Globi

Vdekja e 29-vjeçares shtatzënë, babai: Mjekët thanë se ishte mirë

Shkruar nga Liberale
Vdekja e 29-vjeçares shtatzënë, babai: Mjekët thanë

Gruaja 29 vjeçe nga Prizreni vdiq bashkë me foshnjen e saj, ndërsa në muajin dhjetor ajo do t’i mbushte një vit martesë. Ishte infektuar me Covid dhe ndonëse më vonë rezultoi negative, ajo nuk mundi të dalë e gjallë nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Ardita Martinaj-Pervizaj nga Prizreni ka vdekur të enjten në QKUK. E ndjera kishte hyrë në muajin e shtatë të shtatzënisë dhe po priste të sillte në jetë fëmijën e saj të parë. Ditë më parë ajo kishte rezultuar pozitive në testin për koronavirus, mirëpo në ritestimin e fundit rezultoi negative.

Babai i Arditës, Qamil Martinaj, ka rrëfyer për Gazetën Express momentet e fundit me vajzën e tij. Teksa foli për të, Qamili tha se Ardita ka qenë më e shëndosha në familje, sipas tij, ajo nuk ka ankuar nga asnjë sëmundje përveç kollës së fundmi.

“Të premten e pati një kollë, të shtunën e pata te mjeku ja përshkruajti do hapa, paracetamol, surup, të dielen pak ju ndal kolla. Kollë të madhe s’ka pas e as temperaturë. Të dielen e çova në Spital në Prizren, ja kanë vendos një infuzion, i kanë bërë analizat dhe i kanë dalë mirë”, tha ai.

Më pas ai tha se vajzën e kanë udhëzuar për në QKUK në Prishtinë dhe pasi ajo është shtrirë në klinikë, prindi tha se ajo i ka thënë familjes se është mirë dhe nuk është dashur të udhëtonin për në Prishtinë për ta parë.

“Erdha në shtëpi me i marrë rrobat me ja çu në spital, kur e pash në orën 13:00 e kishin qitë në Emergjencë për me nisë për Prishtinë. I pyeta me urdhër të kujt po e dërgoni në Prishtinë, më thanë që ashtu i kanë thënë në spital. Kemi shku në Prishtinë, me vetedije ka qenë, kemi ndejur me të”, tha ai më tej, duke treguar 29 vjecarja shtatzënë priste vajzë.

Ai tha se për vdekjen e së bijës nuk kanë ndonjë dyshim te mjekët dhe rastin nuk e kanë hapur në polici. Megjithatë pohoi se mjekët i kanë thënë familjes se Ardita është mirë.

“Doktorët na kanë thënë se ajo është mirë, nuk kemi hapur rast në polici…Vetëm kollë ka pas, as temperaturë as asgjë s’ka pas. Nuk kam ndonjë dyshim te mjekësia. I kemi thënë nëse ka ndonjë komplikim te foshnja shpëtojëni të madhen, i kemi nënshkru krejt letrat për me hy në operacion”, shtoi ai.

Ai tha se Ardita është martuar në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa dhimbja për vdekjen e saj është e madhe edhe në familjen e burrit, në Krajk të Prizrenit.

“Ardita është martu më 26 dhjetor të vitit të kaluar… Dhimbja është e madhe edhe për ata”, përfundoi ai.

Çfarë thanë në QKUK për vdekjen e 29 vjeçares?

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka njoftuar të enjten se në Mjekimin Intensiv Qendror Covid, ka ndërruar jetë një grua shtatëzënë nga komuna e Prizrenit, e lindur në vitin 1991.

“Ajo ishte e diagnostikuar me Covid-19 dhe fillimisht ishte pranuar në Klinikën Infektive, por për shkak të komplikimeve, ishte transferuar në njësinë intensive Covid. Në ritestimin e datës 17 nëntor, ajo kishte rezultuar negativ, por vazhdonte të kishte gjendje të rënduar shëndetësore. Përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi shëndetësor, ajo pas disa ditësh mjekimi nuk arriti të mbijetonte”, u than ë njoftimin e QKUK-së.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH