Kryesore

Vajza e babit, asnjëherë Rudina Hajdari

               Publikuar në : 10:06 - 02/11/19 liberale

Reldar Dedaj

Në Shqipëri rëndom ndodhin ngjarje të natyrave dhe të përmasave të paparashikueshme, jo vetëm për ata që nuk kanë gisht në to, por edhe për ata që i sajojnë. Mund të themi se ky ishte mendimi i parë që n’a erdhi në mendje, pasi dëgjuam deputeten Rudina Hajdari, teksa zbulonte kërcënimin që i ishte bërë në mjediset e Kuvendit. Për fat të keq, mjedisi politik tek ne, pavarsisht disa dallimeve të vogla nuk ka qenë ndryshe aq sa është sot dhe ndoshta pikërisht për këtë, për faktin se në ndërgjegjen e tij rëndojnë mjaft pesha të vjetra të cilat duken se do të harrohen, por nuk harrohen e s’mund të harrohen kurrsesi, kërcënimi i Hajdarit domosdo gërvish plagë të vjetra, krijon gjak, na detyron ta ndalim hapin, ta vrojtojmë njëherë edhe duke qenë plotësisht të vetëdijshëm se mund të jetë një trill.

Ngjarje që mendohen të stisura dhe të këtij lloji nuk kanë të sosura në historinë tonë, ku zakoni është përmbysja, jo ndryshimi, ku i dobëti që ka jetuar kokulur, bëhet i pamëshirshëm kur i vjen ora, ndërsa turmat e frikacakëve i trimëron neveritshëm vetëm era e kërmës. Politikanët, nëse duan, kanë mundësi t’i lënë mënjanë veset e popullit si mjete të luftës politike, kanë mundësi të mos i ushqejnë dhe t’i lënë të ngordhin dalëngadalë këto vese. Ndoshta një gjë të tillë duhej të bënte edhe Rudina Hajdari, duke pasur parasysh shkollimin, eksperiencën dhe përvojën e saj familjare.

Por politikanët vizionar me shpirt të gjerë kanë ende shanse të kufizuara për t’u zgjedhur në Shqipëri. Ja se si fati i vendit përmirësohet shumë ngadalë. Prapambetja jonë nuk ecën në një hap me progresin e vendeve të tjera. Distanca mes nesh dhe Europës, në fakt, zmadhohet. Kur mendojmë kështu, ngrihet në mendjet tona si një ngushëllim i ftohtë ajo që mbart gjithë hidhërimin e jetës që kalon: Koha. Koha. Koha pa cak do ta bëjë të vetën, do të na mbushë me mend, do të na detyrojë të ndryshojmë. Ky mendim nuk i dhurohet askujt, por, normalisht ka rrahur flatrat ditën kur znj.Hajdari mbahej më të madhe dhe lajmëronte për mediat dhe kolegët e saj në Kuvend kërcënimin që i ishte bërë brenda institucionit që ruhet me roje dhe bash në zyrën e saj. Për dreq, si për t’mos mjaftuar as kjo, në një deklaratë për mediat, ajo shton dozat e tragjizmit edhe më shumë, duke u shprehur:  se hyrja e Kryesisë së Kuvendit është e pasigurtë.

Pavarësisht përpjekjeve për të ndërtuar salla të mbyllura, si për shembull sallën e mbledhjeve të qeverisë, sallën e parlamentit dhe Kryesinë e Kuvendit, që ruhen nga ushtarakë të armatosur dhe agjentë të spiunimit; duket se edhe këtu ka hyrë marrëzia. Frika është se këtu ka më shumë marrëzi se askund tjetër edhe pse mund të ketë më pak njerëz si të shënuar të marrë.

Prandaj ka diçka që s’shkon në gjithë këtë histori. Ajo që secilit prej nesh i shkon më së shumti në mendje është se kush do të guxonte të sulmonte vajzën e të ndjerit Azem Hajdari brenda sallave të ruajtura me roje të armatosura dhe agjentë të spiunimit. Ndoshta kjo është dilema e parë, e dyta mund të jetë edhe kjo: çfarë peshe politike ka sot Rudina Hajdari. Në fakt këtë askush se di. Sepse edhe nëse ajo është kryetarja e grupit parlamentar demokrat, nuk duhet të harrohet kurrë se është kryetarja e një grupi renegat, të cilët u zgjodhën për mbushje topi ku më pas u shndërruan në top me barut të lagur kundër opozitës reale. Edhe vetë Rudina, me gjasë, u përdor me dashje në këmbim të një kompensimi nga pushteti. Dhe pikërisht për këtë dhe për asgjë tjetër në këtë botë, ajo s’ka asnjë tagër me bë moral, me prediku Shqipërinë pa vese, atë të së nesërmes kur ajo mund të jetë vetë vesi. Shqipërinë e meritës kur është vetë ajo aty pa asnjë meritë, por thjesht si trashëgimi historike dhe në shumë raste të tjera thjesht si kalkulim matematikor. Ajo nuk ka pse të frikësohet nga askush, pasi frika më e madhe për të kaloi ditën kur zgjodhi të tradhtojë kauzën opozitare për t’u konvertuar në fasadë të Edi Ramës.

Pikërisht ajo ditë, ajo orë, ishte kërcënimi më i madh i asaj. Me të kaluar ajo, pra, nga ajo ditë e mbrapa Rudinës s’mund t’i ndodhte asgjë, sepse s’ka rrezik më të madh për njeriun ditën kur tejkalon vetveten, është pak a shumë, sikur njeriu në kushte detyruese force kapërcen të vdekurin. Duke tjetërsuar kështu përdhunshëm traditën, idetë dhe moralin. Kjo ide e dhunuar shpesh nga moskokçarja e përjetshme e racës njerëzore ndaj ngjarjeve që herë i nështrohen dhe herë jo ndonjë plani ose rregulli të caktuar nuk na kujton ndonjë histori të lexuar në një faqe libri dhe as ndonjë gjë tjetër të ngjashme me të. Por na kujton diçka tjetër, një histori të largët, një histori që rreshket prej vitesh e vitesh para syve tanë dhe pavarësisht largësisë e detajeve që ndryshojnë, vjen sa herë e freskët, sa herë tjetër e errët. Është fytyra e zymtë dhe tinzare e politikës shqiptare, një nga ato fytyrat që i përfytyrojmë të mbërthyera në kufirin që bashkon errësirën me vesin nga njëra anë dhe nga tjetra dominimin e injorancës mbi dijen.

Nuk ishte aspak rastësi debati mes djalit shkodran dhe deputetes demokrate Rudina Hajdari. Nëse gjithçka çfarë u pa dhe u dëgjua të mos kishte ndodhur para kamerave të televizioneve dhe aparateve celular, propaganda qeveritare do t’a interpretonte si një sulm fizik ose në rastin më të mirë do të sillej ashtu siç u soll në fakt, me një portretizim prej bishe të atij djali përballë të bukurës së dheut. Në fakt djali shkodran ishte me të drejtë i revoltuar pasi kërkonte trajektoren e votës së vet, pasi Rudina nuk kishte shkuar në Kuvend me vullnetin e Edi Ramës, por me votat e demokratëve. Ajo vajzë të krijon përshtypjen se në mungesë të ideve, hapësirës mediatike dhe aftësive të të shprehurit, dëshiron të mbetet më mirë një ngjarje provokative cinike se sa një kokë e ulur në karriket ende bosh të sallës së parlamentit.

Na kujtohet se në fillimet e saj ngjalli jo pak kërshëri dhe kuriozitet kur me emër të përveçëm, kryetari i PD-së Lulzim Basha prezantoi një vajzë të re, gjatë një takimi me strukturat e partisë. Atë kohë shumë pak e njihnin, por emri i rëndonte shumë. Ishte vajza e Azem Hajdarit. Ajo gjithmonë do jetë vajza e babit dhe me gjasë asnjëherë Rudina Hajdari. Mirëpo, historia vazhdon…/Gazeta Liberale

 

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back