Kryesore

Varianti Delta, trokitje drejt vaksinimit të detyrueshëm?

               Publikuar në : 10:19 - 26/07/21 liberale

Ministria e Shëndetësisë konfirmoi praninë e variantit Delta në Shqipëri. Ministrja Manastirliu theksoi vaksinimin si arma më e fuqishme,ndërsa Europa është përfshirë nga valë protestash kundër nismave si “pasaporta e gjelbër” dhe shtimi i masave kufizuese. OBSH ka ngritur alarmin e rënies së shifrave të vaksinimit, ndërsa vjeshta shton rrezikun për rritjen e infektimeve

Ndërsa qytetet kryesore të Europës janë përfshirë nga protestat kundër vaksinimit dhe kufizimeve,  ministrja e Shëndetësisë konfirmoi dje se në Shqipëri ka hyrë varianti Delta i koronavirusit.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, ky konfirmim përkon me rritjen e rasteve të infektimit në dy javët e fundit. Apeli ndaj qytetarëve sillet në dy mesazhe kryesore; vaksinimi në qendrën më të afërt dhe respektimi i masave të caktuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Varianti Delta i infeksionit Sars-Cov2, sipas komuitetit të mjekëve, është varianti më i transmetueshëm.

“Vaksinimi, shpëton jetë! Vaksinat veprojnë, ato reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet”, thuhet në njoftimin e Ministrisë ndërsa pak ditë më parë u fol mbi idenë e vaksinimit derë më derë të popullsisë.

Sipas të dhënave zyrtare, në vend  janë kryer më shumë se një milion vaksinime dhe afro pesëqindmijë shtetas kanë marrë të dyja dozat e vaksinave, që variojnë nga prodhimet Pfizer, AstraZeneca, Sinovac e Sputnik V.

Që prej marsit, qeveria shqiptare  ka nisur fushatën e vaksinimit masiv kundër Covid-19, duke kaluar nga grupmoshat e rrezikuara tek ato më të reja.

Dje, ministrja Manastirliu theksoi edhe njëherë vaksinën si arma më e fuqishme e luftimit të virusit bashkë me respektimin e masave kufizuese.

Hyrja e variantit Delta në Europë ka theksuar jo vetëm rikthimin e masave kufizuese, por edhe prezantimin e të ashtuquajturës pasaportë të gjelbër.

Certifikata e vaksinimit tanimë nuk shihet si një mjet, që do u lejojë qytetarëve të lëvizin lirshëm nga shteti në shtet, por edhe si fjalëkalimi për të marrë disa shërbime.

Kalimi i projektligjit në Francë, solli protesta në Paris ku qindra mijëra ngritën zërin kundër pasaportës së gjelbër dhe rikthimit të kufizimeve, ndërsa pandemia është në të dytin vit.

Francezët protestuan  kundër këtij  projektligji, që i kërkon secilit person të ketë leje speciale për të hyrë në restorante dhe institucione tjera publike.

Përmes tij, autoritetet franceze e kanë bërë të detyrueshëm vaksinimin e gjithë stafit shëndetësor.

Projektligji mëton të zgjerojë përdorimin e “pasaportës shëndetësore”, që tani kërkohet për hyrje nëpër muze, teatro, dhe zona turistike. Nëse ndryshimet miratohen, kjo pasaportë më pas mund të kërkohet edhe në bare e restorante, dhe disa hapësira tjera.

Në Paris, policia ka hedhur gaz lotsjellës ndaj protestuesve që kanë bërtitur “Liri”.

Për të siguruar këtë pasaportë, banorët e Francës duhet të jenë të vaksinuar plotësisht, të kenë test negativ për koronavirus, apo të kenë vërtetim se janë të shëruar nga virusi.

Debati për këtë dokument është zhvilluar teksa autoritetet franceze janë duke regjistruar mbi 20 mijë  raste të infektimit me koronavirus në ditë.

Edhe në Itali, mijëra persona u mblodhën  në Romë, Milano, Verona, dhe qytete tjera, më 24 korrik, në protesta paqësore, kundër vendimit të qeverisë italiane për t’iu kërkuar banorëve të ashtuquajturën “pasaportë të gjelbër”, për të hyrë në ambiente të mbyllura nëpër restorante, kinema dhe hapësira tjera.

Policia në Greqi, ndërkaq, ka përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji, për të shpërndarë protestuesit e mbledhur në Athinë, për të kundërshtuar vaksinimet e detyrueshme.

Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, shumica e amerikanëve që nuk janë vaksinuar kundër COVID-19-s thonë se nuk ka gjasa që ata të vaksinohen dhe kanë dyshime për efektivitetin e vaksinave kundër variantit agresiv të koronavirusit Delta, pavarësisht se të dhënat tregojnë të kundërtën.

Në Shqipëri, mediat publikuan pak ditë më parë përmbajtjen e mesazheve drejtuar mësuesve nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, ku flitej për vaksinim të detyruar deri në shtator.

Kjo drejtori sqaroi më pas se bëhej fjalë për një rekomandim i Komitetit të Ekspertëve  dhe se vaksinimi nuk ishte i detyruar.

Stafet në sektorët e shëndetësisë apo të etiketuar ndryshe si në “vijën e frontit” gatë pandemisë ishin të parët që u vaksinuan, duke u lënë vendin më pas punonjësve në sektorë të tjerë si arsimi apo edhe transporti publik.

Por megjithë thirrjet e krerëve të qeverive në Europë për vaksinim duke alarmuar për dyfishim të rasteve në rast të kundër, ishte Organizata Botërore e Shëndetit ajo që ngriti alarmin për rënie të shifrave të vaksinimit, duke thënë se kjo tendencë mund të kushtonte jetë njerëzish. Edhe presidenti amerikan, Biden shprehu zhgënjimin për ngadalësimin e vaksinimit, duke e cilëuar si proces tejet të rëndësishëm.

Por megjithëse zyrtarisht është folur për vullnet të lirë të qytetarëve që i nënshtrohen procesit të vaksinimit, si një masë më efikase dhe afatgjatë ndaj Covid-19,prezantimi përmes projektligjeve i nismave si “pasaporta e gjelbër” , e cila do të përdoret për hyrjen në ambiente publike si muze, teatro, palestra, supermarkate, hotele, bare e restorante po e ngushton çdo ditë e më shumë konceptin e lirisë së qytetarëve dhe vaksinimin si vullnet të lirë. Tablo që i ka çuar edhe njëherë europianët, ashtu si edhe vitin e kaluar, të protestojnë në emër të “lirisë”. Por në përballje me virusin dhe me variantet e reja, për të cilët ekspertët e komunitetit shkencor lajmërojnë probabilitet më të lartë infektimesh, qeveritë shkojnë edhe në masa më drastike, si karantina, të cilën bota e shekullit XXI e ka jo fort të lehtë ta harrojë dhe i druhet çdo ditë rikthimit.

Shifra

1,134,085

Vaksinime janë kryer në Shqipëri, qysh prej nisjes së fushatës

496,714

Qytetarë janë vaksinuar  me të dy dozat e vaksinës anticovid.

130,139

Qytetarë  janë shëruar  nga Covid-19, që prej nisjes së pandemisë

Ministria e Shëndetësisë: Asnjë humbje jete, 22 raste të reja në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë ka publikuar të dhënat e fundit sa i përket ecurisë së COVID-19 në vend. Gjatë 24 orëve të fundit, në vendin tonë janë regjistruar 22 persona të infektuar.

Njoftimi i plotë i MSH:

Nisur nga konfirmimi i qarkullimit të variantit Delta në Shqipëri, MSHMS apelon qytetarët të vaksinohen sa më parë, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm. Vaksinat reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.

Varianti Delta i infeksionit Sars-Cov2 është varianti më i transmetueshëm, ndaj respektimi i masave të distancimit fizik, vendosja e maskave në ambientet e brendshme dhe higjena, janë thelbësore për kufizimin e përhapjes së virusit.

Për çdo dyshim, kontaktoni me mjekun tuaj të familjes për t’u testuar ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin unik 127.

Ju informojmë për situatën në 24 orët e fundit, si vijon:

Janë kryer 4,078 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me Covid19, 22 qytetarë, në këto bashki: 4 raste në Elbasan, 3 raste në Tiranë, Kurbin, Kukës, 2 raste në Lezhë, Gjirokastër, Dimal, 1 rast në Kavajë, Vlorë, Fushë- Arrëz.

Aktualisht janë 280 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin.

Në Spitalin Infektiv po marrin trajtim spitalor të specializuar 9 pacientë.

Në 24 orët e fundit nuk ka asnjë humbje jete me Sars-Cov2 pozitiv.

Janë shëruar 14 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 130,139 që nga fillimi i epidemisë.

Tritan Kalo zbulon simptomat e variantit Delta

Mjeku i njohur infeksionist, Tritan Kalo, u ka bërë apel qytetarëve, që kanë simptoma të variantit Delta të koronavirusit, që të vetëizolohen duke deklaruar se në Shqipëri mund të ketë persona të infektuar me këtë sëmundje.

Postimi i plotë i mjekut:

Kohë kovidiane…..24.07.2021…..Fundjavë të bardhë, të paqtë dhe shplodhëse miq, të afërt, kolegë dhe bashkëkombas…..RIKUJTESË për pushuesit në brigjet e Adriatikut, të Jonit dhe jo vetëm……”Gripi i verës” apo ethja 3-5 ditore është një virozë, e cila ka shënja klinike pothuajse plotësisht të njejta me shfaqjet klinike të variantit “Delta”, të infeksionit të shkaktuar prej virusit Sars-Cov2/Covid-19, me: temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh e kyçesh, këputshmëri e shpesh dhimbje barku të bashkshoqëruara me të përziera ose/dhe të vjella e heqje barku/diarrhe, POR pa çrregullime të shijes dhe/ose nuhatjes (të cilat nuk vërehen në këtë variant të Covid-19) dhe pa lëndime të rënda të vijave të poshtme të frymëmarrjes (të cilat fatmirësisht janë më pak të shpeshta si në të vaksinuarit po ashtu edhe në ata të prekurit nga Covid-19 i variantit “Delta” të infeksionit prej virusit Sars-Cov2), dhe me “test të shpejtë” ose “PCR-real time” për Sars-Cov2 NEGATIV…..Në mesin e të sëmurëve me shënjat e mësipërme, mundet të ketë pa dyshim edhe të infektuar me variantin “Delta” të virusit Sars-Cov2/Covid-19, sidomos persona shqiptarë ose të huaj të ardhur për pushime nga vënde ku ky virus është mjaft i përhapur si Britania e Madhe, Francë, Itali, Hollandë, Greqi, Spanjë, Gjermani, etj….

Këta persona duhet të jenë shumë lart të VETNDËRGJEGJËSUAR, për t’u vetëizoluar deri në sqarimin e shkakut të gjëndjes së tyre klinike…..Po ashtu edhe personeli i Qëndrave Mjeksore në zonat e pushimeve dhe jo vetëm, duhet të rrisin vigjilencën epidemiologjike ndaj të sëmurëve me shënjat e mësipërme që ata/ato vizitojnë….. Në ndërkohë kur dhe ku është e mundur të MOS hezitojmë të vaksinohemi, që të ulim sa të jetë e mundëshme numurin e të infektuarve nga virusi Sars-Cov2/Covid-19…..”Flama mbarëbotërore” nuk është shuar apo mposhtur plotësisht, edhe pse “pjesa më dramatike” e kësaj Pandemije është luajtur tashmë, dhe VETËKUJDESJA si dhe KUJDESJA ndaj atyre që gjallojnë pranë nesh nuku duhet nënvlerësuar….NE mantelbardhët dhe i gjithë personeli tjetër shëndetsor jemi aty ku duhet të jemi, në vijën e parë të përballjes me Pandeminë nga Sars-Cov2/Covid-19 që me Punën, Profesionalizmin, Përkushtimin dhe Përkujdesjen tonë, t’ju vimë në ndihmë nëse JU do të prekeni nga një infeksion i tillë mjaft jetëlëndues e disa herë jetëmarrës…..Together forever!!!

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back