Aktualitet

Urime 12-vjetori i pavarësisë – me raporte të tensionuara me ShBA

Shkruar nga Liberale
Urime 12-vjetori i pavarësisë – me raporte të tensionuara

Berat Buzhala

Nuk kanë kaluar as dhjetë ditë prej kur është zgjedhur kryeministër, kurse Albin Kurtit i ra hise që që ditën e parë të zhytet në ujëra të thella dhe të rrëmbyeshme. Kjo nuk ishte shumë e drejtë. Zakonisht, është njëfarë kurtoazie që qeverive dhe kryeministrave t’u jepen nja 100 ditë fore, në mënyrë që pastaj t’u gjykohet puna ose mospuna. Ne 100 ditë të lira nuk i kemi pasur që nga viti 1389, kur filluan të vijnë ushtarët e parë osmanë. Nuk i patëm as për Kurtin. Në fakt, për të nuk i patëm as 10 ditë.

Filluam ta gjykojmë që javën e parë, që të mos themi që në intervistën e parë, kur ai ndoshta ende nuk e kishte mësuar përmendsh as kodin e hyrjes në kryeministri. Prandaj, deri diku, militantët e tij, ata që besojnë në të si në një profet, kanë të drejtë, nëse mllefosen kur të na shohin ne me thika në dorë në drejtim të tij.

Fatbardhësisht, Kurti nuk është i papërvojë. Ai nuk ka qënë kryeministër, mirëpo është marrë me kryeministra që një kohë të gjatë. Që një kohë të gjatë e ka kërkuar edhe fjalën. Që një kohë të gjatë ka thënë që “po të isha unë në vendin e tyre, gjërat do të shkonin shumë më mirë”. Që një kohë të gjatë ka thënë që nuk është faji i bashkësisë ndërkombëtare, por është faji i politikanëve tanë që nuk po dinë të dialogojnë, të negociojnë etj. Që një kohë të gjatë ka thënë që këta politikanë janë të shantazhuar për shkak të korrupsionit, prandaj bëjnë kompromise në kurriz të shtetit.

OK.

Urdhëro, të lutem.

Ky është Richard Grenell-i. Ky tjetri është Pompeo. Kjo është zonja Merkel, sigurisht po e njihni, kurse ky tjetri është Makron-i, presidenti i Francës. Ata atje janë ambasadorët e tyre, që i përfaqësojnë qeveritë e tyre në republikën tonë. Mund t’iu thuash atyre çfarëdo që ke për t’iu thënë. Bindi përse duhet të kemi reciprocitet me Serbinë, por shpejt, të lutem, sepse nuk premton koha. Jo ne, sepse ne e dimë, por ata, që, përveç Kosovës, kanë edhe telashe të tjera, që nga Afganistani, Iraku, Egjipti, ngrohja globale, NATO-ja, rrjeti 5G etj.

Të kesh të drejtë nuk mjafton. Në fakt, në raporte me fuqitë e mëdha, ekziston rreziku i madh që drejtësia të kthehet në mallkim. Kishin – dhe kanë – të drejtë kurdët. Kishin – dhe kanë – të drejtë palestinezët. Por ja që bota është e mbushur me padrejtësi ndaj të drejtëve.

Është mirë që të dimë dhe që të themi se në raportet ndërkombëtare, drejtësia është vetëm njëri përbërës në recetën me dhjetëra ose qindra përbërës të tjerë. Drejtësia nuk është as përbërësi e as argumenti kryesor. Ne e dimë që myslimanët në Burma kanë të drejtë. Kanë të drejtë ujgurët në Kinë, edhe myslimanët në Indi. Mirëpo edhe të parët edhe të dytët po i nënshtrohen gjenocidit, kurse pjesa tjetër e botës thjesht e konstaton një gjë të tillë. Por këto fakte shërbejnë më shumë për statistika në raportet e organizatave që merren më liritë dhe të drejtat e njeriut sesa për ndonjë rëndësi praktike.

Kosova, fatbardhësisht, kishte shpëtuar si qimja prej të lyenit në fund të shekullit të kaluar. Ka të tillë që e kanë paguar një çmim shumë të lartë për liri. Të gjithë ne, në fakt, duke pas qenë viktima, e kemi paguar një çmim. Mirëpo nëse e kthejmë kokën rrotull, do të shohim se çfarë çmimesh paguajnë të tjerët dhe çfarë po përfitojnë dhe çfarë çmimi paguam ne dhe çfarë përfituam. Dallimi është sikur nata me ditën.

Në dy vjetët e fundit, ne i jemi nënshtruar një terrori sistematik politik. Kryeprotagonistë të tij ishin presidenti Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Rama. Të dytë këta kanë defiluar nga një studio në një tjetër. Na kanë trajtuar si idiotë. Kanë thurur plane dhe kanë zhvilluar takime në errësirë të plotë. E kanë ofenduar secilin që nuk ka menduar si ta. Kishin shkuar aq larg sa – si duket – duke i joshur për një marrëveshje të shpejtë dhe të lehtë me Serbinë, kishin arritur ta përçanin një pjesë të aleatëve tonë, posaçërisht amerikanët me gjermanët dhe britanikët në anën tjetër. Rezistenca në krahun tjetër (ku bëja pjesë edhe unë) ishte mjaft e fortë.

Me mosstransparencën e tyre, Rama dhe Thaçi kishin arritur që ta bënin bashkë, kundër vetes, një grup njerëzish, politikanësh dhe gazetarësh, që në rrethana të tjera kurrë nuk do të bëheshin. Me vështirësi të mëdha, jo pa pasoja, Rama dhe Thaçi ishin ndalur.

Zgjedhjet e fundit në Kosovës arritën të prodhojnë një realitet të ri. Ai që mund të konsiderohet si patriariku i opozitarizmit, Albin Kurti, arriti t’i fitojë zgjedhjet. Tash, fjalën e ka ai. Për momentin, të gjithë janë ndalur. Të gjithë sytë janë në drejtimin e tij. Ai që kishte folur për 20 vjet pa u ndalur, tash nuk po flet. Ose po flet dhe nuk po thotë gjë. Ose po thotë, por jo për esencën e problemit. Thjesht, po i shpalos aftësitë e tij retorike, pa ndonjë përfitim konkret për vendin. Po provon që ta injorojë një elefant në mes të dhomës, siç është dialogu me Serbinë, që e ka për synim final arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me armikun e pavarësisë së Kosovës.

Shumë prej nesh kemi qenë skeptikë që nga fillimi për këtë proces. Spekulimet që ky dialog dhe këto negociata do ta çojnë vendin drejt ndarjes pothuajse askënd nuk e kanë lënë indiferent. Kryeministri i kaluar, z. Ramush Haradinaj, në mënyrë naive e kishte autorizuar Thaçin që të merrej me bisedat me Serbinë, sepse, kishte thënë, ai vetë nuk kishte kohë për shkak të punëve të mëdha brenda vendit. Më vonë e kishe kuptuar se njeriut të gabuar i kishte dhënë fuqi të tepërt. Nuk kemi nevojë që ta ripërsërisim tërë atë që kishte ndodhur pastaj. Ishte shpikur një mekanizëm “ad-hoc”, siç është taksa, për t’i vënë shkopinj karrocës së dialogut. Të gjithë ne e dimë që mënyra se si është vendosur që t’i vihet taksë mallrave serbe ka qenë fëmijërore dhe qesharake. Sa po thu ti? Unë po them 10 për qind. Pak është 10, unë kisha thënë 30. A ta bëjmë bre 100 për qind? Paj tyben, shumë mirë po tingëllon. Hajde pra, përhajr na qoftë, le të bëhet 100 për qind. Kështu që kjo taksë ka mundur të jetë 10, ka mundur të jetë 30 e ka mundur të jetë edhe 2000 për qind. Thjesht do të duhej të ishe i pranishëm në atë dhomë dhe të jepje një propozim. Meqë askush nuk ka pasur statistika konkrete, secili propozim do të mund të kalonte. Mirëpo më vonë e pamë që taksa, ose tarifa, shërbeu për krejtësisht tjetër qëllim. Disave prej nesh vazhdimisht na janë dhënë sinjale – prej miqve ndërombëtarë – që të mos lëshonim pe, sepse rreziku i ndarjes edhe më tutje nuk kishte kaluar. Ja pra, kështu, si një dasëm fshati, kaluan dy vjet. Rrokopujë. Njëri thumbit, tjetri patkoit. Gjatë kohës kur ujërat filluan të qetësohen në skenën tonë politike, kur PAN’i i humbi zgjedhjet, kur ato u fituan prej atyre që deri dje ishin në opozitë, atyre që madje thonin që taksa ishte thjesht një mjet popullist i asaj qeverie, administrata amerikane, e interesuar për ta zgjidhur problemin e Kosovës, nuk kishte qëndruar duarkryq.

(Vijon nesër)

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH