Kryesore

Vacation mode on? Off?

               Publikuar në : 09:51 - 13/09/21 liberale

Ndërsa mora pushim nga RockRrëmujë për një muaj, dhe Suela kreu i “Leteratura”, më pyeste e më ngacmonte dy javët e fundit në do rifilloja, mënyra më e mirë e rinisjes së kolonës ishte të shtyja tërë temat e tjera që kam mbledhur e trajtuar këto kohë, e të mendoja pak për pushimin.

Loer Kume

Ç’nocion është pushimi? Nga pushova unë? Unë mora pushimet nga Rrëmuja që nga ana tjetër të punoja në klinikë. Pastaj mora pushim nga klinika që të punoja me romanin, pastaj ndalova romanin, që të beja plazh dhe lexoja, pastaj reduktova leximin që të bëja not, të pija, të vija mendjen në gjumë e të kaloja kohë me familjen e me miqtë e mi. Pastaj u shkëputa nga bota e lëvizshme, për t’u kthyer në të palëvizshmen, letërsinë. Ndërkohë kam marrë goxha kohë pushim nga të pikturuarit, dhe e ndjej veten si hark të ngarkuar e maturuar plot me ide të reja fomash e ngjyrash. Pushime pas pushimesh, mes pushimesh. A pushojmë ndonjëherë vërtet? I will live when I’m alive and sleep when I’m dead këndon Bon Jovi. Derisa të më rrotullojnë në varr e kockat të më pushojnë. Po. Pushon zemra? Pushon aktiviteti bioelektrik në tru? Pushon fryrja dhe çfryrja e mushkërive, labotatori i superkomplikuar i mëlçisë? Ndërkohë, edhe pse ingranazhet e punës së krijesës së gjallë nuk pushojnë, jeta nuk pushon, makineria vetë ka maksimumi 5 ditë autonomi pune pa gjumë, pra pa pushim. Ka dhe përjashtime, pacienti im Francesco, më rrëfeu qe kishte 20 vjet që nuk flinte gjumë asnjë sekondë. Kohën e mbushte duke lexuar ose bentë një punë të dytë natën. Ka dhe përjashtime të tilla bizarre, për të na rrëfyer që natyra është shumë më e gjerë se truri jonë.

Sidoqoftë, pushimi është diçka thellësisht natyrore, e ngërthyer në kodin tonë gjenetik. E si pasojë, dhe në tërë kodet tona sociale. Që nga ai zyrtari, kodi i punës, kodi social i punë-pushimit, që rregullon ciklet e shoqërisë; punëtorët marrin pushime, ditë shtesë pune, pushime të gjata, të shkurtra, orët e punës – miku im Jani rrëfen se në Mynih në punën e tij e detyrojnë të marrë pushime të shpeshta që në punë të ketë rendiment sa më të lartë për shembull. Dhe, deri te më i lashti, kodi etik fetar, judaiku përkatësisht, që është në themel të kulturës Perëndimore, me të dielën e famshme të Zanafillës, kur Zoti pushon pasi ka krijuar botën, (kryevepër, Zoti me një lule tërfili në buzë nën hijen e një mullari duke pushuar) e si pasojë, tërë shëmbëlltyrat e tij, njerëzorët, pushojnë dhe ata ditën e dielë.

Më vjen në mendje etimologjia e fjalës, holiday, ditë e shenjtë, e dielë, praktikisht e diell, dita ku festohet dielli, natyra, dita kur ti adhuron natyrën në liri, ose Holi, dita kur në fenë hindu, celebrohet fundi i dimrit dhe fillimi i pranverës, afrimi i njeriut me tokën, paqtimi me natyrën. Nocioni i pushimit pra vjen që nga fizikja, që nga lashtësia, e deri te kodi social.

Suedia ul orët e punës, ditët e punës, duke i dhënë më shumë hapësirë kohës personale të njeriut. Të pasurit punojnë sot me nocionin që të mos u duhet të punojnë më. Të pasurit punojnë që të dalin në pension në moshën 45 a 50 vjeçare. Të varfërit dhe shtresa e mesme punojnë që kur të dalin në pension mos të shqetësohen më për problemet e jetës. Por janë të varfërit dhe shtresa e mesme që realisht dalin në pension 65 vjeç, dhe e përjetojnë (si ndoshta dhe është) si moment depresioni dhe padobishmërie, ndryshe nga të pasurit që e jetojnë ‘pensionin’ e tyre si celebrim ndaj jetës, mbushur plot me ngjarje e kënaqësi.

Aristokracia kishte tipar kryesor të saj faktin që, njerëzve të kësaj shtrese nuk u duhej të punonin. Dhe, ashtu di Descartes, e Voltaire, shumica e mendimit europian dhe Perëndimor si pasojë, u formësua nga njerëz të klerit, që nuk u duhej të punonin dhe njerëz të aristokracisë, që nuk u duhej të punonin.

Ndërkohë, për të krijuar kushtet që filizat e mendimit të zhvilloheshin, punuan breza e breza skllevërish, punëtorësh, bujqish e zanatçinjsh të çdo lloji. Pa u marrë specifikisht me Komunën e Parisit, që nuk ishte një lëvizje e bazuar te mendja por te barku, duhet thënë që Marksi ishte mendja kryesore që vendosi theksin dhe vëmendjen sociale te punëtorët, por pas Marksit gjërat morën pak si fort përpjetë, dhe nga shtresa punëtore pritej mendim i thelluar e ndryshime rrënjësore të mendjes së njeriut, por ky pretenciozitet nuk na çoi shumë larg, veçse në krijimin e lakunave të dhunës, terrorit, gjakut, diktaturave, dhe shkatërrimit më të madh te esencës njerëzore, siç ishin sistemet komuniste. Dhe, çfarë është në thelb të tërë lëvizjeve ekstreme njerëzore në tërë historinë? Paraja? Jo në të vërtetë. Është pushimi. Liria e të pushuarit, kur do dhe si do. Ja për çfarë duhet dhe paraja. Dhe ç’ është pushimi në thelb? Qasja gjithmonë e më e madhe e njeriut me anën e tij më primitive, dhe me natyrën. Dhe në fund të fundit, ky shkrim është ndërtuar për të bërë pyetje, jo për të dhënë përgjigje. Por kam një bindjen time, se në thelb e tërë kjo histori e punës dhe pushimit është lufta e përjetshme, tipari kryesoj njerëzor, ajo që na bën njerëz, e Nature versus Nurture, e natyrës, kushteve te jashtme, dhe e aftësisë së njeriut për t’u kujdesur të ndryshojë ambientin në funksion të vetes.

Dhe besoj që në të vërtetë, ne, ashtu si pjesët tona të ingranazhit, nuk pushojmë kurrë, gjithmonë makineria jonë qetësohet pak nga funksionet e saj për të marrë një shije të asaj që është më e mirë, më lart, me shpërblyese. Duke e kthyer kështu në përditshmërinë e saj, me premtimin e një shijimi edhe më të mirë të herës tjetër. E tërë lufta jonë bëhet për të ngjitur katet e ekzistencës në kualifikimin dhe mundësinë për ‘shije më të mirë’.

Ka dhe raste kur shumë njerëz punojnë derisa vdesin, padyshim, dhe puna i mban gjallë, por nuk dimë ta ndajmë këtë, në është nurture, apo forcë zakoni që bëhet nature ‘per se’.  Sidoqoftë, përjashtime ka, siç e theksova më sipër.

Në fund, gjithçka është në thelb, etje për liri, dhe krijim i pafundmë estetik. Ndaj, RockRrëmujë vazhdon. /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back