

Më pas vdekja e 25-vjeçarit Ahmaud Arbery i cili po ndiqej dhe më pas u qëllua me armë nga dy burra në Xhorxhia në shkurt. Avokati i tij deklaroi më pas për mediat se i riu kishte dalë për vrap.

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back