Kryesore

Ushtari i rrugës

               Publikuar në : 10:09 - 16/05/19 Liberale

Pas sinjaleve të dobëta për dialog apo prani të ndërkombëtarëve, mjeti kryesor i aksionit opozitar rikthehet të jetë protesta. Sa ndikoi në vendimin e djeshëm lista e kandidatëve socialistë që akuzohen nga Basha për lidhje me krimin dhe a është ky një prag i pakalueshëm për të ardhmen?

Suadela Balliu

Komandant i zemërimit popullor nuk është Lulzim Basha, do të thoshte dje pas mbledhjes së Kryesisë së PD-së, kreu i bluve, por në këtë dalje të tretë në tri ditë para mediave, foli për një betejë jetë a vdekje, duke iu rikthyer rrugës.

Kur mbështetësit e lëvizjes opozitare prisnin që në protestën e së hënës së 13 majit do të kishte një kundërpërgjigje për dhunën e ushtruar ndaj sekretarit organizativ të demokratëve, që vetë Basha e pat lajmëruar të dielën nga Drejtoria e Policisë, pasditja e protestës nën shi u shndërrua në një marshim, ku kryedemokrati do të shprehej se dhunës po i përgjigjeshin në fakt me bashkim.

Një kthim kursi i fortë në vetëm njëzetekatër orë nga deklaratat se qeveria e ashtuquajtur juntë kriminale nga Basha do të merrte “përgjigje proporcionale nga populli i vendosur për ta çuar deri në fund këtë betejë”, ose ndoshta i minutës së fundit, kur përfaqësuesit diplomatikë të kancelarive më të rëndësishme do t’u bënin thirrje njëzëri, PD-së dhe partive aleate të distancoheshin nga dhuna.

Dy ditë pasi furtuna u duk se u qetësua, kryesisht prej nxitjes së faktorit ndërkombëtar e veçanërisht deputetëve të CDU/CSU që u bënë thirrje palëve të hyjnë në dialog pa kushte e ku, si kreu i qeverisë ashtu edhe ai i PD-së nga selitë përkatëse përçuan mesazhin se ndihma e ndërkombëtarëve ishte e mirëpritur, por pa lëshuar nga qëndrimet e tyre kapitale, Partia Demokratike zgjodhi dje të kthejë edhe më të voglin hap që mund të dukej se po çonte drejt një shtegu për dialog.

“Rëndësi ka që sot ne ndodhemi në një betejë për jetë a vdekje. O do të ketë një plan si ky që ka vënë Rama në lëvizje me kriminelë dhe të emëruar të krimit, në gjysmën e bashkive vetëm të një partie, në gjysmën tjetër edhe të Bashkimeve Profesionale të asaj partie, pra njerëz të sponsorizuar në këtë drejtim, ose do të ketë një fitore të demokracisë, lirisë për çdo shqiptar, që do t’u hapë rrugë zgjedhjeve vërtet të lira e të ndershme”, deklaroi Basha pas takimit me Kryesinë e PD-së dhe një dite të ngarkuar takimesh, fillimisht me aleatët e më pas me kolegjin e kryetarëve, ku edhe zbuloi protestën e gjashtë kombëtare më 25 maj, vetëm pesë ditë para çeljes zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 30 qershorit. “Lajmi që merrni nga PD-ja është që ne do të jemi në ballë të kësaj beteje ditë për ditë”, vijoi kreu i PD-së, ndërsa do të radhiste edhe njëherë arsyet e lëvizjeve të opozitës, i përforcuar kësaj here dhe nga një artikull i gazetës gjermane “Bild”, që ndër të tjera flet edhe për dosjen “184”, ku sipas opozitës ka indicie për krim elektoral në zonën e Dibrës. “Ka zbuluar diçka që organet ligjzbatuese në Shqipëri, dhe jo vetëm, e dinë prej kohësh që në dosjen 184, në përgjimet e Dibrës figuron vetë Edi Rama, duke komunikuar drejtpërdrejt me zyrtarë të lartë, duke u konfirmuar, duke u siguruar, se skenari i manipulimit zgjedhor, i vjedhjes së votave, i brutalizimit të votuesve është zhvilluar pikërisht sipas porosive të tij”, u shpreh Basha, ndërsa gazetari Peter Tiede, përtej përshkrimit që i bën kryeqytetit në një ditë proteste, e cilëson Shqipërinë si “një vend kaotik në duar gangsterësh” dhe ka cituar disa zëra si ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, apo gazetari Basir Çollaku, pa ofruar fakte apo dëshmi të një natyre investiguese.

Kandidatë kriminelë?

“Shqiptarëve do t’u ofrohen vrasës, përdhunues ose ushtarë të vrasësve dhe të përdhunuesve dhe njerëzve të korruptuar si Vangjush Dako me shokë. Vetë nuk garoi dot, se është duke negociuar si do t’u shpëtojë hetimeve me Edi Ramën dhe ka caktuar se kush do të garojë. Këtu e ka sjellë Shqipërinë bashkëpunimi i Edi Ramës me krimin”, vijoi kreu i PD-së, ndërsa ofroi një panoramë në gjysmën e bashkive të vendit me kandidatë që i cilësoi si vrasës, përdhunues, trafikantë droge.

“Shokët e Elvis Rroshit që mbeten akoma në Bashkinë e Krujës, si Artur Bushi me shokë, kandidatë të tjerë të zgjedhur me dorë nga banda e Abdylajve në Shijak, nga Ymer Lala në Dibër, ku kemi një rekord, se Ymer Lala ka caktuar edhe kandidatin e PS-së, edhe kandidatin e Bashkimeve Profesionale të PS-së”, do të shprehej Basha, duke iu referuar edhe kandidatit të Partisë Bindja Demokratike.

Sipas Bashës, ishte pikërisht Edi Rama si kryetar i socialistëve, që po e çonte opozitën sërish drejt protestave në rrugë. “Në vend që t’i hapë rrugë kërkesës mbarëpopullore për zgjedhje të lira e të ndershme, përmes një qeverie tranzitore, me detyra të përcaktuara qartë, Edi Rama ka përcaktuar një kurs përplasjeje me popullin”.

Larg dialogut

Ditën e martë, kryeministri do të deklaronte se ishte i hapur për dialog dhe për këtë nuk i duhej ndihma e ndërkombëtarëve, por assesi për të negociuar mbi Kushtetutën, ndërsa kreu i PD-së do të shprehej pak orë më vonë po atë ditë, se ishte gati për negociata me ndihmën e ndërkombëtarëve, por pa Ramën kryeministër.

Megjithëse u duk se u kishin vënë veshin mesazheve dhe thirrjeve, si të diplomatëve të huaj po ashtu edhe të deputetëve gjermanë të CDU/CSU, që madje shprehën gatishmërinë për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës, si Rama ashtu edhe Basha e shpërfillën pikën ku kërkohej një dialog pa kushte. Të vetëdijshëm dhe me precedentin e 2017-s, që duket se asnjëra nga palët nuk ka vullnetin ta përsërisë, të paktën për tani, se nëse hyhet në një marrëveshje do u duhet secilit të lehtësojë barrën e kushteve drejt një kompromisi, ata u mëshuan edhe njëherë qëndrimeve: i pari për dialog pa negociata, i dyti për negociata pa Ramën kryeministër, edhe pse do ta kishte sërish në një tryezë negocatiore si kreu i socialistëve. Ditën e martë, Basha do të thoshte se ishte Rama ai që kishte refuzuar ofertat publike për një angazhim të faktorit ndërkombëtar, ndërsa do të shprehej se PD-ja e mirëpriste, për t’i dhënë zgjidhje krizës.

E megjithatë, në mesazhet e secilës ambasadë të huaj thirrja parësore ishte dënimi publikisht i dhunës prej krerëve të PD-së dhe LSI-së. Vrulli i thirrjeve nga përfaqësuesit diplomatikë, vetëm një orë para protestës së 13 majit, erdhi edhe si përgjigje ndaj asaj çka e cilësuan si “Frikësimi i ambasadorit të OSBE-së, Bernd Boschardt”, ku mbrëmjen e së shtunës, pranë rezidencës së banimit të tij, u shkrua parulla “Borchardt shame on you!”. “Dhuna dhe frikësimi i zyrtarëve të organizatave ndërkombëtare janë të papranueshme”, u shprehën në një deklaratë të përbashkët drejtuesit e OSBE-së e po ashtu edhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, dënoi frikësimin që iu bë zotit Borchardt. E megjithëse nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga selia e Partisë Demokratike mbi veprimin e disa të rinjve, mbështetës të opozitës, ndoshta qetësimi i ujërave në protestën-marshim të së hënës, mund të lexohej në mos si ndjesë, si një garanci për ndërkombëtarët, se nuk do të kishte hedhje molotovësh.

Por pyetja që PD-ja dhe opozita e bashkuar i ka bërë vetes, ditën e djeshme është se ç’do të ndodhë, ndërsa zgjedhjet e 30 qershorit janë vetëm 45 ditë larg. Pas takimit me Lulzim Bashën, partitë e vogla aleate me të, do të shprehnin vullnetin për pamundësimin e zgjedhjeve lokale, ndërsa në strategjinë e tyre alternoheshin sinjalet që vijnë nga ndërkombëtarët me veprimet lokale, përkthyer në protesta në rrugë.

“Nuk heqim dorë nga takimet me ndërkombëtarët, por as nga rruga, as nga informacionet për mediat, as nga takimet në salla me intelektuale, por aksi kryesor është protesta e rrugës deri në fund kur të mbërrijmë në një zgjidhje finale, jo për Bashën, jo për PD-në, por për të gjithë Shqipërinë”, do të shprehej paraditen e djeshme kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi.

Edhe Lulzim Basha e di mirë se me formatet e marshimit zor se mbështetësit do t’i përgjigjen në numra, ndërsa kundërshtari i tij politik, Edi Rama, në çdo dalje publike nuk harron të theksojë se përmasat e protestave të opozitës kanë shkuar drejt tkurrjes.

“A do të pranohet që grushti i shtetit të çohet deri në fund, dhe në Shqipëri të instalohet tirania e krimit në të gjitha nivelet? Sepse kjo, jo vetëm do të instalonte tiraninë e krimit në pushtetin vendor, por do të çimentonte edhe tiraninë e krimit në qeverisjen qendrore. Apo do të ketë një përballje totale popullore për ta mposhtur me të gjitha mjetet dhe format e tjera tiraninë e krimit?”, u shpreh Basha, ndërsa përcolli mesazhin te mbështetësit e opozitës dhe një ftesë që pas nëntë ditëve t’i bashkohen kauzës së saj në rrugë.

Vendimi unanim i opozitës, bëri edhe njëherë të ditur kreu i demokratëve, është përballja popullore me të gjitha format dhe mënyrat. Qëndrim ky i artikuluar që në krye të herës nga opozita, pas vendimit të djegies së mandateve të deputetëve, akt ky që i afronte më shumë me popullin dhe revoltën e tyre ndaj qeverisë që, sipas tyre, u ka hequr çdo shpresë.

“Që do të thotë se, nga ky moment, ne jemi e do të jemi, çdo ditë e çdo minutë bashkë me qytetarët, të bashkuar si asnjëherë më parë, siç e patë në protestën e ditës së hënë dhe protestën e ditës së shtunë, në një përballje pa kthim me ushtarët dhe shërbëtorët e juntës kriminale në pushtet, deri sa të diktojmë kthimin te demokracia, kthimin te zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, u shpreh Basha, ndërsa qëndrimi i tij tingëllon në kthim të kursit radikal, ku edhe një muaj më parë, si kreu i PD-së ashtu edhe ish-kreu i saj, Berisha, do të flisnin për përplasje me përmasa parapolitike për të pamundësuar zgjedhjet e 30 qershorit. “Asgjë nuk mund të kursehet në këtë betejë”, e përforcoi mesazhin e tij Basha, duke shtuar me bindje se zgjedhje lokale më 30 qershor nuk do të ketë. Rama pak ditë më parë, përmes një mesazhi në “Twitter” i bëri ftesë kreut të PD-së, me sloganin “Kur do të flasim”, por duke i kujtuar se dialogu do të qe për zgjedhjet parlamentare të 2021-shit, pasi tanimë shansi për zgjedhjet lokale u humb nga PD-ja.

“Kush ul kokën dhe nuk bëhet pjesë e kësaj beteje, do të jetë shërbëtor dhe skllav i krimit, sepse skenari tjetër është që Shqipëria, përfundimisht të bjerë si demokraci, të bjerë si shtet i së drejtës dhe të kthehet edhe de jure në juntë kriminale. Natyrisht ne këtë skenar nuk mund ta lejojmë. Ne këtë skenar nuk mund ta pranojmë, dhe jam i bindur se me gjithë shqiptarët e ndershëm, betejën do ta vazhdojmë ditë për ditë, duke e intensifikuar dhe duke e ngritur çdo ditë e më lart, derisa ta mposhtim këtë skenar ogurzi.”

Megjithëse u bëri thirrje qytetarëve, Basha do të kujdesej të deklaronte se PD-ja distancohet nga dhuna, por nuk siguroi se në protestën e 25 majit, të gjashtën kombëtare, nuk do të hidheshin molotovë nga protestuesit. “Mos prit që Lulzim Basha të jetë komandant i baballarëve, që u ka vënë kryqin te shtëpia Edi Rama, i vëllezërve motrat trevjeçare të të cilëve i ka helmuar me gaz Edi Rama apo i fëmijëve të prindërve që Edi Rama u theu kockat se donte t’u grabiste shtëpitë, që t’u vidhte 40 milionë euro shqiptarëve dhe të mos shpronësonte as banorët e ligjshëm”, u shpreh ai, i bindur se pas kësaj zemërimi popullor do të rritej, ndërsa detyra e opozitës ishte t’i thërriste shqiptarët në mbështetje të kësaj kauze, për të parashtruar për ta zgjidhjen politike me një kthim te gjeneza e saj me protestat në rrugë, e kur Lulzim Basha u drejtohej ndërkombëtarëve me shprehjen “No stability without demokracy” dhe thirrjet, bashkë me qytetarët “Rama ik!”./ Gazeta Liberale

 

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *