Dossier

UET Press/Vangjel Zhaba, të panjohurat e një shqiptari në Bukuresht

               Publikuar në : 09:57 - 03/08/19 Fedhon Meksi

Fedhon Meksi

Nga Rumania, Vangjel Zhapa hartoi një program të plotë për rimëkëmbjen e Labovës, sipas të cilit u ndërtua shkolla, e njëjtë me shkollat më të mira të Greqisë, së bashku me konviktin. Përbri shkollës u ndërtua gjithashtu punishtja e avlëmendit, ku, në drejtimin e dy mësueseve të huaja, vajzat labovite dhe të fshatrave përreth, mësuan, përveç endjes në avlëmend, edhe punë dore, qëndisje, rrobaqepësi etj.

Sipas planit të Vangjel Zhapës, u ngrit gjithashtu qendra e shërbimit shëndetësor dhe farmaceutik, që u shërbente falas nxënësve, si edhe familjeve të varfra. Mjekët dhe farmacistët që paguheshin nga fondet e Zhapës, u shërbyen labovitëve deri në vitin 1945.

Sipas planit të Vangjel Zhapës, u sistemuan gjithashtu ujërat e bollshme të fshatit, u ndërtuan gjashtë çezma dhe u shtrua me kalldrëm rruga deri mbi fshatin Karjan afër Gjirokastrës, si edhe të gjitha rrugicat e brendshme të fshatit.

Të gjitha familjet e varfra të Labovës së Madhe, Çetës së Vogël dhe Tërbuqit ndihmoheshin financiarisht çdo vit, ndërsa vajzat e varfra martoheshin me pajat që bliheshin me fondet e caktuara nga Vangjel Zhapa.

Siç u përmend edhe më lart, në Bankën Kombëtare të Greqisë u depozitua një shumë e konsiderueshme parash, interesat e të cilave u përdorën për arsimimin e të rinjve nga vendlindja e tij në shkollat bujqësore të Europës, si dhe për botimin e broshurave të thjeshta që përmbanin instruksione për kultivimin e bimëve dhe të drurëve frutorë.

Në fshatrat e tjerë të Rrëzës, Vangjel Zhapa ndërtoi edhe disa objekte kulti: dy kisha, një manastir dhe një xhami në fshatin Hormovë që ndodhet fare pranë Labovës.

Vangjel Zhapa vdiq në vitin 1865, por ndihmat për Labovën nuk reshtën, ngaqë ishin të përcaktuara me hollësi dhe saktësi në testamentin e tij që u përpilua në vitin 1860. Në testament fillimisht janë caktuar pagat e Mbikëqyrësve të Labovës, që do të kujdeseshin për ndarjen e drejtë dhe të paanshme të të hollave. Procedurat e zgjedhjes së përvitshme të mbikëqyrësve të Labovës ishin të përcaktuara nga testamenti në këtë mënyrë:

“Çdo 2 shkurt të mblidhen në Labovë, që është vendi i shenjtë i takimit me Zotin, të gjithë ata labovitë që kanë mbushur moshën 25 vjeç dhe nuk janë akuzuar për vepra kriminale të ndryshme, për të zgjedhur mbikëqyrësit, të cilët, pasi të jenë zgjedhur me shumicë votash, duhet t’i dorëzojnë komunitetit një dokument të nënshkruar për pasurinë e tyre deri në momentin e zgjedhjes”.

Në testamentin e Vangjel Zhapës ishin paracaktuar gjithashtu në mënyrë të qartë edhe burimet financiare që do të duheshin për shtimin e numrit të klasave sipas rritjes së numrit të nxënësve, për pajisjen e vazhdueshme të shkollës me orenditë e nevojshme dhe mjetet e tjera didaktike, që do të ishin të njëjta me ato të shkollave më të mira të Greqisë dhe veçanërisht, për plotësimin e vazhdueshëm të fondit të bibliotekës me libra të rinj, si edhe për rrogat e mësuesve.

Në testamentin e Vangjel Zhapës përmenden gjithashtu edhe burimet financiare për mirëmbajtjen e kishave (në Labovë kishte rreth 7-8 kisha), për rrogat e priftërinjve, psaltëve, si dhe për ndihmën e përvitshme për të vobektit e tre fshatrave (Labova e Madhe, Labova e Vogël dhe Tërbuqi).

Por, “Vitet e mëpastajme treguan katërcipërisht se amanetet e Vangjel Zhapës që ishin për shqiptarët dhe Shqipërinë, rrodhën në drejtime të tjera. Vetë komisioni i caktuar për zbatimin e testamentit të Vangjel Zhapës i vendosur në Athinë, abuzonte haptas kur fliste për shkolla greke. Në të vërtetë aty shënohej “vetëm për shkolla”, pa cilësuar gjuhën e mësimit. Madje ata që kishin pasur rastin të lëçitnin testamentin, dëshmonin se aty zihej ngoje edhe fjala Shqipëri, pra edhe gjuha shqipe”. “Pas fitores së Pavarësisë, posaçërisht pas nisjes së mëkëmbjes së shtetit shqiptar, doli sheshit se ku kishin shkuar dhe ku shkonin ende paratë e shumta të testamentit të Zhapës. Në vitet ’30 të shekullit XX, ashtu si për testamentet e tjera të shqiptarëve të depozituara në bankat greke, ashtu edhe për testamentin e Zhapës, u tha hapur se në mënyrën të padrejtë, ishte abuzuar dhe spekuluar dhe ende po vazhdonte historia në këtë udhë. Sipas gazetës “Vatra” të Tiranës, vetë trashëgimtarët e Vangjel Zhapës kishin akuzuar Kostandin Zhapën, i cili si kujdestar ose dorëzënës për zbatimin e testamentit të Vangjel Zhapës, kishte lënë tërë pasurinë e Vangjelit në të mirë të Greqisë dhe të grekëve. Vatra pohonte se po zbulohej pasuria e testamentit të Zhapës që, sipas gjasës, duhet të ishte 90 milionë franga ari dhe duhej të ndahej midis trashëgimtarëve, që të gjithë shqiptarë dhe vetë katundit të tij, Labova e Madhe, për të cilin Vangjel Zhapa kishte lënë një shumë të madhe të hollash për shkolla dhe për dobi të tjera publike”. Sipas gazetës “Kirika” të Janinës, labovitët e atjeshëm kishin krijuar një Lidhje (shoqatë) për të rivendikuar të drejtat që i takonin fshatit të tyre prej testamentit të Zhapës. Gazeta “Vatra” e quante të pamjaftueshme vetëm nismën e emigrantëve labovitë të Janinës. Pra duhej të shtohej qarku i anëtarëve, duke përfshirë edhe labovitë të tjerë. Në këtë rast, që çështja të merrte seriozitet më të madh, duhej të shfaqej si rivendikonjëse vetë pleqësia e Labovës. Por mbi të gjitha duhej të dëgjohej zëri i shtetit shqiptar, i cili në të vërtetë nuk e pati jehonën e duhur. Duke u marrë me testamentin e Zhapës, gazeta “Vatra” shkruante në numrat e shtatorit të vitit 1934, se ajo që po ndodh me Labovën e Madhe ishte “për të vënë ulërimën”. /Gazeta Liberale

(Visited 211 times, 1 visits today)

Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *