Kryesore

Vaksina anticovid, negociatat për ta sjellë në Shqipëri

               Publikuar në : 10:26 - 25/08/20 liberale

Dhjetëra miliarda dollarë janë duke u investuar nga korporatat e sektorit privat dhe qeveritë, prandaj ka shumë të ngjarë që vaksina së pari do të shpërndahet në popullatat e vendeve të pasura. Autoritetet shqiptare premtojnë se janë në bisedime me kompani të ndryshme dhe se vaksina kundër COVID-19 do të jetë falas

Një debat është hapur ditët e fundit nga opozita dhe shumë faktorë të tjerë se përse qeveria nuk është futur ende në një garë për sigurimin e vaksinës anti-Covid, në një kohë kur shumë vende kanë nisur të porositin sasi të mëdha në kompani të ndryshme farmaceutike që po punojnë për prodhimin e saj. Vendet fqinje me ne si Greqia dhe Maqedonia kanë bërë me dije se e kanë siguruar vaksinën anti-covid sapo ajo të jetë gati. Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe ka njoftuar që shteti do të shpërndajë falas për popullin vaksinën kundër Covid 19.

“Kemi dy mekanizma për momentin për blerje. Njëri është mekanizmi Kovaks, përmes OBSH-së dhe Aleancës së Imunizimit. Ne kemi nënshkruar një letër qëllimi dhe ky mekanizëm lejon që vendeve tu shpërndahen në mënyrë të barabartë vaksinat sipas madhësisë së popullsisë kur hyjnë në treg, nga secili prodhues i njëpasnjëshëm.”, thekson Filipçe.

Ai tha se kanë marrë një ofertë nga ambasada polake për furnizim me vaksinën.

“Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale me kompaninë e vaksinave në Oksford, Astra Zeneka. Ne morëm një ofertë nga Polonia që të sigurojë një sasi të përshtatshme edhe për ne, sepse nuk do të kemi mundësinë për një marrëveshje bilaterale. Konkretisht, me të dy mekanizmat, ne sigurojmë që vaksina të jetë në dispozicion të qytetarëve tanë, pa pagesë”, tha Filipçe.

Po kështu Greqia ka njoftuar se ka siguruar 3 milionë vaksina që sipas kryeministrit do të shpërndahen falas.

Shqipëria duket më prapa këtyre lajmeve që vijnë nga fqinjët, por gjithsesi ekspertet e Shëndetit Publik në deklaratat e tyre të fundit kanë thënë se janë në bisedime për të siguruar sapo ajo të jetë gati. Vaksina është premtuar gjithashtu se do të jetë falas për shqiptarët. Injektimi i saj nuk do të jetë i detyrueshëm, por ata që duan ta bëjnë do ta përfitojnë pa pagesë.

Specialistja e shëndetit publik, Silva Bino gjatë inaugurimit të Qendrës Shëndetësore në Kombinat bëri me dije se ende nuk ka një vaksinë gati por shteti shqiptar është në bisedime me disa vende. “Akoma bota nuk ka një vaksinë të sigurt. Janë 7 vaksina të cilat e kanë kaluar fazën e dytë. Janë vaksina tepër premtuese. Është një iniciativë botërore, që është iniciativa e Kovaksit, që është një aleancë mes shumë vendeve dhe natyrisht nën udhëheqjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Natyrisht ka iniciativa të Bashkimit Europian, të cilat do të vlerësohen natyrisht dhe ne do të sjellim atë vaksinë që është efikase”.

Lidhur me këtë debat edhe zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli sqroi pak ditë më parë se “nuk ka ende një tablo të qartë se kush nga vaksinat që po testohen është efikase dhe për këtë arsye qeveria është duke fituar kohë për të vepruar më pas dhe për t’ia ofruar atë falas qytetarëve. Ne jemi shumë të kujdesshëm dhe vigjilentë në vlerësimin e të gjithë situatës në vendet ku mendohet se do të krijohet vaksina. Jemi të futur dhe aktivë në grupin e Covax që drejtohet nga OBSH dhe disa organizata të tjera që kanë aksesin në shumicën e vaksinave që po bëhen në botë dhe investon në zhvillimin e tyre. Po shikojmë dhe drejtimet e tjera të vaksinave si ajo e Oxford. Po tregohemi të kujdesshëm që të mos na humbasë asgjë nga momenti i parë. Kur të fillojë vaksina të kemi dhe ne mundësinë t’ua mundësojmë falas qytetarëve tanë”.

Gara për të zbuluar vaksinën

Derisa shumë shtete janë duke kërkuar një zgjidhje të shpejtë për të luftuar pandeminë me koronavirus, më shumë se 170 vaksina janë duke u zhvilluar nga ekipet hulumtuese në universitete dhe laboratorë nëpër botë. Disa nga to tashmë janë duke u testuar në njerëz. Vaksinat zakonisht kërkojnë hulumtim dhe testim të gjerë ndër vite para se të hyjnë në përdorim. Por, presioni ekonomik dhe ai politik kanë shtyrë shkencëtarët që të shpejtojnë procesin e hulumtimit për zhvillimin e vaksinës kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi. Tashmë është njoftuar për disa zhvillime të suksesshme rreth vaksinës eventuale, por do të duhet ende kohë që bota të ketë një vaksinë efektive dhe të sigurt.

Kur vaksina të jetë gati, kush do ta ketë së pari?

Dhjetëra miliarda dollarë janë duke u investuar nga korporatat e sektorit privat dhe qeveritë, prandaj nuk ka dyshime se shpërndarja e vaksinës nuk do të bëhet në mënyrë të drejtë. Mbretëria e Bashkuar ka investuar 79 milionë në vaksinën e Universitetit të Oksfordit, në këmbim të 30 milionë dozave. Ky program është zhvilluar në bashkëpunim me kompaninë AstraZeneca, duke u premtuar Shteteve të Bashkuara 300 milionë doza të vaksinës, në këmbim të 1.2 miliard dollarëve.

Bashkimi Evropian po ashtu ka ndarë 2.3 miliardë dollarë për Strategjinë e Vaksinës Evropiane, për të siguruar se i gjithë blloku evropian do të ketë qasje në vaksinë.

Ka shumë të ngjarë që vaksina së pari do të shpërndahet në popullatat e vendeve të pasura, me pak ose aspak shpërndarje në vende të varfra dhe me popullsi të dendur, të paaftë për të përballuar vaksinat.

Cikli i zhvillimit të vaksinës

Para se të futen në përdorim, vaksinat kalojnë në disa faza të zhvillimit:
Faza kërkimore
Faza para-klinike
Zhvillimi klinik
– Në fazën e parë, testohen grupe të vogla të njerëzve.
– Në fazën e dytë, studimi klinik zgjerohet dhe vaksina testohet në njerëz me karakteristika të caktuara.
– Në fazën e tretë, vaksina testohet në mijëra njerëz për efikasitet dhe siguri.
Rishikimi dhe aprovimi
Prodhimi
Kontrollimi i kualitetit
Deri më 11 gusht, 2020, më shumë se 170 vaksina potenciale janë regjistruar në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Zbulimi rus

Rusia së fundi ka njoftuar se është duke planifikuar prodhimin në masë dhe vaksinimin në masë të popullatës me vaksinën e quajtur Sputnik V, vaksinë kjo që sipas disa shkencëtarëve është zhvilluar në një proces që ka kapërcyer masat e rëndësishme të sigurisë që bëjnë pjesë në fazën e tretë të ciklit zhvillimor të vaksinës. Zhvilluesit e kësaj vaksine kanë mundur të jenë nën presion të madh politik për të qenë të parët që regjistrojnë një vaksinë.
Një nga shqetësimet kryesore që komuniteti ndërkombëtar i shkencëtarëve ka në raport me Sputnik V, është efekti i quajtur Zgjerimi i Antitrupave të Varur, që do të thotë kur versione të tjera të virusit bashkëngjiten me antitrupat e prodhuara nga vaksina. Kjo mund t’i bëjë njerëzit të ndihen më të sëmurë kur infektohen për të dytën herë. Ky efekt vërehet gjatë fazës së tretë të zhvillimit të vaksinës.

Basha: Rama s’ka asnjë plan për sigurimin e vaksinës anti-COVID

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha akuzoi pak ditë mw parw kabinetin e drejtuar nga Edi Rama se është e vetmja qeveri që nuk ka bërë publik asnjë plan për sigurimin e vaksinës. Kryedemokrati thotë se qeveria duhet të tregojë sa do të jetë fondi në dispozicion për vaksinën anti-covid. Në një postim në Facebook, lideri demokrat shprehet se është urgjente të përcaktohen fondet e nevojshme për vaksinën anti-covid dhe të nisin bisedimet me BE dhe SHBA në mënyrë që edhe qytetarët shqiptarë të kenë mundësi të vaksinohen kundër covid19 sapo vaksina e re të jetë gati. “Të gjithë e kemi të qartë se vaksina që po përgatitet në kohë rekord në laboratorë të ndryshëm të botës mbetet mjeti më efikas për ndalimin e pandemisë covid-19. Synimi është që ashtu si jemi vaksinuar kundër fruthit, rubeolës, hepatitit apo edhe virusit të gripit stinor, të mund që të vaksinohemi edhe kundër virusit covid-19 sapo të jetë gati vaksina. Për këtë arsye gjithë vëmendja e qeverive anembanë botës sot është fokusuar tek sigurimi i vaksinës anti-covid si mënyra e vetme për të ndalur virusin që po merr çdo ditë jetë njerëzish. BE, SHBA, por edhe vendet fqinje me Shqipërinë kanë paraporositur, rezervuar apo kanë ndarë fonde të veçanta për blerjen e saj, duke qenë se kërkesa për vaksinën anti-covid është globale dhe kapacitetet prodhuese nuk mundësojnë dot një shpërndarje të njëtrajtshme të saj. Kjo është e vetmja qeveri që nuk ka thënë ende asnjë fjalë dhe nuk ka bërë publik asnjë plan për sigurimin e vaksinës. Është urgjente të përcaktohen fondet e nevojshme për vaksinën anti-covid dhe të nisin bisedimet me BE dhe SHBA në mënyrë që edhe qytetarët shqiptarë të kenë mundësi të vaksinohen kundër covid19 sapo vaksina e re të jetë gati. Pa asnjë vonesë!”

Bill Gates: Covid do të shkaktojë miliona viktima. Ja kur do zhduket

Në fund të vitit 2021 vaksina

Bill Gates, njeriu që parashikoi që 5 vite më parë përhapjen e koronavirusit, në një intervistë për ‘The Economist’ thotë se deri kur pandemia të marrë fund, miliona njerëz do të vdesin kryesisht në vendet në zhvillim, teksa aktualisht numërohen 785 mijë viktima.

“Shumica e vdekjeve do të shkaktohen jo nga pandemia në vetëvete, por nga sforcimi i sistemit shëndetsor, në vendet me ekonomi të dobët. Gati 90% e vdekjeve do të shkaktohen jo drejtpërdrejtë nga koronavirusit”, ka thënë ai.

Fundin e 2021 e sheh edhe si periudhën e fundit të saj, një kohë e mjaftueshme sipas Gates për krijimin e një vaksine të sigurtë dhe imunizimin e pjesës më të madhe të popullsisë botërore.

“Nga fundi i vitit 2021, një vaksinë mjaftueshëm efektive mund të jetë e përdorshme masivisht. Një pjesë e madhe e popullsisë globale do të mund të imunizohet për të ndërprerë përparimin e pandemisë”.

Foncadioni i tij, Bill dhe Melinda Gates, ka dhënë 350 milionë Dollarë në formë donacionesh në luftën globale kundër koronavirusit. Gates thotë se vendet e botës duhet të shpenzojnë miliarda për krijimin e vaksinës, për të kursyer triliarda në dëmet ekonomike që ajo mund të shkaktojë. /Gazeta Liberale

Tags: , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back